2013-06-12 14:51:55

Ndeshje në Stamboll. Sot takimi ndërmjet manifestuesve e kryeministrit turk


Nuk ndalet dhuna në sheshin Taksim, në qendër të Stambollit, pasi kryeministri turk Rexhep Tajip Erdoan vendosi të ndërhyjë me forcë kundër qindra mijëra protestuesve, që kërkojnë dorëheqjen e tij. Tetë orë guerrilje, me policinë e manifestuesit, që krijuan dy blloqe kompakte. Së fundi, sheshin e mori në dorë ushtria, ndërsa protestuesit u grumbulluan në parkun fqinjë Gezi, ku qeveria do të shkulë pemët, për të ndërtuar një qendër tregtare. Kujtojmë se kjo qe arsyeja, ose preteksti, për fillimin e manifestimeve.
Që dje, SHBA-të kërkuan respektimin e lirisë së shprehjes, e sot, zërit të Shtëpisë së Bardhë iu shtua edhe ai i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun. Turqia po luan me fatet e saj, duke vënë në diskutim atë besueshmëri, që e ka ndërtuar me vështirësi e probleme të mëdha gjatë viteve, përmes një veprimtarie të ndërlikuar diplomatike. E nuk dihet sa do të vlejë takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit turk Erdoan dhe një grupi artistësh, akademikësh e studentësh nga sheshi. Që sot, “Platforma Taksim”, që mbledh 116 lëvizje, deklaroi se ata nuk janë delegatët e saj e s’kanë të bëjnë aspak me protestat. Manifestuesit e vërtetë nuk janë thirrur nga qeveria. Komenti i gazetarit turk, Dundar Kesapli:
Kryeministri Erdoan, sigurisht, ka bërë shumë gjëra të rëndësishme për Turqinë dhe popullsinë e saj, por nuk mund të thuhet së është i përsosur. Në asnjë vend të botës nuk mund të pretendohet se institucionet e qeveria janë të përsosura. Pa dyshim, mungon diçka. Sidomos, ndërhyrja e policisë turke qe e rëndë. E këtë duhet ta nënvizojmë fort. Gabuan rëndë e kush gabon, pagon. Realiteti turk, fatkeqësisht, është tashmë konfliktual e atmosfera, që përjetohet në vend, nuk është aspak e qetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.