2013-06-06 13:26:15

Papa Françesku: të mos i lejojmë idhujt të ngrenë pengesa mes nesh e Zotit


Secili prej nesh ka idhuj të vegjël apo të mëdhenj, por udha e Zotit kalon përmes dashurisë vetëm për Të, siç na mëson Jezusi. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Si gjithnjë, u bazua në Ungjillin e ditës, që tregon për skribin, i cili përpiqet të sfidojë Krishtin, duke e pyetur për Urdhërimet e Tënzot. Jezusi i thotë Urdhërimin e parë, por pastaj nënvizon se i pari ndër të gjithë urdhërimet është “duaje tjetrin si vetveten”. Kur skribi e pranon këtë haptas, Jezusi i thotë: “Nuk je larg nga Mbretëria e Hyjit”. Është, tha Papa Françesku, sikur Jezusi t’i thoshte se skribi e dinte mirë teorinë, por i mungonte zbatimi i këtij urdhërimi në praktikë, dëshmia e tij në udhën e jetës:
“Nuk mjafton të thuash: ‘Unë besoj në Zotin, Hyji është i vetmi Zot’. Mirë, mirë, por si e jeton ti këtë në udhën e jetës? Sepse mund të themi edhe: ‘Zoti është i vetmi Hyj, nuk ka tjetër’, por të jetojmë sikur të mos ishte kështu e sikur të kishim në dispozicion hyjni të tjera… Pra, ekziston rreziku i idhujtarisë: idhujtari që vjen drejt nesh nga fryma e kësaj bote. Por Jezusi ishte mëse i qartë: fryma e botës, jo! E i kërkon Atit në Darkën e Mbrame të na mbrojë nga kjo frymë, që na çon drejt adhurimit të idhujve”.
“Idhujtaria – vazhdoi Papa Françesku – është e hollë”. Secili prej nesh ka idhuj, që fshihen në skutat e zemrës së vet. Udha për të shkuar drejt Mbretërisë së Hyjit, na bën t’i zbulojmë këta idhuj dalëngadalë e t’i luftojmë. Prania e idhujve të fshehur vihet në dukje që në Bibël, në episodin e Rakelës, gruas së Jakobit, e cila bën sikur nuk i ka me vete idhujt, që ka marrë nga shtëpia e të atit dhe i ka fshehur në shalën e devesë. Edhe ne i fshehim, theksoi Ati i Shenjtë, por duhet t’i kërkojmë e t’i shkatërrojmë:
“Besnikëria (ndaj Hyjit) na kërkon t’i largojmë idhujt, t’i zbulojmë: fshihen brenda personalitetit, në mënyrën e të jetuarit. Por këta idhuj të fshehur bëjnë të mos jemi besnikë në dashuri. Shën Jakobi Apostull, kur thotë ‘Kush është mik i botës, është armik i Zotit’, ia fillon duke ngritur zërin: ‘Kurorëthyes!’. Na qorton me fjalën ‘kurorëthyes’. Pse? Sepse kush është ‘mik’ i botës, është idhujtar, nuk i qëndron besnik dashurisë së Zotit! Udha për të mos qenë larg Mbretërisë së Hyjit, për të ecur drejt saj, është udhë e asaj besnikërie, që i ngjan dashurisë martesore”.
Si është e mundur të mos i qëndrojmë besnikë kësaj dashurie, pavarësisht nga idhujt, që mbajmë fshehur në zemra? – pyeti në fund Papa Françesku. Sepse është e nevojshme t’ia besojmë veten Krishtit, që është “besnikëria vetë” e “na do shumë”:
“Mund t’i lutemi sot Jezusit: ‘O Zot, ti që je kaq i mirë, ma trego udhën për të qenë çdo ditë, më pak larg Mbretërisë së Zotit, udhën për t’i hedhur poshtë të gjithë idhujt’. Është e vështirë, por duhet t’ia fillojmë… Idhujt e fshehur në sa e sa shalë devesh, që kemi brenda vetes, në mënyrën e jetesës: ta hedhim poshtë idhullin e përkatësisë në këtë botë, që na bën armiq të Zotit. T’ia kërkojmë këtë hir Jezusit, sot”.







All the contents on this site are copyrighted ©.