Figura e Shën Antonit të Padovës në fjalët e Benediktit XVI
Papa Benedikti XVI foli mbi figurën e Shën Antonit të Padovës në audiencën e përgjithshme
të 10 shkurtit 2010 Gjatë katekizmit, të audiencës së përgjithshme të së mërkurës
së 10 shkurtit 2010, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Papa i nderit Benedikti
XVI ia kushtoi katekizmin Shën Antonit të Padovës, bashkëkohës i Shën Françeskut,
të cilin Ati i Shenjtë Ratcinger e quajti “Një nga shenjtorët më popullorë të Kishës
së gjithmbarshme”. Benedikti XVI kujtoi kryesisht mësimet e këtij Shenjti, tejet të
nderuar nga besimtarët katolikë, kushtuar lutjes, parë si lidhje dashurie e si bisedë
e përzemërt me Zotin. Kujtoi edhe bamirësinë e tij të mirënjohur, që gjen shprehjen
në përbujtjen e të varfërve e në bindjen se do të jenë pikërisht të varfëritë ata,
që do të na mikpresin në Qiell. Mësim me vlerë – theksoi Benedikti XVI – sidomos për
kohën tonë, të tronditur nga kriza ekonomike. Më pas, duke kujtuar aftësinë e shën
Antonit si predikatar, i ftoi meshtarët t’i përgatisin me kujdes të madh homelitë
- predikimet, për ta paraqitur nëmënyrë sa më të kuptueshme eprekëse,
bukurinë e amshuar të Krishtit.
Lisbona ishte vendlindja e tij tokësore, ndërsa
Padova, vendi prej nga u nis për në qiell. Ndërmjet këtyre poleve gjeografike, që
u bënë në shekuj simbole universale të Shenjtit, e kaloi jetën njerëzore e shpirtërore
Antoni i Padovës (emër, që në shqip, mori trajtën Ndue), njeri i pajisur me shkencë,
doktrinë e gojëtari të krishterë aq, sa të ngarkohej nga eprorët françeskanë me detyrën
që t’i kushtohej kryesisht predikimeve. Shkrimet e tij - vërejti Benedikti XVI -
janë plot me freskinë dhe me bukurinë e Ungjillit deri në atë masë, sa edhe sot e
kësaj dite, mase 800 vjet pas vdekjes së tij, mund t’i lexojmë me të njëjtin përfitim
shpirtëror. E jo vetëm. Shën Antoni i Padovës, që deshi të bëhej vëlla i vogël e
që në vitin 1221 njohu personalisht Shën Françeskun në Kapitullin e famshëm të rrogozave,
ishte ai që, me dhantitë e spikatura të mençurisë, të drejtpeshimit e të zellit apostolik
– shpjegoi Benedikti – dha një ndihmesë të shquar në zhvillimin e përshpirtërisë françeskane.
Por në predikimet e tij vërehet edhe një cilësi tjetër themelore, ajo e afshit mistik: “Në
këto Sermone, apo predikime, Shën Antoni flet për lutjen, si për një lidhje dashurie,
që e shtyn njeriun të bisedojë ëmbëlsisht me Zotin, duke provuar një gëzim të papërshkrueshëm,
i cili e mbush plot shpirtin, që lutet. Antoni na kujton se njeriu që lutet, ka nevojë
për një atmosferë heshtjeje, e cila nuk përkon me shkëputjen nga zhurma e jashtme,
por është përvojë shpirtërore, që synon ta largojë njeriun nga hutimet e shkaktuara
prej shqetësimeve të shpirtit, duke krijuar heshtjen e vetë shpirtit”. Në
këtë rrugëtim të mirëfilltë të jetës së krishterë, të cilin Shenjti e propozon me
mësimet e tij, lutja krijon mundësitë që Zoti të hyjë në sferën e ndjenjave, të vullnetit,
të zemrës, duke ndjekur katër rrugë, të cilat Benedikti XVI i nënvizoi për besimtarët
e sotëm: “T’ ia hapim plot besim zemrën tonë Zotit: ky është hapi
i parë i lutjes; jo vetëm ta dëgjojmë fjalën, por ta hapim zemrën në praninë e Zotit;
pastaj të bisedojmë përzemërsisht me Të, duke e ndjerë të pranishëm në shpirt; më
pas- gjë shumë e natyrshme – t’ia paraqesim nevojat tona; e, së fundi, ta lavdërojmë
e ta falënderojmë”. Në kohën kur jetoi Shenjti i Mrekullive, pra Shën Antoni,
dëshira për t’u lutur Zotit ishte zbehur ndjeshëm. Qytetet dhe tregtitë, që nisën
të lulëzojnë përsëri në fillim të shekullit të 13-të, flasin edhe për rritjen e
numrit të njerëzve të pandjeshëm ndaj nevojave të të varfërve: “Antoni më
se një herë i ftoi njerëzit të mendojnë për pasurinë e vërtetë, atë të zemrës, që
na bën të mirë e të mëshirshëm e na ndihmon të mbledhim thesare për Qiell (…). Thua
s’është ky, miq të dashur, një mësim tejet i rëndësishëm edhe për sot, kur kriza financiare
dhe humbja e ekuilibrit ekonomik shkaktojnë varfërimin e shumë njerëzve dhe krijojnë
kushte mjerimi? Në Enciklikën time “Caritas in Veritate” kujtoj: “Që të funksionojë
në mënyrë korrekte, ekonomia ka nevojë për etikë, jo për çfarëdolloj etike, por për
një etikë që është mike e njeriut”. Dishepull i Shën Françeskut, Antoni
e vuri Krishtin në qendër të thirrjes e të apostullimit të tij. Përveç kësaj - shtoi
Benedikti XVI – për Antonin është themelor kundrimi i Kryqit, që mbetet po aq i rëndësishëm
edhe për kulturën bashkëkohore: “Vegimi i Kryqit i frymëzon Antonit mendime
mirënjohjeje për Zotin e nderimi për njeriun; kështu të gjithë, besimtarë e jo besimtarë,
mund të gjejnë tek i Kryqëzuari e tek simboli i tij, një domethënie, që ta pasuron
jetën (…) Në këtë mënyrë, i tërë dinjiteti njerëzor duket në pasqyrën e Kryqit e
shikimi i ngulur drejt tij, është gjithnjë burim i njohjes së këtij dinjiteti”. Nga
një predikatar i shquar, si Shën Andou i Padovës, mendimi i Benediktit XVI shkoi tek
ata, që kanë sot detyrën për t’i komunikuar bazat e fesë me zell e energji, por në
mënyrë të kuptueshme e të paharrueshme. Benedikti XVI e përfundoi katekizmin e 10
shkurtit 2010 duke e nxitur klerin, të jetë i zellshëm në shërbimin e kumtimit
e në aktualizimin e Fjalës së Zotit para besimtarëve, posaçërisht – porositi Benedikti
XVI - përmes homelive liturgjike: “Ato të jenë paraqitje e bukurisë së amshuar
të Krishtit, pikërisht ashtu siç porosiste Shëna Ndou: “Në se predikon Krishtin, ai
i shkrin zemrat e ngurrëta; në se i lutesh, Ai i ëmbëlson tundimet e hidhura; në
se mendon për Të, ta mbush zemrën plot dritë; në se e lexon, Ai ta shuan etjen e
mendjes”.