2013-06-06 13:56:49

Çelësi i fjalëve të Kishës: Kushtetuta dogmatike "Lumen Gentium"


Të dashur dëgjues, vazhdojmë emisionet tona kushtuar Koncilit II të Vatikanit. Javën e kaluar ju folëm për kushtetutën “Gaudium et Spes” (Gëzimi e Shpresa), një nga dokumentet më të rëndësishme konciliare, që e përgatitën Kishën Katolike për t’i kuptuar e interpretuar më mirë shenjat e kohës, në dritën e Ungjillit. Sot, do të flasim për një kushtetutë tjetër, ndër katër kushtetutat konciliare, për “Lumen Gentium”, që do të thotë “Drita e Popujve”.
Paraqitet në të doktrina katolike për Kishën, mënyra se si e kupton ajo vetveten, funksioni i saj shpirtëror e organizimi i saj. Por “Lumen Gentium” nuk flet për një kishë hierarkike, të përbërë nga papa, ipeshkvijtë, meshtarët e laikët, por për një kishë të konceptuar si “popull i Zotit”, për të cilin i jepet rëndësi pagëzimit, që bashkon të gjithë të krishterët.
Kisha, që përbëhet nga njerëzit, të cilët jetojnë në tokë, e Kisha e pasuruar me të mirat qiellore, nuk ndahet në dy realitete të ndryshme. Është një e vetme, njerëzore dhe hyjnore njëkohësisht. Ky është një nga pohimet më të bukura të kushtetutës, e cila e përvijon Kishën si shoqëri të dukshme nga njëra anë, dhe si Korp i mistershëm i Krishtit, nga ana tjetër. Zoti, thuhet në kapitullin e nëntë, deshi t’i shëlbojë njerëzit, duke zgjedhur një popull për t’i shërbyer Atij, popullin e Izraelit. Kisha tokësore, që e bën të pranishëm Krishtin sot, është e nevojshme për të arritur shëlbimin. Prandaj, në Kishë duhet të marrim pjesë me “zemër”, por edhe me “korp”.
I përket vërtet Kishës, thuhet në “Lumen Gentium”, ai që beson në të vërtetat e shpallura prej saj. E në kohën e sotme, kjo nuk është e lehtë. Nuk janë pak ata, që e quajnë veten besimtarë, por mendojnë se marrëdhëniet e tyre me Zotin janë thjesht çështje personale e nuk kanë nevojë për ndërmjetësimin e Kishës, e cila, nga ana e saj, përbëhet nga njerëz, edhe nga njerëz me kufizime e mëkate.
Por, nëse Krishti u bë njeri, vendosi Pjetrin në krye të Kishës, u dha apostujve detyrën për të ungjillëzuar botën dhe pohoi se do të jetë gjithnjë i pranishëm “aty ku dy o tre vetë mblidhen në emrin e Tij”, do të thotë se nuk ka fe të vërtetë, pa njohur e ndjekur Mësimet e Kishës e pa marrë pjesë në bashkësinë e krishterë. Feja nuk mund të reduktohet në mendime e ngjarje private e personale. Secili, në Kishë, duhet të jetë shenjë e mjet i Krishtit. Kjo është përgjegjësia e re, që u jep besimtarëve kushtetuta dogmatike “Lumen Gentium”, e cila përcakton edhe rolin e laikëve në Kishë, si bashkëpunëtorë të hierarkisë.
Laikët, thuhet në kapitullin 33 të Kushtetutës, duhet të kontribuojnë në përhapjen e mesazhit të krishterë në vendet ku jetojnë, në punë, në familje… Hierarkia mund t’i ngarkojë edhe me detyra kishtare. Besimtarët, vazhdon kushtetuta, duhet të dinë të dallojnë ndërmjet të drejtave e detyrave që kanë, si pjesë e Kishës dhe atyre që kanë, si pjesë e shoqërisë njerëzore. Edhe në veprimtarinë e përditshme, ata duhet të udhëhiqen nga ndërgjegjja e krishterë.
Me fe, ne pohojmë se Kisha është e shenjtë, prandaj, kushtetuta “Lumen Gentium” thekson me forcë se të gjithë jemi të thirrur për shenjtërimin e jetës, për t’u bërë shenjt. Kisha nuk është ndonjë shpikje e njeriut, prandaj askush nuk mund ta manipulojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.