2013-06-10 16:34:51

Imzot Tomazi në OKB: paqja, e drejtë e të gjithëve, bën të mundur zhvillimin njerëzor


“Paqja është një e drejtë, që duhet ta gëzojnë të gjithë dhe është kusht për zhvillimin e përgjithshëm njerëzor”. Kështu foli Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomazi, në sesionin e 23-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, me temë “E drejta për paqen”. “Paqja – theksoi prelati – është kushti, që mundëson të gjitha të drejtat e tjera. Nga ana tjetër, zbatimi i të drejtave themelore sjell paqen e vërtetë, bazuar në liri, drejtësi e vëllazërim”. Paqja, vazhdoi ai, nuk është mungesë lufte. Emri tjetër i saj është “zhvillim”, që do të thotë ndërtim shkollash, realizim strukturash shëndetësore, perspektiva për rininë.
Duke pasur parasysh lidhjet e krijuara në një botë të globalizuar, si kjo e sotmja, imzot Tomazi nënvizoi se nuk mund të garantohet paqja vetëm për një pjesë të botës, nëse nuk sigurohet edhe për pjesën tjetër. Botës, shtoi, nuk i mungojnë pasuritë, por vuan nga padrejtësia. Prandaj, sot, e kundërta e paqes, nuk është aq lufta, sa frika, emërues i përbashkët për të varfër e të pasur, për vende të zhvilluara e për vende në zhvillim. Luftë është edhe dështimi i njerëzve në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, iluzioni se mund të arrihet paqja, duke u shkaktuar të tjerëve vuajtje të papërshkrueshme. Shkatërrimi i tjetrit, do të thotë shkatërrim i humanitetit. Ndërsa, vlerat e paqes, më pak spektakolare, më të durueshme, me më tepër respekt për të tjerët, më të thjeshta, janë të afta të ndërtojnë një shoqëri, vërtet njerëzore. Në fund, imzot Tomazi shprehu vlerësimin e Selisë së Shenjtë për grupin ndërqeveritar, që po përpiqet të kodifikojë zyrtarisht të drejtën njerëzore për paqe, e cila, theksoi ai, shpresojmë t’i bashkojë të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.