Papa në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit: ta lëmë Zotin të na pushtojë me dashuri
Talësh Zotin të të dojë me gjithë dhembshurinë e tij, nuk është e lehtë:
por pikërisht këtë hir duhet t’ia kërkojmë: është porosia e Papës gjatë Meshës së
sotme në Kapelën e Shën Martës, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit. Ishte i pranishëm
personeli i Arkivit Sekret të Vatikanit. Me Papën bashkëkremtoi arkivisti i Kishës
Shenjte Romake, Zhan-Lui Brygè si dhe prefekti, imzot Serxho Pagano. Jezusi na
deshi shumë, jo me fjalë, por me vepra e me gjithë jetën e vet. Papa Françesku e kujtoi
këtë disa herë në homelinë e Meshës së sotme, kushtuar Solemnitetit të Zemrës së Krishtit,
që ai e quajti “Festa e Dashurisë” së një Zemre, që na deshi aq shumë. Dashuri e cila,
siç përsëriste Shën Injaci, shprehet më tepër me vepra, sesa me fjalë e që, sidomos,
di më shumë të japë, sesa të marrë. Këto dy kritere, theksoi Papa, janë dy shtyllat
e dashurisë së vërtetë. E është Bariu i Mirë, Ai, që e përfaqëson gjithë dashurinë
e Hyjit. Ai i njeh delet e veta një për një, sepse, shtoi Papa Françesku, dashuria
nuk është abstrakte, as e përgjithshme: është dashuri për secilin: “Dashuri
e një Zoti, që na afrohet për dashuri, ecën me popullin e vet e kjo ecje arrin në
një pikë të papërfytyrueshme. Nuk mund të mendohet kurrë që një Zot të bëhet një prej
nesh e të ecë përkrah nesh, të rrijë me ne, të rrijë në Kishën e vet, të rrijë në
Eukaristi, të rrijë në Fjalën e Tij, të rrijë në të varfërit, pranë e pranë deleve
të veta, të cilat i njeh një për një”. Duke shpjeguar fragmentin nga Libri
i Ezekielit Profet, Papa vuri theksin mbi një aspekt tjetër të dashurisë: kujdesin
për delen e humbur e për atë të plagosur e të sëmurë: “Dhembshuri! Zoti na do
me dhembshuri. Zoti e di mirë shkencën e bukur të përkëdheljeve, të dashurisë. Nuk
na do me fjalë. Na afrohet e na e jep këtë dashuri butësisht. Afërsi e dhembshuri!
Këto janë dy mënyrat e dashurisë së Zotit, që na vjen pranë e na e jep gjithë ngrohtësinë
e tij me gjëra edhe të vogla: me dhembshuri. E kjo është dashuri e fortë, sepse afërsia
e dhembshuria na bëjnë ta shikojmë forcën e dashurisë së Zotit”. “Po ju, a
më doni, ashtu si ju desha unë?”. Këtë pyetje bëri Papa Françesku, duke nënviziuar
se dashuria duhet t’i shkojë pranë të afërmit, duhet të jetë si ajo e Samaritanit
të Mirë e, posaçërisht, duhet të jetë afërsi plot dhembshuri. Por, si mund t’ia
shpërblejmë Zotit gjithë këtë dashuri? Ishte kjo, një pikë tjetër, mbi të cilën u
ndalua Papa. Pa dyshim, duke e dashur, duke jetuar pranë Tij, plot ndjeshmëri për
Të, por kjo nuk mjafton: “Kjo mund të duket herezi, por është e vërteta më e
madhe! Më vështirë se ta duash Zotin, është ta lësh të të dojë! Mënyra për t’i ridhënë
shumë dashuri, është t’ia hapësh zemrën e ta lesh të hyjë aty. Ta lësh të të afrohet,
ta ndjesh pranë. Ta lësh të jetë i ëmbël me ty, të të përkëdhelë! Kjo është shumë
e vështirë: ta lësh të të dojë! E është pikërisht ky hir, që duhet ta lypim në Meshën
sotme: ‘Zot, unë dëshiroj të të dua, por ma ma mëso shkencën e vështirë, zakonin e
vështirë, të ta hap zemrën, që Ti të më duash, ta ndjej afërsinë tënde e dhembushurinë
tënde. Zoti na e dhënë këtë hir!”.