Posa përfundoi muaji maj, kalendari na shpalosi 30 ditët e një muaji tjetër të përkushtuar:
qershorit, muaj tradicionalisht i lidhur me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, devocion
i përhapur në botën mbarë që prej katër shekujsh. Por cila është simbolika
e Zemrës së shenjtë të Krishtit? Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër
se devocion, është përshpirtëri. Është simbol që na tregon se Zoti është dashuri,
se Zoti – siç ka thënë Gjon Pali II në një nga enciklikat e veta më të bukura – është
i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq të munduar nga urrejtjet e konfliktet, është
mesazh tepër aktual e jashtëzakonisht ndërtimtar. E kur lindi ky devocion? Shumëkush mendon se devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të
gjashtëqindës në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria Alakok.
Dhe është e vërtetë që kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit
të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por edhe para saj,
Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit,
provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit
me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të përshpirtërisë së Zemrës
së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar
romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi
me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit
të mishëruar të Hyjit. Po ndoshta fjala nuk është e përshtatshme, por sidoqoftë
e vë në pah idenë: çfarë përfitimi shpirtëror kemi nga ky devocion? Përfitimi
i parë që kemi është se krijojmë një përfytyrim më të drejtë për Zotin, për Jezusin
e për jetën e krishterë. Të kuptosh se Zoti është dashuri, do të thotë t’i kapërcesh
format e sëmura të druajtjes; themi të sëmura, sepse ka edhe një druajtje shumë të
shëndoshë; pra, të kapërcesh një farë frike, një farë distance që nuk është e përshtatshme,
që Zoti nuk e do nga ne. E kam fjalën për formalizmin, për ndjekjen e praktikave të
rëndësishme fetare, si të ishin një taksë, që duhet paguar, një lejekalimi, për të
qenë në rregull me Zotin. Po kjo nuk është rruga e vërtetë e fesë, nuk është miqësia
e vërtetë me Zotin! Devocioni i Zemrës së Krishtit është i lidhur ngushtë edhe
me Apostullimin e Uratës… Përshpirtëria apo devocioni ndaj Zemrës së Krishtit
është pikërisht në qendër të Apostullimit të Uratës. E ka qenë që në zanafillën e
këtij devocioni, që i fton të gjithë besimtarët të mblidhen rreth Zemrës Hyjnore.