2013-06-09 16:37:39

Videomesazh i Atit të Shenjtë në Sheshin e Katedrales së Milanos: “Dhjetë Urdhërimet e Tënzot, pohim për Dashurinë”.


Dhjetë Urdhërimet nuk janë kufizim i lirisë, por përgjigje pohuese, që i jepet Dashurisë, për ta mbrojtur njeriun e për t’i prirë drejt lirisë së vërtertë.”. Ky është filli i artë që përshkon gjithë mesazhin e Papës Françesku, 8 minuta i gjatë, transmetuar mbrëmjen e së shtunës në Sheshin e Katedrales së Milanos, në kuadrin e nismës; “10 Sheshe për 10 Urdhërimet”. Veprimtaria, organizuar nga Përtëritja në Shpirtin Shenjt, në bashkëpunim me Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e Ri dhe Konferencën ipeshkvnore italiane, në etapën e katërt milaneze, u përqendrua në Urdhërimin e tretë: “Shenjtno të dielën e ditën e festës”. Nisma, që kujtoi rëndësinë e kremtimit të së dielës në vatrën familjare, me të gjithë anëtarët së bashku, pati edhe synimin të nxiste dialogun ndërmjet realiteteve të ndryshme. Të pranishëm, kryeipeshkvi i Milanos, Anxhelo Skola e shumë autoritete të tjera civile e kishtare.

Fjala “Urdhërim” sot është jashtë mode, madje shikohet me sy të shtrembër nga njerëzit, që duan ta jetojnë lirinë pa asnjë kufi. Prej këndej niset videomesazhi i Papës, për të theksuar se në të vërtetë, ndërsa historia edhe kohët e fundit flet për tirani e për logjikë, që e rrënon njeriun, në emër të pushtetit e të fitimit, Dhjetë Urdhërimet vijnë nga një Zot, që i krijoi për dashuri:
“Besim në Zotin! Të besojmë në Të! Dhjetë Urdhërimet na tregojnë udhën që duhet përshkuar e janë edhe kod etik për ndërtimin e shoqërive të drejta, në përkim me dëshirat e vërteta të njeriut”.
Sa varfëri morale e materiale burojnë nga mospranimi i Zotit e nga zëvendësimi i Tij me gjithfarë idhujsh, theksoi Papa, duke i ftuar të gjithë të udhëhiqen pikërisht nga këto Dhjetë Fjalë, që të hapin para rrugën e lirisë, e cila përsoset përmes ligjit të Shpirtit Shenjt, shkruar jo mbi dy rrasa guri, por në zemrën njerëzore. Iu dhanë popullit të Izraelit mbi Malin Sinai pas çlirimit nga Egjipti. Rrugë, që duhej përshkuar, për të qenë gjithnjë të lirë. Rrugë, tha Papa, e skalitur në zemrën e njeriut. E ligj moral universal:
“Nuk duhet t’i shikojmë Dhjetë Urdhërimet si kufizime të lirisë, jo, nuk janë kufizime, por udhëzime për lirinë. Na mësojmë t’i rrimë larg skllavërisë në të cilën na flakin idhujt e shumtë, që i krijojmë ne vetë. E kemi provuar disa herë në histori e vijojmë ta provojmë edhe sot e kësaj dite”.
Dhjetë Urdhërimet, vijoi Papa, na mësojnë të jetojmë me respekt për njerëzit, duke e mundur etjen për pushtet, pasje, para; na mësojnë të jemi të ndershëm e të sinqertë në marrëdhëniet tona, ta ruajmë gjithësinë e ta ushqejmë Planetin me ideale të larta, të fisme, shpirtërore. Dhjetë Urdhërimet nuk janë vargoj, por ligj i Dashurisë. E ndërsa Mosiu u ngjit mbi mal për t’i marrë nga dora e Zotit rrasat e ligjit, Papa na kujton se Jezusi nuk ngjitet, por zbret, bëhet njeri si ne, për të na shpjeguar kuptimin e thellë të këtyre Dhjetë Fjalëve: Duaje Zotin me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë forcën, e të afërmin, si vetveten. Urdhërimi i dashurisë i përmbledh në vetvete të gjitha Urdhërimet, zemra e të cilave është pikërisht Dashuria, që vjen nga Zoti e i jep kuptim jetës. Na bën të jetojmë jo si skllevër, por si bij të vërtetë, frymëzon të gjitha marrëdhëniet: me Zotin, me vetveten e me të tjerët. Liri e vërtetë, vijoi të shpjegonte Papa, nuk është të ndjekim vetveten tonë shumë të dashur, pasionet tona të verbëra, por rrugën e dashurisë, rrugën e së mirës, në çdo situatë:
“Dhjetë Urdhërimet nuk janë himn kushtuar mohimit, por pohimit. ‘Po’-së, me të cilën i përgjigjemi Zotit, Dashurisë. E kur i them ‘po’ dashurisë’ i them ‘jo’ mungesës së Dashurisë. T’i rizbulojmë e t’i jetojmë Dhjetë Fjalët e Hyjit. T’u themi ‘po’ këtyre dhjetë udhëve të dashurisë, të përkryera nga Krishti, për ta mbrojtur njeriun e për t’i prirë drejt lirisë së vërtetë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.