2013-06-10 16:36:09

Pritet ofensiva masive e regjimit sirian në Haleb. Në Liban, rritet tensioni


Regjimi sirian paralajmëron se kundër rebelëve në Haleb do të fillojë së shpejti një ofensivë masive. E konflikti e ngre gjithnjë e më tepër tensionin në Libanin fqinjë, ku shpërthejnë probleme të thella politike e fetare ndërmjet shiitëve e sunitëve, mbajtur gjithmonë nën hi. Dje, në Bejrut, u mbajt një manifestim kundër përfshirjes së hezbollahëve në konfliktin sirian. Njëri prej aktivistëve, kundër vendimit të së ashtuquajturës “Parti e Zotit”, u vra gjatë ndeshjeve, përpara ambasadës iraniane. Megjithëse militantë nga Libani, nisen për të shtuar radhët si të kryengritësve sirianë, ashtu edhe të ushtrisë së regjimit, përkrahja e hezbollahëve për al-Asadin është kundërshtuar si kurrë ndonjëherë, pas betejës së Kuzairit, simbol i fitores së aleancës së tyre me regjimin.
E në qytetin sirian të Halebit, ku ofensiva e Al-Asadit duket mjaft e afërt, dje, një grup islamik, i lidhur me Al Kaedën, vrau një 15-vjeçar mu përpara prindërve, për shkak të një komenti, që ata e quajtën blasfem. Ndërkaq, nga zona e Kuzairit, në perëndim të Sirisë, televizionet e gjithë botës tregojnë pamje shkatërrimi, sidomos kisha e xhamija të rrënuara. “Që prej një viti – pohon atë Simon Fadul, kreu i Karitasit të Libanit, në mikrofonin tonë – nuk kemi më lajme për bashkësinë e krishterë të zonës”:
Problemi i Kuzairit nuk është vetëm ai i kishave. Në Kuzair, krejt gjendja është tragjike, është shkatërrim i vërtetë: në zonat e luftës, shumë njerëz kanë mbetur viktima e shumë të tjerë kanë humbur pasurinë, shtëpinë, gjithçka. Shumë kanë arritur të ikin, ndërsa të tjerë janë bllokuar në Kuzair e kanë nevojë urgjente për ndihmë e ngushëllim. Nga lajmet mësojmë se bashkësia ndërkombëtare do t’u kërkojë palëve në konflikt lejen për të dërguar ushqime e gjëra të tjera, që njerëzit të mos vdesin urie. Kjo është gjendja në Kuzair, tragjedi e plotë… të shohim…
Cila është gjendja e të krishterëve në Siri? Ata, në të kaluarën, bashkëjetonin paqësisht me myslimanët…
Të krishterët vazhdojnë të jetojnë bashkë me myslimanët e nuk ka probleme përsa i përket bashkëjetesës. Nuk ka ndonjë persekutim të qëllimshëm kundër të krishterëve, por ka pasur sulme nga ana e disa fanatikëve: të krishterët vriten, ose rrëmbehen, janë marrë peng ipeshkvij e meshtarë. Por këto janë sulme nga ana e fraksioneve ekstremiste islamike, jo nga ana e popullsisë siriane. Sirianët jetojnë bashkë, të krishterë e myslimanë. Problem janë fondamentalistët!
E cila është situata e refugjatëve sirianë në Liban?
Është gjendje që po keqësohet vazhdimisht. Nevojat rriten çdo ditë e mundësia për t’i plotësuar pakësohet gjithnjë e më shumë. Shifrat fillojnë e bëhen tepër të mëdha: flasim për 2 milion e 400 mijë refugjatë në Liban! Janë tepër, shumë më tepër nga ç’mund të ndihmojmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.