Kryesia e Clar shpreh keqardhjen për botimin e përmbledhjes së bisedimit me Papën
“Takimi i Atit të Shenjtë me anëtarët e kryesisë së Clar (Konferenca latinoamerikane
e rregulltarëve) ishte me karakter privat. Nuk kam, prandaj, asnjë deklaratë për të
bërë lidhur me përmbajtjen e bisedimit”. Këtë pohon, në një njoftim gojor, drejtori
i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, lidhur me botimin, në një
kanal kilian interneti, të tekstit të bisedës së Papës me disa anëtarë të Clar, më
6 qershor, në Vatikan. Ndërkaq, kryesia e Clar ankohet thellësisht për botimin
e tekstit, duke shtuar se biseda u bë pas pyetjeve të Papës drejtuar rregulltarëve
të pranishëm. Prej këndej, nuk pati asnjë lloj regjistrimi të saj, por pak më vonë
u hartua një përmbledhje, sipas kujtimeve të pjesëmarrësve. E kjo përmbledhje nuk
i përfshin pyetjet e Atit të Shenjtë, vihet në dukje, sepse u shkrua vetëm për t’u
ruajtur si kujtim për pjesëmarrësit e, në asnjë mënyrë, për botim. Është e qartë,
prandaj, se nuk mund të cilësohen si të Atit të Shenjtë disa shprehje, që përmban
teksti, në të cilin biseda përshkruhet në përgjithësi. Kryesia e Clar, përfundon nota,
shpreh keqardhjen e thellë për këtë ngjarje dhe për pështjellimin, që mundi të shkaktojë.