2013-06-05 11:46:33

Një popull në zemër të Papës: mblidhen në Vatikan, organizmat bamirëse të impenjuara në Siri


Bota duket se e bën veshin shurdh para vajtimit të popullsisë së dhunuar si kurrë ndonjëherë në Siri. Statistikat shqetësuese flasin për një numër të pallogaritshëm viktimash, për 7 milion vetë që kërkojnë ndihmë, për 4 milion e gjysëm të shpërngulur brenda vendit, ndërsa refugjatët i afrohen shifrës së frikshme prej 2 milion vetësh. Shumëfishohen thirrjet për paqe e solidaritet, por duket se bien diku në humnerën e thellë të indiferencës. E kështu, Papa Françesku, pas një thirrje tjetër drejtuar ndërgjegjes së drejtuesve të botës në lutjen e Engjëllit të Tënzot, të dielën e kaluar, mblodhi sot në mëngjes në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, atë që mund të quhet “shtabi i përgjithshëm” i organizmave bamirëse katolike, që veprojnë në kontekstin e krizës siriane. Qe Këshilli Papnor “Cor Unum”, mjeti i drejtpërdrejtë i bamirësisë së Papës, i cili thirri rreth 20 organizma, mbledhur që dje për të vendosur si i duhet përgjigjur keqësimit të vazhdueshëm të gjendjes humanitare në Siri. Sot, takimi me Atin e Shenjtë:
“E kam nxitur unë vetë Këshillin Papnor “Cor Unum” të organizojë këtë mbledhje koordinimi për veprimtaritë e organizmave bamirëse katolike në rajon. … Është i njohur shqetësimi i Selisë së Shenjtë për krizën siriane e, në mënyrë të veçantë, për popullsinë, shpesh të pambrojtur, që vuan pasojat e konfliktit. Benedikti XVI pati kërkuar vazhdimisht të ulen armët e të gjendet një zgjidhje me dialog për të arritur pajtimin e vërtetë ndërmjet palëve. … Edhe unë personalisht e kam fort për zemër fatin e popullsisë siriane”.
Ç’duhet bërë për një popullsi, që s’gjen paqe? Së pari, theksoi Papa Françesku, të përkrahet bashkësia ndërkombëtare, në të gjitha nismat për dialog e paqe në Siri. E pastaj, Kisha të impenjohet më shumë, të japë dëshminë e saj konkrete. “E dimë se kur ndokush vuan, Krishti është me të. Nuk mund të tërhiqemi pikërisht para gjendjeve, ku dhimbja është më e madhe!”, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar të pranishmëve me kërkesën për ta koordinuar më mirë punën e tyre:
“Prania juaj në mbledhjen e koordinimit tregon vullnetin për të vazhduar me besnikëri veprën e çmuar të ndihmës humanitare, në Siri e në vendet fqinjë, që me bujari strehojnë të ikurit nga lufta. Vepra juaj duhet të jetë e shpejtë dhe e koordinuar, shprehje e atij bashkimi, që është dëshmi më vete, siç këshilloi Sinodi për Lindjen e Mesme. Përveç gjetjes së zgjidhjes së konfliktit me bisedime, bashkësisë ndërkombëtare i kërkoj të favorizojë ndihmën humanitare për refugjatët dhe të shpërngulurit sirianë, duke synuar kryesisht të mirën e njeriut dhe mbrojtjen e dinjitetit të tij. Për Selinë e Shenjtë, vepra e Agjencive bamirëse katolike është jashtëzakonisht domethënëse: të ndihmosh popullsinë siriane, pa dallim etnie e feje, është mënyra më e drejtë për të dhënë një kontribut në paqtimin e ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse. Këtu synon edhe përpjekja e Selisë së Shenjtë: të ndërtohet një e ardhme në paqe për Sirinë, ku të gjithë të jetojnë të lirë e t’i shprehin lirisht veçoritë e tyre”.
Mendimi i fundit i Papës Françesku, para se t’i lutej Zotit për bekimin e Tij hyjnor për të gjithë, shkoi tek bashkësitë e krishtera në Siri e në Lindjen e Mesme:
“Kisha përkrah ato gjymtyrë të saj, që sot, ndodhen veçanërisht në vështirësi. Ato kanë detyrën e rëndësishme ta bëjnë të pranishëm krishterimin në rajonin, ku ka lindur. E është detyrë e jona të favorizojmë vazhdimin e kësaj dëshmie. Pjesëmarrja e gjithë bashkësisë së krishterë në këtë vepër të madhe asistence e ndihme është domosdoshmëri e momentit aktual”.







All the contents on this site are copyrighted ©.