2013-06-07 17:58:31

Shenjtorët e javës


E diel 9 qershor, Kisha katolike rifillon Liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën 10-të të kësaj kohe gjatë vitit liturgjik. Tekstet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj të diele të 10-të flasin për ringjalljen. Ungjilli flet për ringjalljen që Jezusi bëri në një fshat të Galilesë, Nain, atë të birit të vetëm të një vejushe të varfër. Kjo ringjallje flet për vet ngjalljen e Krishtit. Jezusi është “Zot”: është fjala e tij që jep sërish jetën. Në ringjalljen e djalit të një nëne vejushë, Jezusi zbulon fuqinë që e dëfton si Bir të Hyjit.
Gjithnjë më 9 qershor kalendari përkujton edhe shën Efremin, diakon e doktor i Kishës; shën Prekën e Feliçanin, martirë.

Të hënën më 10 qershor, kalendari kishtar kujton shën Landerikun, ipeshkëv i Parisit. Liturgjia e kësaj dite na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh e shpërblen gjithçka.

Të martën më 11 qershor, kalendari kujton shën Barnabën, Apostulli, që diti të kombinojë kulturën hebraike dhe atë helenistike, me të cilat u takua krishterimi, duhet të shërbejë si shembull që meriton të ndiqet. Në një shoqëri si jona, në të cilën bashkëjetojnë shumë kultura, nuk duhet harruar se çdo i krishterë e ka për detyrë t’ua kumtojë gjithë vëllezërve shëlbimin e Zotit.

Të mërkurën më 11 qershor kalendari përkujton shën Leonin III papë e shën Onufrin vetmitar, jeta e të cilëve u ndriçua gjithnjë nga drita e fytyrës së Zotit.

Të enjten më 13 qershor, bie festa e shëna Ndoun e Padovës.
Kështu më 13 qershor, në të gjitha vendet antoniane: nga Portugalia, në Padovë, e në trevat shqiptare: në Laç të Sebastes, në Gjakovë, Tuz, Gusi, Binçë, Gllogjan dhe Braticë, do të nderohet Shëna Ndou i Padovës, françeskan e doktor i Kishës. Jeta e tij na kujton se për të qenë i krishterë i vërtetë, nuk mjafton t’i pranosh urdhërimet e Tënzot; duhet t’i jetosh ditë për ditë, i frymëzuar nga Shpirti i jetës.

Të premten më 14 qershor kalendari kujton shën Viton martir, shën Bernardin nga Mentone, kanonik i rregullt i shën Agustinit dhe shën Gjermanen Kuzin, virgjër. Ne jemi populli i Zotit, këndon Psalmi i sotëm, grigja që Ai udhëheq.

Të shtunën më 15 qershor, kalendari kujton shën Kuirikun e shën Gjulieten, martirë. Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur e të shtypur, unë do t’ju ushqej, thotë Zoti. Mësoni prej meje që jam i butë e me zemër të përvuajt.

Të dielën e ardhshme më 16 qershor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 11-të gjatë vitit liturgjik, gjithnjë më 16 qershor kalendari kujton shenjtorët Biaxho e Diogjeni, martirë. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele do të na flas mbi faljen e Zotit. Siç rrëfen Ungjilli i kësaj së diele, Jezusi është në sofrën e një farizeu, e fal një grua mëkatare, që përballet me përçmimin, me përbuzjen nga ana e të pranishmëve në gosti, e cila tregon me gjeste të qarta vullnetin e vet për të shpëtuar. Mëshirë për ne o Zot, në mirësinë tënde të madhe shlyeji mëkatet tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.