Sot, më 13 qershor, Kisha katolike përkujton Shëna Ndoun e Padovës, meshtar françeskan
e Doktor i Kishës. Lindur në Portugali, njohu Shën Françeskun e Asizit e në saje të
mandatit të tij predikoi në Itali, ku shumë shpejt u bë i famshëm për holemitë e tij
të përqendruara mbi dashurinë e përvujtërinë e duke kritikuar ashpër hipokrizinë,
koprracinë e mendjemadhësinë. “Predikimi është i frytshëm atëherë kur flasin veprat”
– thoshte shëna Ndou duke këshilluar: “të merrnin fund, ju lutëm, fjalët, le të flasin
veprat”. Sot, Shëna Ndou apo Shën Antoni është i njohur në mbarë botën si “Shenjti
i Popullit” e “Taumaturg” – “Mrekullibërës”. E kudo në botë, posaçërisht në Padovë
të Italisë e Lisbonë të Portugalisë, po edhe ndër shqiptarë, Shën Antoni festohet
me nderim të posaçëm e me solemnitet të veçantë në Laç të Sebastes, në Gjakovë, në
Prishtinë, Glloxhan e vende tjera, ku mijëra besimtarë shtegtojnë në Kishat kushtuar
shenjtit në trojet shqiptare. Po të ndalemi te figura e këtij teologu të shquar
e këtij mësuesi shembullor të jetës baritore, që është Shën Antoni. Doktori
ungjillor, si e quajti Papa Piu XII Shën Antonin, lindi në Lisbonë, në gjirin e një
familjeje fisnike, rreth vitit 1195 e u pagëzua me emrin Fernand. Hyri ndër kanonikët
që ndiqnin rregullin e Shën Agostinit, së pari në kuvendin e Shën Vinçencit, në Lisbonë,
më pas, në Atë të Shëna Krygjës, në Koimbra, asokohe qendër e njohur kulturore e Portugalisë.
Iu kushtua me zell studimit të Biblës e të Etërve të Kishës, duke fituar atë shkencë
teologjike, të cilën më pas e vuri në jetë me fryt në veprimtarinë e mësimdhënies
e të predikimit. Në Koimbra ndodhi ngjarja, që do të shënonte kthesën e madhe të jetës
së tij: këtu, më 1220, u vendosën për nderim në elter, reliket e pesë misionarëve
të parë françeskanë, që kishin shkuar në Marok, ku ishin martirizuar. Fundi i jetës
tokësore të martirëve ngjalli në zemrën e Fernandit të ri dëshirën për të ecur në
gjurmët e tyre e për të përparuar në udhën e përsosurisë së krishterë. Lypi, atëherë,
të largohej nga Kononikët agostinanë e të bëhej vëlla i vogël. Kërkesa e tij u
pranua e, si mori emrin Anton, u nis edhe ai për në Marok, por Provania hyjnore
vendosi ndryshe. Pas një sëmundjeje të rëndë, u detyrua të rikthehej në Itali e, në
vitin 1221, mori pjesë në Kapitullin e famshëm të rrogozave, në Asizi, ku u takua
me Shën Françeskun. Më pas jetoi në heshtje të plotë, në një kuvend pranë Forlìsë,
në veri të Italisë, ku Zoti e thirri për një mision tjetër. I dërguar rastësisht
për të predikuar në shugurimin meshtarak të një sivëllait, tregoi se ishte i pajisur
me aftësi të shquara shkencore e me gojëtari të bindshme. Atëherë eprorët menduan
t’i kushtohej posaçërisht predikimit. E ai nisi, më parë në Itali e pastaj në Francë,
një veprimtari apostolike të dendur e të frytshme, përmes së cilës arriti t’i rikthejë
në gjirin e Kishës shumë njerëz, që ishin shkëputur prej saj. Antoni qe edhe një nga
mësuesit e parë të teologjisë të vëllezërve të vegjël, për të mos thënë i pari. Nisi
të japë mësim në Bolonjë, me bekimin e vetë Shën Françeskut i cili, duke i njohur
virtytet e Shenjtit të ardhshëm, i dërgoi një letër të shkurtër, që hapej me këto
fjalë: “Më pëlqen që u mëson teologji vëllezërve”. Antoni hodhi bazat e teologjisë
françeskane që, e kultivuar nga figura të tjera mendimtarësh të shquar, arriti majat
me Shën Bonaventurën nga Banjorexhio dhe me të Lumin Duns Skot. Si u bë Epror provincial
i Vëllezërve të vegjël françeskanë të Italisë veriore, vijoi të predikonte, pa hequr
dorë nga drejtimi i provincës, që i qe besuar. Pasi përfundoi detyrën e ngarkuar,
u tërhoq në Padovë, ku kishte shkuar edhe herë të tjera. Pas një viti, mbylli sytë
tek Portat e qytetit, më 13 qershor 1231. Padova, që e kishte pritur me entuziazëm
e dashuri në jetë, e bëri të vetin, me nderim e devocion, edhe pas vdekjes. Vetë
Papa Gregori IX, pasi e kishte dëgjuar duke predikuar, e quajti “Arka e Besëlidhjes”
dhe e shpalli shenjt vetëm një vit pasi ndërroi jetë, më 1232, pas mrekullive të mëdha,
që ndodhën me ndërmjetësimin e tij. Në periudhën e fundi të jetës, Antoni shkroi
dy cikle me titullin ‘Sermone’ (Predikime), të cilat i titulloi “Sermonet e së
dielës” dhe ‘Sermonet kushtuar shenjtorëve”, për përdorim nga predikatarët
dhe nga mësuesit e teologjisë të Urdhrit Françeskan. Aq të pasura në mësime shpirtërore
ishin këto dy vepra, sa Papa Piu XII, në vitin 1946, e shpalli Antonin “Dijetar i
Kishës”, duke i dhënë titullin “Doktor ungjillor”, sepse nga shkrimet e tij, që mund
t’i lexojmë edhe sot e kësaj dite, buron freskia e bukuria e Ungjillit.