2013-06-11 10:43:26

Të premten e ardhshme, takimi i Papës Françesku me primatin anglikan Uellbi


Takim, për t’u njohur personalisht e për t’u lutur për herë të parë së bashku. Do të kalojë kështu audienca e Papës Françesku me kryeipeshkvin e Kanterburit, Xhastin Uellbi, primat i Kishës anglikane, të premten e ardhshme. Në një komunikatë të Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, saktësohet se kreu i Bashkësisë anglikane do të vizitojë varrin e Shën Pjetrit poshtë Bazilikës e, duke plotësuar një dëshirë të tij të veçantë, do të ndalohet për t’u lutur edhe pranë varrit të të Lumit Gjon Pali II. Folëm, për këtë ngjarje, me imzot Mark Langam, i ngarkuar i posaçëm i dikasterit vatikanas për marrëdhëniet me anglikanët:
Përgjigje: - Do të jetë, për ta, posaçërisht çast takimi, gjatë të cilit do të mund të përfitojnë për t’u njohur pak më mirë. Do të jetë, pra, çast për shkëmbimin e informacioneve, për njohjen e programeve të tyre, për takimin, si njerëz të Zotit e prijës, që të dy, të të krishterëve në botë. Do të jetë, mendoj, çasti i parë i njohjes...

Pyetje: - Paraardhësit e tyre, Papa Benedikti dhe kryeipeshkvi Rouan Uiljams, ishin dy intelektualë të mëdhenj, dy teologë të shquar. Ndërsa dy prijësit, që do të takohen të premten, Papa Françesku e kryeipeshkvi Uellbi, të krijojnë përshtypjen e njerëzve, që përqendrohen, ndoshta, më shumë mbi aspektin praktik, janë njerëz të Kishës në mes të njerëzve.....

Përgjigje: - Po, vërtet. Më prek mendimi që, si kryeipeshkvi anglikan, ashtu edhe Ati i Shenjtë, kanë këtë kujdes të madh ndaj të varfërve, të braktisurve, ndaj të gjithë atyre, që kanë nevojë për ndihmën e Kishës. Për ta, misioni i Kishës është kryesisht të shkojë në skutat e jetës, atje ku banojnë të varfërit, për t’ua ndryshuar jetën. Për ta, feja nuk është gjë thjesht private, por forcë, që duhet t’ia ndryshojë faqen botës, duhet ta ndryshojë krejt shoqërinë. Kryeipeshkvi Uellbi ka përvojë të thellë lidhur me botën ekonomike: ai punon në Londër, në sistemin bankar. E prej këndej, interesi i tij përqendrohet kryesisht tek drejtësia në botën e financës. Prandaj mendoj se do të kenë tema të mëdha për të prekur e argumente të rëndësishme, për të diskutuar së bashku.

Pyetje: - Një pyetje, në plan ngushtësisht teologjik: ju sapo u kthyet nga sesioni i fundit i Arcic (The Anglican-Roman Catholic International Commission) që u mbajt në Brazil. Ç’mund të presim, në këtë plan: a ka pika ku mund të ketë progres të shpejtë?
Përgjigje: - Nuk do të ketë zhvillime ose të papritura të shpejta, sipas mendimit tim. Është një çast reflektimi, thellimi në dialogun tonë. Mendojmë se kemi shumë gjëra të përbashkëta: historinë, traditën, bazën teologjike. Por, në një farë çasti, vërehet edhe ndryshimi. Ndryshon mënyra si i përdorim këto themele të përbashkëta, Shkrimin Shenjt, traditën e përbashkët... Prandaj them se duhet të bëjmë pyetje pikërisht për mënyrën si i përdorim, si e lexojmë Shkrimin Shenjt, me ç’sy e shikojmë traditën e përbashkët. Pra, diskutohet për mekanizmat, mbi bazën e të cilave marrim edhe vendime të caktuara e për drejtimet, në të cilat ndryshojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.