Festë shenjtërie në Krakov. Lumnohen dy rregulltare: dhuruan jetën për të varfërit.
Një festë shenjtërie u kremtua sot në Krakov, ku u lumnuan dy rregulltare, që bënë
shumë për Polonisë e që Papa Françesku i kujtoi në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Janë
Nëna Sofia Czeska Maciejowska, themeluese e Kongregatës së Virgjërave të Paraqitjes
së Zojës në Tempull dhe motra Margherita Lucia Szewczyk, themeluese e Kongregatës
së Bijave të Zojës së Dhimbshme. Në kremtim, Papën e përfaqësonte kardinali Anxhelo
Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Ja si i paraqiti kardinali
Amato dy të Lumet e reja, duke nisur nga Nënë Sofia: “Nënë Sofia zgjodhi
misterin e paraqitjes në Tempull, si model për jetën e saj personale e Zojën, si pajtore
të veprës së saj”. E për Margeritën vuri në dukje se: “Si bijë
shpirtërore e Shën Françeskut të Asizit, e dinte se në këtë botë Jezusi bëhet i dukshëm
në radhë të parë në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të Tij. Gjunjëzohej vazhdimisht
para tabernakullit, e bindur se kur dëshirojmë shumë hire, duhet t’i bëjmë shumë vizita
Jezusit”. Mësimi themelor, që nxëmë nga dy të Lumet e reja, është shërbimi
falas ndaj të gjithëve e dëshira për të bërë vetëm mirë: “Shenjtorët i bëjnë
shumë mirë jo vetëm Kishës, por edhe shoqërisë. Ja trashëgimia, që na lënë ne të gjithëve
dy të Lumet e reja: të punojmë për të mirën e të bëjmë mirë. E bijave të tyre shpirtërore,
dy rregulltaret u lënë jo vetëm lumninë ungjillore të apostullimit të çmuar ndaj nevojtarëve,
por edhe sigurinë se karizma e Kongregatës së tyre është rrugë, që të çon në shenjtëri”.