2013-06-16 17:35:09

Po jetës, jo idhujve: kështu Papa Françesku në Meshën e Ditës së Evangelium Vitæ, duke kujtuar se Zoti fal gjithnjë.


“Ndjekja e udhës së Hyjit çon në jetë, ndërsa ndjekja e idhujve, në vdekje”. Kështu u shpreh sot paradite Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, ku kryesoi Meshën Shenjte me rastin e Ditës kushtuar “Evangelium Vitæ”, në kuadrin e Vitit të Fesë. Mijëra, besimtarë, të pranishëm. Me ta, edhe delegacionet e ‘popullit të jetës’, ardhur nga mbarë bota.

U rrethua menjëherë nga ngrohtësia e besimtarëve, Papa Françesku, sapo u duk në Sheshin e Shën Pjetrit e nisi të përshkojë turmën, që kishte përfunduar atë çast Rruzaren Shenjte. Papa e bekoi Sheshin në festë e, më pas, Mesha e homelia:
“T’i themi po dashurisë, jo egoizmit; po jetës, jo vdekjes; po lirisë, jo skllavërisë së idhujve të shumtë të kohës sonë; me një fjalë, t’i themi po Zotit, që është dashuri, jetë, liri, që nuk të zhgënjen kurrë”.
Po fesë, pra, një feje, që na bën të lirë e të lum, pohoi Papa, duke nënvizuar se vetëm besimi në Zotin e Gjallë na shpëton; besimi në Hyjin, që në Jezu Krishtin na dhuroi jetën e vet e me dhantinë e Shpirtit Shenjt, na bën të jetojmë si bij të vërtetë të Zotit. E më pas, duke kujtuar liturgjinë e sotme, Papa vuri në dukje:
“Kur njeriu dëshiron të nxjerrë në pah vetveten, duke u mbyllur në vetëdashje e duke e vënë veten në vendin e Zotit, shkon duke mbjellur veç vdekje. Egoizmi çon në udhën e gënjeshtrës, në përpjekjen e kotë për të gënjyer vetveten e të afërmin. Po Zotin nuk mund ta gënjesh! Nuk gënjehet, Zoti”.
Foli për Zotin e të gjallëve, Zotin e pranishëm në histori, Zotin që e çliron njeriun nga çdo lloj skllavërie, Papa, e pastaj u ndal përsëri tek dhurata e Dhjetë Urdhërimeve:
“Një udhë, që Zoti na e tregon për të jetuar jetë vërtet të lirë, jetë të plotë; nuk janë himn, që i këndohet mohimit. “jo’-së: nuk duhet të bësh këtë, nuk duhet të bësh atë! Jo! Janë himn kushtuar pohimit, ‘po’-së, Zotit, dashurisë, jetës. Të dashur miq, jeta jonë është e plotë, vetëm në Hyjin, sepse vetëm ai është i Gjalli”.
Papa theksoi disa herë Shkrimin Shenjt, që na kujton se Hyji është ai, që dhuron jetë e që na tregon rrugën e jetës së plotë:
“Jezusi është mishërimi i Hyjit të Gjallë, Atij që jep jetë, përballë veprave të shumta të vdekjes, përballë mëkatit, egoizmit, mbylljes në vetvete. Jezusi mirëpret, do, larton, inkurajon, fal e dhuron forcë të re për të vijuar udhën, rijep jetë”.
E madhe është mëshira e Zotit, që fal gjithnjë, ritheksoi Papa Françesku:
“Hyji, i Gjalli, është mëshirëmadh. A jeni dakord? Të themi së bashku: Hyji, i Gjalli është i mëshirshëm! Të gjithë: Hyji, i Gjalli, është i mëshirshëm. Edhe një herë: Hyji, i Gjalli, është i mëshirshëm”.
E Shpirti Shentj është dhuratë e Krishtit të Ngjallur, që na prin në jetën hyjnore, si bij të vërtetë të Hyjit, vijoi Papa:
I krishteri është njeri shpirtëror, po kjo nuk do të thotë se jeton përmbi re, jashtë realitetit (si të ishte fantazmë). Jo! I krishteri është njeri, që mendon e vepron në jetën e përditshme sipas Hyjit; njeri, që e lëshon jetën e vet në dorë të Zotit, që të frymëzohet e të ushqehet nga Shpirti Shenjt, për të qenë, kështu, jetë e plotë, si e bijve të vërtetë. E kjo quhet realizëm e pjellori. Kush e lë Shpirtin Shenjt t’i prijë, është realist, di ta masë e ta vlerësojë realitetin, e është edhe pjellor: jeta e tij lind jetë rreth vetes”.
Por njeriu shpesh lëshohet në krahë të ideologjive e të logjikave të orientuara nga egoizmi, interesi, fitimi, pushteti, argëtimet, ideologji që nuk diktohen nga dashuria, nga kërkimi i së mirës për tjetrin, nënvizoi Papa:
“Është ëndrra e përhershme me sy hapur për ta ndërtuar qytetin e njeriut pa Zotin, pa jetën e dashurinë e Hyjit, për të ngritur një Kullë të re Babeli; është mendimi se përjashtimi i Zotit, i mesazhit të Krishtit, të Ungjillit, nga jeta, sjell lirinë, realizimin e plotë të njeriut. Rezultati është se Hyji i Gjallë zëvendësohet me idhuj njerëzorë e kalimtarë, që të dhurojnë dehjen e një çasti të vetëm lirie, por që, në fund të fundit, janë mbartës të skllavërisë e të vdekjes”.
Vetëm besimi në Hyjin e Gjallë na shpëton, tha në përfundim Ati i Shenjtë. E kjo fe na bën të lirë e të lumtur!








All the contents on this site are copyrighted ©.