Më 14 qershor kalendari kujton shën Elizeun Profet
Sot më 14 qershor kalendari Kishtar përkujton shën Elizeun Profet. Elizeu, emri
i të cilit ka kuptimin “Zoti shpëton”, jetoi në Izrael në shekullin IX para Krishtit.
Zoti e zgjodhi të ndiqte Elinë, që e shuguroi, para se të zhdukej misteriozisht. Elizeu
mori pjesë aktive në ngjarjet më të rëndësishme politike të popullit të vet, përmes
dhantisë së profecisë, e mund të konsiderohet mrekullibërësi më i madh ndërmjet profetëve
të Besëlidhjes së Vjetër. Profet e jo shkrimtar, ashtu si mësuesi i tij, Elia, ai
mori pjesë në shqetësimet e izraelitëve gjatë luftës kundër moabitëve dhe kundër aramejve.
“Elia shkoi ta kërkonte Elizeun” – lexojmë në Librin e Mbretërve – e e gjeti duke
lëruar tokën; kishte para vetes dymbëdhjetë pendë qé; ai lëronte me pendën e dymbëdhjetë.
Si mbërriti tek ai, Elia i hodhi mantelin e vet. Atëherë Elizeu la qetë, vrapoi pas
Elisë e i tha: “Më lejo të shkoj për të përqafuar babain tim e nënën time, pastaj
do të të ndjek pas”. Elia iu përgjigj: “Shko e kthehu shpejt, sepse ti e di pse të
kërkova!”. Elizeu, duke u larguar, mori një pendë që e i theri; e zjeu mishin
me drurin e parmendës e ua dha ta hanin shokëve të punës. Pastaj e ndoqi pas Elinë,
duke u vënë në shërbim të tij. Me këtë gjest kuptimplotë, bujku i pasur deshi t’i
tregonte mësuesit të vet se ishte gati të hiqte dorë nga gjithçka, për t’iu përgjigjur
plotësisht misionit të tij profetik. Elizeu Profet vdiq rreth vitit 790 para Krishtit
dhe u varros pranë Samarisë, ku në kohën e Shën Jeronimit ishte ende varri i tij,
i cili më pas u dhunua nga Juliani apostat. Megjithatë, disa nga reliket e tij shpëtuan
dhe u mbartën në Aleksandri, në Kostandinopojë e Ravenë, ku nderohen edhe sot!