2013-06-05 13:04:20

Papa në audiencë të përgjithshme: t’i kundërvihemi kulturës së shpërdorimit, por sot sundojnë paratë, jo njeriu!


Foli posaçërisht për mbrojtjen e ambientit, në audiencën e sotme të përgjithshme ne Vatikan, Papa Françesku, në përkim edhe me Ditën Botërore, themeluar nga Kombet e Bashkuara, kushtuar pikërisht ambientit. Kjo ditë i kujton mbarë njerëzimit se duhet të luftojë kundër shpenzimeve të kota e shpërdorimit të gjithësisë.
Duke folur për ambientin, Ati i Shenjtë nuk mund të mos kujtonte faqet e para të Biblës. Shfletoi, prandaj, simbolikisht, Librin e Zanafillës, ku lexojmë se Zoti i dhuroi burrit e gruas tokën, që ta lëronin e të kujdeseshin për të (cfr. 2,15). Por, ç’do të thotë ta kultivosh e ta ruash tokën? – pyeti Papa, që vijoi me një sërë pyetjesh të tjera: “A e kultivojmë edhe ne krijimin? A e lërojmë tokën? A e ruajmë? Apo e shfrytëzojmë çkujdesshëm dhe e lëmë pas dore?”. Duke përdorur foljen ‘të lërosh’, Papa nuk mund të mos kujtonte kujdesin e bujkut për tokën e tij, përpjekjen për ta bërë të prodhojë sa më shumë fryte e për t’i ndarë këto fryte me drejtësi. Sa kujdes, pasion, përkushtim:
“Ta kultivosh e ta ruash gjithësinë është porosi e dhënë nga Zoti jo vetëm në zanafillë të historisë, por në gjithë rrjedhën e saj. Porosi, që vijon edhe sot e kësaj dite, për secilin nga ne: është pjesë e planit të Tij, që njeriu të kujdeset plot përgjegjësi për përparimin e botës, duke e shndërruar në kopsht të lulëzuar, vend ku mund të banojnë të gjithë”.
Në vijim Papa Françesku citoi mendimin e Benediktit XVI, i cili ka kujtuar disa herë se kjo detyrë, besuar nga Zoti krijues, kërkon që njeriu të kuptojë ritmin dhe logjikën e krijimit. Por ne, pohoi me shqetësim Ati i Shenjtë, shpesh herë udhëhiqemi nga fodullëku i sundimit, i pasjes, i manipulimit, i shfrytëzimit; nuk e ruajmë, nuk e respektojmë ambientin, nuk e vlerësojmë si dhuratë, që na u dha falas, thjesht për ta kujdesur. Po e humbasim aftësinë për t’u mahnitur, për të kundruar, për t’ia vënë veshin zërit të gjithësisë, e kështu nuk arrijmë më ta lexojmë atë, që Benedikti XVI e quan: “ritmi i historisë së dashurisë së Zotit për njeriun”.
Po pse ndodh kjo? Pyeti përsëri Papa Françesku. Sepse mendojmë e jetojmë në mënyrë horizontale, larg lartësive, larg Zotit, larg kuptimit të shenjave të Tij.
Në vijim Papa kujtoi se kultivimi e ruajtja, nuk përfshin vetëm marrëdhëniet ndërmjet nesh e ambientit, ndërmjet njeriut e krijimit; ka të bëjë edhe me marrëdhëniet njerëzore. Papët kanë folur shumë herë për ekologji njerëzore, lidhur ngushtë me ekologjinë ambientale:
“Jetojmë në një çast krize: e shikojmë tek ambienti, por sidomos, tek njeriu. Njeriu është në rrezik: kjo është urgjenca e ekologjisë njerëzore! E rreziku është i madh, sepse shkaku i problemit nuk është i cekët, por tejet i thellë; nuk është thjesht çështje ekonomie, por etike, antropologjie. Kisha e ka nënvizuar disa herë. E shumëkush thotë: Po, është e drejtë, e vërtetë... Por sistemi vijon si më parë, sepse sundohet nga dinamikat e një ekonomie e të një finance pa etikë. Kështu burra e gra flijohen në elterin e idhujve të fitimit e të konsumit: është kultura e përjashtimit. Thyerja e një kompjuteri jetohet si tragjedi, ndërsa tragjeditë e vërteta, që pësojnë mijëra njerëz, si drama normale”.
Kjo kulturë e përjashtimit ka prirjen të bëhet mendësi e zakonshme, që i infekton të gjithë. Jeta njerëzore, vetë njeriu, nuk shikohen më si vlerë e dorës së parë, që duhet respektuar e ruajtur, posaçërisht nëse është e varfër ose e gjymtë, nëse nuk ka nisur ende të shërbejë, si i posalinduri, ose nuk mund të shërbejë më, si i moshuari. Kjo kulturë e përjashtimit, e skarcitetit, na bën të pandjeshën edhe ndaj shpenzimeve të kota e shpërdorimit të ushqimeve, gjë që është edhe më e dënueshme, kur në të katër anët e botës shumë njerëz e familje vuajnë nga uria e nga mungesa e ushqimit. Një herë e një kohë gjyshërit tanë nuk i hidhin kurrë tepricat. I ruanin për më vonë. Ndërsa konsumizmi e nxit njeriun të mësohet me flakjen e tepricave e me shpërdorimin e përditshëm të ushqimit, të cilit nganjëherë nuk jemi në gjendje t’i japim vlerën e duhur, që shkon shumë përtej parametrave ekonomike. Mos të harrojmë, ndërkaq, se buka, që e hedhim në pleh, është njëlloj si ta kishim vjedhur nga sofra e të varfërit, e njeriut të uritur.
“I ftoj të gjithë të reflektojnë lidhur me problemin e hedhjes dhe shpërdorimit të ushqimit, për të gjetur rrugë e mënyra që, duke e përballuar seriozisht këtë problematikë, t’i hapin shtegun solidaritetit e ndarjes me nevojtarët”.
Papa kujtoi përsëri, në vijim, mrekullinë e shumëzimit të bukëve, për të cilën foli në festën e Corpus Domini. E prej këndej, porosinë e Krishtit për t’i mbledhur tepricat, pasi i dha të hajë turmës. Që asgjë të mos hidhej, të mos shpërdorohej! E u mblodhën 12 shporta me teprica nga ushqimi i mbetur. Pse dymbëdhjetë? Sepse janë 12, fiset e Izraelit, domethënë, mbarë populli. E kjo do të thotë se kur ushqimi ndahet me drejtësi, me frymë solidariteti, askush nuk vdes nga uria. Ekologjia njerëzore e ekologjia ambientale ecin krah për krah.
Papa e përfundoi katekizmin me një porosi:
.. që të gjithë ta marrim seriozisht impenjimin për ta respektuar e për ta ruajtur krijimin, për të qenë të vëmendshëm ndaj çdo njeriu, për t’iu kundërvënë kulturës së shpërdorimit e të përjashtimit e për t’i dhënë shtytje kulturës së solidaritetit e të takimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.