2013-06-16 17:35:23

Në Engjëllin e Tënzot, Papa lutet për jetën e brishtë, të pambrojtur e të kërcënuar; kujton edhe të Lumin e ri, Odoardo Fokerini


Pas kremtimit eukaristik, kushtuar Ungjillit të Jetës, Papa Françesku kujtoi të Lumin e ri, shpallur dje në Karpi të Italisë e, sidomos, familjet dhe të gjithë ata, që mbrojnë jetën, duke u lutur posaçërisht për jetën e brishtë, të pambrojtur, të kërcënuar.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa citoi, pra, një dëshmitar të Ungjillit të jetës: Odoardo Fokerinin, burrë i martuar e baba i shtatë fëmijëve, që u shpall dje i Lum në Karpi, në Emilia Romanja:
“I arrestuar e i burgosur nga urrejtja për fenë e tij katolike, vdiq në kampin e përqendrimit të Hersbruck, në vitin 1944, në moshën 37 vjeçare. Shpëtoi një numër të madh hebrenjsh nga persekutimi nazist. Së bashku me Kishën në Karpi, ta falënderojmë Zotin për këtë dëshmitar të Ungjillit të Jetës”.
Papa Françesku iu lut Virgjërës Mari ...
“...duke ia besuar çdo jetë njerëzore, posaçërisht më të brishtën, më të pambrojturën, më të kërcënuarën, mbrojtjes së saj amtare”.
Më pas, falënderimi për ata, që mbrojnë ditë për ditë jetën e familjen:
“Ju falënderoj nga zemra ju, të gjithë, që erdhët në Romë nga të katër anët e Italisë e të botës, posaçërisht familjet, si dhe ata, që punojnë drejtpërdrejt për mbrojtjen e jetës. Përshëndes përzemërsisht 150 anëtarët e Shoqatës “Gravida Argentina” mbledhur në qytetin e Pilar. Faleminderit shumë për gjithçka bëni. Guxim e gjithnjë përpara!”.
Një përshëndetje të posaçme nga Papa, morën edhe pjesëmarrësit në takimin motoçiklistik Harley-Davidson si dhe në atë të Motoklubit të Policisë së Shtetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.