2013-06-13 15:16:39

Çelësi i fjalëve të Kishës: kushtetuta "Dei Verbum"


Në vazhdën e emisioneve kushtuar Koncilit II të Vatikanit, vazhdojmë t’ju njohim me kushtetutat, që dolën prej tij. Ato janë katër e tashmë, ju kemi folur për “Gaudium et Spes” (Gëzimi e Shpresa) dhe për “Lumen Gentium”, që do të thotë “Drita e Popujve”. Sot, do t’ju paraqesim kushtetutën konciliare “Dei Verbum” – Fjala e Zotit, e cila ka të bëjë me Zbulesën Hyjnore dhe me Shkrimin Shenjt.
Sipas ndokujt prej etërve konciliarë, kjo kushtetutë është themeli, baza e dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit. U miratua nga asembleja e ipeshkvijve me 2.344 vota pro e 6 kundër e më pas, u nënshkrua nga Papa Pali VI më 18 nëntor 1965.
Zotit, që u zbulua përmes Birit të Tij, duhet t’i bindemi me fe – shkruhet në kapitullin e 5-të të “Dei Verbum” – prandaj e lëshojmë krejtësisht veten në dorë të Tij. Për këtë nevojitet hiri e ndihma e Shpirtit Shenjt. Zoti mund të njihet përmes arsyes e përmes sendeve të krijuara prej Tij. Zbulesa e Hyjit është shkruar dhe i është përçuar apostujve e kjo Traditë apostolike vazhdon në Kishë me ndihmën e Shpirtit Shenjt. Magjisteri i Kishës, vazhdon kushtetuta, ka për detyrë ta interpretojë Fjalën e Zotit e besimtarët duhet të kenë mundësinë për ta njohur, lexuar e medituar Shkrimin Shenjt.
Deri në Koncilin II të Vatikanit, ishin të paktë, besimtarët që mund ta kuptonin Shkrimin Shenjt dhe liturgjinë, e cila lexohej e kremtohej në latinisht. Përdorimi i gjuhës kombëtare të çdo populli – reformë konciliare kjo – u dha të gjithëve mundësinë për ta dëgjuar Shkrimin Shenjt në gjuhën e tyre. Dikush e interpretoi këtë reformë si hap bashkohor, dikush si lëshim para botës moderne në dëm të Traditës e të përmbajtjes së Fjalës së Zotit, por Kisha Katolike, përmes Papëve dhe mendimtarëve të vet, ka theksuar gjithnjë se kumtimi i Ungjillit në gjuhën amtare nuk do të thotë të interpretohet ai lirisht e sipas dëshirës. Tradita dhe Mësimet e Kishës vazhdojnë të jenë pika e vetme e referimit për të vërtetat e fesë. Çdo besimtar i vërtetë e di se vetëm aty mund të gjejë elementet për kuptimin dhe interpretimin e drejtë të Ungjillit të Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.