2013-06-05 13:04:39

Qeveria turke kërkon falje për dhunën, por protestat vazhdojnë në Stamboll e Ankara


Dita e gjashtë e protestave kundër qeverisë në Turqi. Zv.kryeministri Bulent Arinc, duke pasur parasysh faktet e Gezi Park, kërkoi falje në emër të ekzekutivit, sidomos – siç tha vetë – para atyre, që kanë pësuar dhunë këto ditë. Gjatë natës së djeshme, në Stamboll e në Ankara u përdor gazi lotsjellës dhe ndërhyri policia. Protestat, që filluan kundër prerjes së 600 pemëve në sheshin Taksim të Stambollit për të ndërtuar një qendër tregtare, u shndërruan në manifestime kundër qeverisë, pasi ajo shtypi brutalisht kryengritësit. Kryeministri Erdoan ndodhet në turne diplomatike në Veri të Afrikës, ndërsa në vend, ndeshjet me policinë kanë shkaktuar tre viktima.
Kisha Katolike fton për dialog. Gjatë 10 vjetëve të fundit, partia e kryeministrit Erdoan është përjekur të plotësojë kërkesat e myslimanizmit tradicionalist turk, pa rënë në prehrin e fondamentalizmit, pavarësisht se u ka dhënë një farë hapësire grupeve islamiste. Është e vërtetë se nuk ekziston opozita, prandaj, protestat mund të jenë “një sinjal alarmi”, që duhet ta shtyjë qeverinë drejt miratimit të normave më demokratike, por deri tani, pas tyre nuk shihet ndonjë alternativë e vërtetë politike. Kështu nënvizon vikari apostolik i Stambollit, imzot Louis Pelatre, për agjencinë katolike Fides, duke theksuar se Erdoan gëzon konsensus mjaft të gjerë për hir të qëndrueshmërisë dhe zhvillimit ekonomik, që ka ditur t’i sigurojë vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.