Akuza ndërmjet dy Koreve. Nuk mbahet takimi për paqen
Bisedimet për paqen ndërmjet dy Koreve, që do të mbaheshin sot në kryeqytetin koreanojugor,
nuk u zhvilluan për shkak të “qëndrimeve të papajtueshme” mbi përbërjen e delegacioneve.
Sot, njofton agjencia Azianjuz, Piongjangu nuk iu përgjigj telefonatës së përditshme
në “linjën e kuqe”, kontakti i fundit ndërmjet dy pjesëve të gadishullit korean. Të
dyja qeveritë akuzojnë njëra-tjetrën për anullimin e takimit, gjatë të cilit, do të
diskutohej për rihapjen e kompleksit industrial të përbashkët Kaeseong, si edhe për
rifillimin e takimit ndërmjet familjeve të ndara nga Lufta e Koresë. Sipas analistëve,
pavarësisht nga mosmarrëveshja për emrat e personave, që do të merrnin pjesë në delegacione,
problemi i vërtetë qëndron në faktin se në delegacionin koreanoverior nuk kishte asnjë
ushtarak. Kjo do të intepretohej si dobësi e regjimit stalinist të Kim Jong-un, prandaj
do të shkaktonte ndeshje ndërmjet fraksioneve të ndryshme komuniste në Veri. Marrëdhëniet
ndërmjet dy Koreve arritën kulmin negativ marsin e kaluar, kur stërvitja ushtarake
e përbashkët e Uashingtonit dhe e Seulit (lajmëruar që një vit më parë) u interpretua
nga Piongjangu si “provokim e provë e përgjithshme sulmi kundër Veriut”. Ndërkaq,
Këshilli i Sigurimit i OKB-së pati votuar me unanimitet, pra edhe me votën e Kinës,
një sërë sanksionesh ekonomike, për ta dënuar regjimin për provat bërthamore të 12
shkurtit. Këto rezoluta dhe izolimi pothuaj i plotë po e shkatërrojnë krejtësisht
ekonominë e brishtë të Koresë së Veriut. Pa marrëdhëniet me Kinën, regjimi do të kishte
rënë prej kohësh.