2013-06-12 17:39:13

Papa Françesku për punën e të miturve: mjerë ai, që mbyt shpresën e paqen e fëmijëve


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, duke kujtuar se sot kremtohej Dita kundër punës të të miturve, Papa Françesku u ndalua mbi këtë fenomen. Është plagë e pashëruar, kujtoi Ati i Shenjtë, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare.

“Këta njerëz, në vend që t’u krijojnë fëmijëve kushte për të luajtur, i kthejnë në skllevër”. Është britmë dhimbjeje, kjo e Papës Françesku, që përshkroi si shfrytëzohen fëmijët për punë shtëpijake, temë kjo, mbi të cilën përqendrohet Dita kundër punës së të miturve. E, duke iu drejtuar institucioneve ndërkombëtare, Ati i Shenjtë kujtoi përpjestimet në rritje të kësaj plage:
“ Është fenomen i dënueshëm, në rritje të vazhdueshme, posaçërisht në vendet e varfëra. Janë miliona të mitur, sidomos vajza të vogla, viktima të kësaj forme të fshehur të shfrytëzimit, që arrin shpesh deri në shpërdorime, keqtrajtime e diskriminime. Është skllavëri e vërtetë, kjo! Uroj me gjithë zemër që bashkësia ndërkombëtare të marrë masat e nevojshme për shërimin e kësaj plage të mirëfilltë. Të gjithë fëmijët duhet të kenë mundësi të luajnë, të studiojnë, të luten e të rriten në familjet e tyre...”.
Sipas të dhënave të Unicef-it, më se 150 milionë fëmijë, në moshën 5 deri në 14 vjeç, shfrytëzohen në forma të ndryshme të punës për të mitur. Për organizatën ndërkombëtare të punës (Oil), 15 milionë e gjysëm merren me punë shtëpiake. Për këtë plagë, që dhemb shumë, të dëgjojmë Rosela Panucon, përfaqësuese e organizatës jo qeveritare “Tokat e Njerëzve”, që na përshkruan situatën në Perù:

“Në zonat fshatare të Andeve jetojnë bashkësitë indiane, që prej kohe shikohen si qytetarë të kategorisë së dytë. Ka pak shkolla, kështu, për të ndjekur shkollat e mesme e të larta, fëmijët duhet të shkojnë në qytete. Shpesh ky kalim është tejet i rrezikshëm, sepse vajzat u besohen familjeve të të njohurve e përfundojnë në shërbëtore, shfrytëzohen për punë shtëpiake. Natyrisht, pa kurrfarë pagese. Puna i pengon të shkojnë në shkollë. Izolohen plotësisht, duke humbur edhe lidhjet me familjet”.
Edhe fenomene si ky, kujtoi Ati i Shenjtë, duke bërë thirrje:
Një fëmijëri e qetë u krijon fëmijëve mundësinë ta shikojnë me besim jetën e të nesërmen. Mjerë kush mbyt në shpirtin e tyre hovin gazmor të shpresës”.

Një shenjë shprese është, për shembull, historia e Xheniferit, që vjen nga Peruja, me të cilën flet përsëri, Rosela Panuco:

“Kishte mbetur jetime si nga babai, ashtu edhe nga e ëma. Gjyshërit ishin tepër të moshuar, kështu nuk qenë në gjendje të merreshin me të. Vajza jetonte falë mëshirës së njerëzve përqark, kulloste delet e ishte në rrezik të bëhej pre e gjithkujt. Shoqata ‘Tokat e Njerëzve’ i pyeti ata, që kishin mbetur nga familja e Xheniferit në se ishte më mirë që vajza të jetonte në qendrën Kuzko e, prej këndej, të dërgohej edhe në shkollë.
Xheniferi sot është 14 vjeçe, mëson në shkollë e shpreson se nuk do të jetojë kurrë më në kushtet e varfërisë e të shfrytëzimit, kushte në të cilat vijojnë të jetojnë, me pak shpresa për të shpëtuar, shumë nga bashkëmoshtarët e saj”.

Prej këndej, thirrja e Papës: “Mjerë kush i katandis fëmijët në gjendje skllavi, në moshën shpresave e të lojrave”.







All the contents on this site are copyrighted ©.