2013-06-11 13:13:18

Papa: një Kishë e pasur është e plakur, Ungjilli kumtohet falas


Ungjilli duhet kumtuar me thjeshtësi e pa pritur shpërblim: këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë theksoi se nëse Kisha e dëshmon varfërinë e vet shpëton nga kthimi në organizatore e ndërtuese e thjeshtë veprash, sado të mira e të vyera të jenë ato. Kur duam ta bëjmë të pasur Kishën, e plakim atë, i marrim jetën.
“Mos e ngjishni brezin as me ar, as me argjend, as me të holla bakri”. Në Ungjillin e sotëm, kështu u thotë Jezusi Apostujve, të cilët i dërgon të kumtojnë Mbretërinë e Hyjit. Zoti dëshiron që ky kumtim të bëhet sa më thjeshtë, nënvizoi Papa Françesku. Është kumtim, që i lë vendin pushtetit të Fjalës së Zotit. Vërtet Jezusi u thotë Apostujve: “Falas morët, falas edhe jepni”. Gjithçka, theksoi Ati i Shenjtë, na jepet për hir të Zotit e kur duam të bëjmë ndryshe, duke e harruar Hirin e Tënzot e duke e lënë mënjanë, Ungjilli nuk sjell fryte:
“Predikimi ungjillor lind nga kumtimi pa shpërblim, nga mahnitja para shëlbimit që vjen. Gjithçka kam marrë falas, duhet ta jap falas. E në fillim, kështu ishte. Shën Pjetri nuk kishte ndonjë llogari në bankë e, kur i duhej të paguante taksat, Zoti e çoi në det të peshkonte e ta gjente monedhën brenda peshkut, për të paguar. Filipi, kur u takua me ministrin e ekonomisë të mbretëreshës Kandace, nuk mendoi: ‘Ah, mirë, po bëjmë një organizatë për përkrahjen e Ungjillit…’ Jo! Nuk bëri ndonjë ‘allishverish’ me të: kumtoi, pagëzoi e shkoi”.
Mbretëria e Zotit, vazhdoi Papa Bergolio, është dhuratë, falas. Por që në fillimet e krishterimit, bashkësia e krishterë është tunduar ta gjejë forcën e vet jo në këtë vlerë, por gjetiu. Edhe sot, ndodh kjo në Kishë e ky tundim krijon turbullim, pasi kështu, kumtimi i Ungjillit ngjan me prozelitizmin e nuk është kjo udha, nënvizoi Ati i Shenjtë. Duke cituar Benediktin XVI, Papa theksoi se radhët e Kishës shtohen jo për hir të prozelitizmit, por sepse njerëzit tërhiqen prej saj. E forca tërheqëse e Kishës Katolike vjen nga dëshmia e atyre, që pa shpërblim, kumtojnë shëlbimin, që na është dhënë falas:
“Gjithçka është hir. Gjithçka. Cilat janë shenjat që tregojnë se një apostull e jeton këtë? Ka shumë, por po nënvizoj vetëm dy: e para, varfëria. Kumtimi i Ungjillit duhet të ecë në udhën e varfërisë. Ta dëshmojmë këtë varfëri: nuk kam pasuri, pasuria ime është vetëm dhurata, që më është dhënë, Zoti. Kjo dhuratë falas: kjo është pasuria jonë! E varfëria na shpëton nga kthimi në organizatorë, afaristë… Duhet të ecin përpara veprat e Kishës e, disa janë mjaft të ndërlikuara, por me zemrën e varfërisë, jo me zemrën e investimit, apo të afaristit, apo jo?”
Kisha, vazhdoi Papa, nuk është organizatë jo qeveritare. Është diçka tjetër, më e rëndësishme, që lind nga të qenët falas. Nga dhurata e marrë dhe e kumtuar falas. Pra, përsëriti Ati i Shenjtë, varfëria është njëra prej shenjave të kumtimit pa shpërblim të Ungjillit. Shenja tjetër është aftësia për t’i thurur lavde Hyjit. Edhe kjo është lutje falas: nuk kërkojmë, por falenderojmë:
“Këto të dyja janë shenjat se apostulli e përjeton dhurimin falas: varfëria dhe aftësia për t’i thurur lavde Zotit. E kur ndeshemi me apostuj, që duan ta bëjnë të pasur Kishën, pa dhurata falas e pa lavde, atëherë Kisha plaket, Kisha bëhet organizatë jo qeveritare, Kisha nuk ka më jetë. T’i lutemi sot Zotit ta njohim këtë dhuratë falas: ‘Falas kemi marrë, falas jepni’. Ta njohim këtë dhuratë të Zotit e ta predikojmë Ungjillin me këtë frymë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.