2013-06-04 11:50:16

Papa: i krishteri të thotë të vërtetën me dashuri, jo me gjuhën e të korruptuarve, me hipokrizi


Një i krishterë nuk përdor “fjalorin sipas edukatës shoqërore”, që anon nga hipokrizia, por bëhet zëdhënës i së vërtetës së Ungjillit me transparencën e fëmijëve. Kështu porositi Papa Françesku në homelinë e Meshës sotme kremtuar në mëngjes në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan. Me Atin e Shenjtë Bergoglio bashkëkremtuan Eukaristinë Shenjte Patriku i katolikëve armenë, Nerses Bedros XIX Tarmouni, imzot Fernando Vianney, ipeshkëv i Kandy-t në Sri Lankë , e imzot Jaen Luis Brugues bibliotekar i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, shoqëruar nga një grup i bashkëpunëtorëve të kësaj strukture. Të pranishëm në Meshë edhe presidenti e drejtori i përgjithshëm i radio televizionit italian, Anna Maria Tarantola e Luigi Bubitosi, me familjarët e tyre.
Nga të korruptuarit tek gjuha e preferuar: hipokrizia. Skena ungjillore e taksës së Cezarit, kërkesa tinëzare e farizenjëve dhe herodianëve drejtuar Krishtit rreth legjitimitetit të pagesës së takës, i dha Papës Françeskut shkasin për një reflektim në vazhdimësi të ngushtë me homelinë e djeshme. Qëllimi me të cilin i afrohen Jezusit, pohon Papa, është ai për “ta zënë në kurth” . Synimi i pyetjes nëse është e ligjshme apo jo pagesa e taksës Cezarit i bëhet Jezusit – nënvizon Papa – “me fjalë të buta, me fjalë të bukura, me fjalë tepër të ëmbla”. “Mundohen – shton Ati i Shenjtë – të tregohen e të shtiren si miq”. Mirëpo gjithçka është fals, është rrenë. Sepse, shpjegon Papa Françesku, “këta nuk e duan të vërtetën” por vetëm vetveten, e kështu mundohen të mashtrojnë, të gënjejnë, të tërheqin e të përziejnë edhe tjetrin në gënjeshtrën e tyre, në mashtrimin e tyre. Këta e kanë zemrën mashtruese, prandaj nuk mund ta thonë të vërtetën”:
Është pikërisht gjuhë e korrupsionit, hipokrizi. E Jezusi kur u flet dishepujve të vet, thotë: ‘ Por të folurit tuaj të jetë ‘Po’, po! Jo, jo!. Hipokrizia nuk është gjuhë e së vërtetës, sepse e vërteta kurrë nuk ecën vetëm. Kurrë! Gjithmonë shkon me dashuri! Nuk ka të vërtetë pa dashuri. Dashuria është e vërteta e parë. Nëse nuk ka dashuri, nuk ka as të vërtetë. Këta duan një të vërtetë skllave të interesave personale. Mund të themi se ekziston një dashuri: por është dashuri ndaj vetvetes, dashuri për vetvete. Kjo idhujtari narcisizte i çon në tradhtimin e të tjerëve, i çon në keqpërdorimin e besimit”.
Ajo që të duket si një “gjuhë bindëse”, insiston Papa Françesku, përkundrazi të sjell “në gabim, në gënjeshtër”. E, pak si me ironi thotë se, vërtetë ata që sot i afrohen Jezusit e “duken aq të përzemërt në fjalorin e tyre, janë të njëjtët që shkuan të enjten, në mbrëmje, për ta arrestuar në Kopshtin e Ullinjve, e të premten e sollën te Pilati”. Ndërsa Jezusi atij që e ndjek pas i kërkon pikërisht të kundërtën , i kërkon një fjalor e një gjuhë “po’, po, jo, jo”, një fjalë thënë sipas së vërtetës e me dashuri”:
E butësia, e mirësia që Jezusi kërkon prej nesh nuk ka asgjë të përbashkët me këtë servilizëm, me këtë lajkatim, me këtë mënyrë jo të sinqertë të shkuarit përpara. Asgjë! Butësia është e thjeshtë; është si ajo e një fëmije. E një fëmijë nuk është hipokrit, sepse nuk është i korruptuar. Kur Jezusi na thotë: “Të folurit tuaj të jetë ‘Po, po! Jo, jo’ thënë me shpirtin e fëmijëve, pohon të kundërtën e gjuhës që përdorin këta”.
Konsiderata e fundit që bëri Papa gjatë homelisë ka të bëjë me “një lloj dobësie të brendshme”, për çka, konstaton Ati i Shenjtë Bergoglio, “na pëlqen të thuhen gjëra të mira për ne”. Këtë “e dinë mirë të korruptuarit” e “me këtë gjuhë mundohen të na dobësojnë”:
Të mendojmë mirë sot: cila është gjuha jonë? A e themi të vërtetën, me dashuri, apo flasim me atë gjuhë apo fjalor sipas edukimit shoqëror, edhe për të thënë gjëra të bukura, por të cilat nuk i ndjejmë? Pra vëllezër, të folurit tonë të jetë një të folur ungjillor! Pastaj mos të harrojmë se këta hiporkitë që fillojnë me përdorimin e lajkave, me servilizëm e të gjithë këtyre gjërave, përfundojnë pastaj, duke kërkuar dëshmitarë të rremë për të akuzuar atë që kanë lajkatuar. T’i kërkojmë sot Zotit që të folurit tonë të jetë gjuhë e thjeshtë, siç është gjuha e fëmijës, siç flasin bijtë e Zotit, të flasim sipas së vërtetës me dashuri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.