2013-06-14 18:24:35

Komiteti shqiptar i Helsinkit e monitorimi parazgjedhor


Gjatë monitorimit të periudhës parazgjedhore, Komiteti Shqiptar i Helsinkit përmes një konference për shtyp, pasqyroi disa gjetje që sipas tyre, shoqërojnë këtë proces.
Sipas KShH, dorëheqja e tre anëtarëve të KQZ-së dhe mosgjetja e konsensusit politik e ligjor për zëvendësimin e tyre, ka shkaktuar një situatë shqetësuese për KQZ-në, duke e bërë të pamundur marrjen e vendimeve të rëndësishme, që kërkojnë një kuorum dhe shumicë të cilësuar, pra 5 votat. Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se kjo situatë mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme e të rënda për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, cerifikimin e tyre dhe arritjen e standardeve të lira e të ndershme, ndaj duhet riparuar sa më parë.
Si një tjetër gjetje të monitorimit të periudhës parazgjedhore, KShH, evidenton mosrespektimin e ligjit që lidhet me të drejtat e zgjedhësve, siç është njoftimi me shkrim i tyre në banesë në lidhje me përfshirjen në listat e zgjedhësve dhe për qendrën e votimit ku duhet të votojnë.
Ndërkohë sipas tyre, listat përfundimtare të zgjedhësve duheshin shpallur në datë 20 maj 2013. Pas kësaj date, korrigjimet në listë mund të bëhen vetëm nga gjykatat e rretheve.
Gjithashtu shqetësuese për monitorimin e kryer, shfaqet dhe vendosja e disa qendrave të votimit në mjediset private.
KShH e shikon po ashtu të nevojshme të theksojë se fushata zgjedhore, ndonëse jo zyrtarisht, ka filluar 5-6 muaj më parë se afati i caktuar në ligj. Duke u bazuar në standardet e Kopenhagenit dhe legjislacionit vendas, propaganda zgjedhore duhet të jetë jo vetëm e ligjshme , por e tillë që të mos cënojë të drejtat e njeriut dhe gjithmonë në shërbim të informimit të drejtë të zgjedhësve.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në bashkëpunim me "Koalicionin për zgjedhje të lira të ndershme", programin e granteve të vogla të Ambasadës Amerikane, fondacionit Soros, po monitoron zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Monitorimi përfshin periudhën parazgjedhore, ditën e votimit dhe procesin e numërimit të votave.
Për këtë qëllim janë akredituar nga KQZ-ja 172 vëzhgues të KShH dhe rreth 460 vëzhgues të tjerë për llogari të organizatave partnere të koalicionit.
Dita e zgjedhjeve dhe numërimi i votave do të monitorohen në 9 qarqe të vendit, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier. (Atsh-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.