Papa: të krishterët ta mundin tundimin për t’u zmbrapsur si dhe progresizmin adoleshent.
Nuk duhet të kemi frikë nga liria, që na e jep Shpirti Shenjt: këtë nënvizoi sot Papa
Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi
se në këtë çast Kisha duhet të ruhet nga dy tundime; tundimi për të shkuar mbrapa
e ai i progresizmit adoleshent. Në Meshë, bashkëkremtuar nga kardinali João Braz de
Aviz, mori pjesë edhe një grup meshtarësh, rregulltarësh e laikësh të Kongregatës
për Institutet e Jetës Rregulltare. Ndërmjet pjesëmarrësve, edhe kardinali Bernard
Agré.
“Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për të shlyer ligjin”. Papa Françesku
e zhvilloi homelinë duke u nisur nga këto fjalë të Jezusit drejtuar dishepujve. E
menjëherë pas, nënvizoi se ky fragment ungjillor, që vjen pas atij të Lumnive, flet
për ligjin e ri, më kërkues se ai i Moisiut. Ky ligj, vijoi Papa, është fryt i Besëlidhjes
e nuk mund të kuptohet pa të. Kjo Besëlidhje, vijoi, ky ligj, është i shenjtë, sepse
e çon popullin tek Hyji. E, më pas, e krahasoi këtë ligj me gonxhen, që shpërthen
e bëhet lule. Jezusi është shprehje e pjekurisë së ligjit, pohoi Papa, e shtoi se
Pali na flet për dy kohë, pa e këputur vazhdimësinë ndërmjet ligjit e historisë; ligjit
e Shpirtit Shenjt: “Ora e përmbushjes së ligjit, ora në të cilën ligji arrin
pjekurinë: është ajo e ligjit të Shpirtit Shenjt. Përparimit në këtë rrugë nuk i mungon
rreziku, por është e vetmja rrugë për të fituar pjekurinë, për të dalë nga kohët,
në të cilat nuk jemi të pjekur. Në këtë udhë kah pjekuria e ligjit, që vjen pikërisht
me predikimin e Jezusit, nuk mungon kurrë druajtja, druajtje e lirisë, që na jep Shpirti
Shenjt. Ligji i Shpirtit na bën të lirë! Kjo liri na tremb paksa, nga që druhemi se
mund ta ngatërrojmë lirinë e Shpirtit, me ndonjë liri tjetër njerëzore”. Ligji
i Shpirtit, vijoi Papa, na çon në rrugën e përpjekjes së vazhdueshme për të bërë
vullnetin e Zotit. E kjo na tremb. Frika buron nga dy tundime: tundimi i parë është
për t’u kthyer mbrapa, për të pohuar se mund të shkojmë deri aty e nuk mund të ecim
më përpara; se, në fund të fundit, duhet të ndalemi aty ku arritëm. Ky është tundimi,
që buron nga frika prej lirisë, nga druajtja prej Shpirtit Shenjt. Një frikë, e cila
na kujton se është më mirë të ecim në rrugë të sigurt. Për ta sqaruar këtë mendim,
Papa tregoi historinë e një eprori të përgjithshëm që, në vitet ’30, kishte mbledhur
për rregulltarët e vet, të gjitha porositë që duheshin respektuar, për të mos iu kundërvënë
karizmës. Punë që vijonte prej vitesh. Pastaj kishte shkuar të takonte, në Romë, një
abat benediktin i cili, si e dëgjoi këtë fakt, i tha se kështu, në fund të fundit,
e kishte vrarë karizmën e Kongregatës së tij, kishte vrarë lirinë, duke harruar se
karizma jep fryte në liri, e ai i kishte vënë prita karizmës: “Ky është tundimi
për të ecur mbrapa, sepse jemi më të sigurt kur zmbrapemi: po sigurinë e plotë mund
ta gjejmë vetëm në Shpirtin Shenjt, që të çon gjithnjë përpara, të jep besim – siç
thotë Pali – sepse Shpirti Shenjt është kërkues, na kujton fjalët e Jezusit: ‘Me
të vërtetë me të vërtetë po ju them: s’erdha ta shlyej, por ta përkryej ligjin: derisa
të jetë qielli e toka, asnjë gërmë e asnjë presje nuk do t’i hiqet ligjit, por do
të zbatohen të gjitha’. Është më kërkues! Por nuk na a jep sigurinë njerëzore. Nuk
mund ta kontrollojmë Shpirtin Shenjt: ky është problemi. E ky, edhe tundimi”.
E
pastaj, vijoi Papa, është edhe tundimi i ‘progresizmit adoleshent” për të dalë prej
udhe. Për të parë një kulturë e për të mos qenë shumë të shkëputur prej saj: “Marrim
pak këtu, pak atje nga vlerat e kulturave. Duan ta bëjnë këtë ligj? Përpara me këtë
ligj! Duan të shkojnë përpara me këtë? E zgjërojnë pakëz rrugën. Në fund shihet se
nuk është progresizëm i vërtetë. Është progresizëm adoleshent: si adoleshentët, që
duan ta kenë gjithçka me entuziazmin e moshës e në fund? Rrëshqitet... Sepse kur rruga
është e shtruar me akull, makina rrëshqet e del jashtë udhe... Është ky tundimi tjetër,
në këtë çast. Ne, në këtë çast të historisë së Kishës, nuk mund të shkojmë as përmbrapa
e as të dalim jashtë udhe”. Rruga, vijoi Papa, është ajo e lirisë së Shpirtit
Shenjt, që na bën të lirë, në përpjekjen për ta dalluar vazhdimisht vullnetin e Zotit,
për të ecur përpara, pa u zmbrapsur e pa dalë jashtë rruge. T’ia lypim Zotit, përfundoi
Papa, hirin që të na japë Shpirtin Shenjt, për të ecur përpara”.