2013-06-13 11:44:15

Para tre muajsh, zgjedhja e Papës Françesku. Gjestet e fjalët e tij, në intevistën me gazetaren Falaska


Mbushen sot tre muaj nga zgjedhja e Papës Françesku, më 13 marsin e kaluar. Tre muaj, jetuar me intensitet, me frymën e një ipeshkvi, i cili ecën së bashku me grigjën, që i është besuar. Për një reflektim mbi veprimtarinë e Atit të Shenjtë gjatë këtyre muajve, ia drejtuam mikrofonin një gazetareje të lidhur me miqësi të hershme me Horhe Mario Bergolion. Quhet Stefania Falaska, ta dëgjojmë:
Përshtypja e parë, pas tre muajsh, është se kemi hyrë në një rrugë, nga e cila nuk mund të kthehemi mbrapsht. Edhe vetë Papa Françesku thekson se “të kthehesh mbrapa” është tundim i fortë. Por, nëse shohim këto tre muaj, mund të them pa frikë se në gjestet, në fjalët që i përsërit, i ka qëndruar besnik emrit të zgjedhur, i cili është kaq simbolik për historinë e Kishës dhe do të thotë shndërrim i jetës, krishterim i jetuar e i dëshmuar me vërtetësi të thellë. Kësaj, po i shtoj diçka, që më mahnit: e shohim Papën të lëvizë gjithnjë me sigurinë e qetësinë, me të cilat – me guxim – di të përballojë edhe tema tepër delikate, siç bën me fjalët që thotë për pasurinë, si të Kishës, por edhe në përgjithësi, për gjithë botën. Po jep edhe një shembull të bukur maturie të krishterë, virtyt i atij që qeveris. Pse e them këtë? Sepse në të kundërt nga sa beson ndokush, maturia të nxit për veprim, maturia është virtyt dinamik, thoshte shën Toma…
Po përvijohet gjithnjë e më qartë ideja, që ka Papa Françesku për Kishën e Krishtit…
Papa Bergolio na ka dhënë imazhin e Kishës: ç’është e ç’nuk është Kishë. Nuk është Kishë, ajo që mbarset me shpirtin e botës, prandaj jeton me vetveten, nga vetvetja e për vetveten, dhe beson se ka dritë të vetën e i referohet vetëm vetvetes. Ndërsa Kisha e vërtetë shndrit jo nga drita e vet, por nga ajo e Krishtit. Papa përdor një imazh të mrekullueshëm, kur citon krahasimin, që i bënin Etërit e Kishës me hënën. Hëna nuk shkëlqen nga drita e vet, por pasqyron atë të Diellit. Kështu është Kisha. E ky perceptim i Kishës shprehet në Koncilin II të Vatikanit. Personalisht, besoj se në këtë horizont mund të gjejmë ndryshimet e reformat, që nevojiten për shpëtimin e shpirtrave. Urgjenca, që ndjejmë të gjithë, është të përfshihemi e të mbetemi brenda këtij imazhi të Kishës: kjo është perspektiva. Prandaj, na pëlqen të zhytemi në fjalët e gjestet e Papës Françesku.
Dëshmia jetësore e Atit të Shenjtë po jep frytet e veta. Njerëzit i kthehen lutjes. Sipas jush, cilat nga këto fryte do t’i qëndrojnë kohës?
Ato që shërbejnë për shpëtimin e shpirtrave. Papa Bergolio na merr për dore e na çon, ditë për ditë, brenda këtij horizonti, brenda Ungjillit të jetuar çdo ditë, të ndjerë si shok udhe nga njerëzit. Unë besoj se kjo është perspektiva, që do t’i qëndrojë kohës. E thoshte edhe teologu e kardinali francez Kongar: ajo që mbetet, edhe nga reformat e suksesshme të Kishës, ka gjithmonë të bëjë me nevojat konkrete të shpirtrave.







All the contents on this site are copyrighted ©.