2013-06-07 17:56:43

Dialogu i Papës me të rinjtë e shkollave të Jezuitëve: “Vështirësitë e botës së sotme, në krizë, e shpresa në Jezusin”.


Në takimin e sotëm me nxënësit e shkollave të Jezuitëve nga Italia e Shqipëria, Papa i inkurajoi të rinjtë, duke u folur për vështirësitë që vërehen në botën e sotme e duke nënvizuar përsëri se kriza, që po jetojmë në këto çaste, është krizë e njeriut, sepse sot njeriu nuk llogaritet. Llogariten vetëm paratë, vlen vetëm paraja. Prej këndej, njerëzimi duhet të çlirohet nga këto struktura ekonomike e shoqërore, që e skllavërojnë.
Të rinjtë ia plasën gazit, kur Papa, duke iu përgjigjur një djaloshi, që kishte emrin e Atit të Shenjtë, Françesk, pohoi se nuk ka qenë kurrë në Sicili, deri më sot, por se e njeh këtë vend të mrekullueshëm, në sajë të filmit Kaos, frymëzuar nga katër tregime të Pirandelos. Më pas u ndalua tek detyrat e të krishterëve, që merren me politikë, duke shpjeguar se duhet të punojnë për të mirën e përbashkët:
“Të merresh me politikë është detyrë; për të krishterin, është detyrë. Ne, të krishterët, nuk mund të luajmë rolin e Pilatit, të lajmë duart: nuk mundemi! Duhet të përzjehemi në politikë, sepse politika është një nga format më të larta të dashurisë së krishterë, mbasi është në kërkim të së mirës së përbashkët. E laikët e krishterë duhet të punojnë në fushën politike. Ju më thoni: ‘Kjo nuk është e lehtë’. Po as të bëhesh prift nuk është e lehtë. S’ka gjëra të kollajshme në jetë: jeta nuk është e lehtë. Politika është tepër e ndyrë, po unë të pyes: pse është e ndyrë? Pse të krishterët nuk kanë hyrë në të me frymën ungjillore? E lehtë t’i vësh fajin tjetrit. Po unë, ç’bëj unë? A e bëj detyrën time? Të punosh për të mirën e përbashkët, është detyrë e të krishterit. E shumë herë rruga për ta bërë këtë, është ajo e politikës”.
Pra Papa Françesku u foli drejtpërdrejt të rinjve për sëmundjet e shoqërisë, duke hyrë në zemër të njeriut:
“Mos lini njeri t’jua vjedhë shpresën. Ju lutem! Mos i lini t’jua vjedhin! E kush ta vjedh shpresën? Fryma e botës, pasuritë, shpirti i kotësisë, fodullëku, krenaria e kotë... të gjitha këto gjëra ta rrëmbejnë shpresën. Ku ta gjej shpresën? Në Jezusin e varfër! Në Jezusin, që u bë i varfër për ne. Varfëria na bën thirrje të hedhin farën e shpresës”.
Me forcë të veçantë, Papa kujtoi qendërsinë e përvojës:
“Nuk mund të flitet për varfëri, për varfëri abstrakte; kjo nuk ekziston! Varfëria është në Korpin e Krishtit të varfër, në fëmijën, që ka uri, në atë që është i sëmurë, në strukturat shoqërore të padrejta... Shkoni e shikoni atje Korpin e Krishtit. Po mos lejoni që mirëqenia, fryma e mirëqenies, t’jua grabisë shpresën e t’ju bëjë njerëz pa asnjë vlerë. I riu duhet të rendë pas idealeve të mëdha: kjo është këshilla. Po shpresën, ku ta gjej? Në Korpin e Krishtit të vuajtur e në varfëinë e vërtetë. Ka lidhje ndërmjet të dyjave”.Pastaj akoma këngë, duartrokitje, emocion, gëzim, në këtë takim të jashtëzakonshëm me të rinjtë e shkollave të jezuitëve në Itali e Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.