2013-06-11 10:43:54

Mrekullia e hosteve në Sri Lanka


Thellohet intoleranca fetare në Sri Lanka; një grup të panjohurish sulmoi kishën katolike të Shën Françesk Saverit, në Angulana, kryedioqeza e Kolombos. Sipas agjencisë AziaNjuz, vandalët thyen shtatoren e lashtë të Zojës së Bekuar e pastaj u sulën me tërbim kundër tabernakullit. E shkulën nga elteri, duke u përpjekur t’i japin zjarr Eukaristisë.
Ngjarja ndodhi më 5 qershor, rreth orës 22.00, por policia nuk i ka kapur ende shkaktarët e këtij sulmi kriminal. Prej disa muajsh në Sri Lanka po përsëriten sulmet kundër pakicave fetare, posaçërisht kundër të krishterëve e islamikëve. Në përgjithësi sulmet programohen nga grupet ekstremiste budiste (Bodu Bala Sena e Singala Ravaya), që luftojnë për mbrojtjen e popullsisë budiste e singaleze, e cila përbën shumicën e popullsisë, si dhe të fesë së saj. Sulmet e kësaj natyre janë gjë e re për këtë vend, ku rrallë herë vërehen ngjarje të tilla, me ngjyrime fetare. Besimtarët e kryedioqezës e shikojnë me keqardhje të thellë këtë sulm. Ndërsa janë thellësisht të prekur në shpirt nga mrekullia, që ndodhi gjatë sulmit. Kjo mrekulli, me vlerë për të gjithë besimtarët katolikë në botë, ua freskon shpirtin e u jep forcë për të vijuar më me guxim apostullimin e tyre.
Kur ishte kryer sulmi e sulmuesit qenë larguar, besimtarët e krishterë hynë në kishën e kthyer përmbys. Në mes të saj gjetën tabernakullin e shkulur nga elteri. Mbi të ishin derdhur 30 litra vajguri. Por, për çudi, hostet e shuguruara nuk kishin marrë flakë. Ishin aty, në tabernakull, të paprekura! Kjo, pohojnë disa besimtarë, përmes agjencisë AziaNjuz, është mrekulli. Është mesazh i Krishtit për mbarë shoqërinë njerëzore, e edhe për njerëzit, që kryejnë sulme të tilla. S’ka forcë në botë, që mund ta shkatërrojë Krishtin e dashurinë e Tij. Dashuria e Tij, e kryqëzuar një herë, ngadhënjeu mbi vdekjen. Nuk mund të digjet, prandaj. Sepse Zoti vdiq, hoqi dorë nga jeta e vet, për ne, e pastaj u ngjall. S’ka forcë në botë që mund ta zhdukë Krishtin!








All the contents on this site are copyrighted ©.