Anxhelo Ronkali, Papa Gjoni XXIII lindi në Nënmal, qytezë pranë Bergamos, më 25 nëntor
1881. Ishte bir i një familjeje gjysmatarësh. Si u bë prift, vijoi të jetonte për
15 vjet në Bergamo, ku shërbeu si sekretar i ipeshkvit e mësues në seminar. Pas shpërthimit
të Luftës I Botërore, u thirr nën armë si kapelan ushtarak. Në përfundim të luftës,
jeta e tij mori një kthesë të ndjeshme. Nisi veprimtarinë diplomatike në shërbim të
Selisë së Shenjtë, si vizitator apostolik në Bullgari e në Turqi. Më 1994 qe Nunc
në Paris, për t’u bërë, më 1953, Patriark i Venedikut. Më 28 tetor 1958 u ul në
fronin e Shën Pjetrit, si pasardhës i Piut XII, duke marrë emrin Gjoni XXIII. Papnoi
nga 4. 11. 1958 deri më 03. 06. 1963. Më 11 tetor 1962, Gjoni XXIII kumtonte hapjen
e Koncilit të Vatikanit II. Me të Kisha do të niste një rrugë ndryshimesh: do të zbriste
në botë, duke thyer skemat shekullore; do të bashkohej me mbarë familjen njerëzore,
duke jetuar së bashku me të frikën e shpresën, gëzimet e ankthet. Hapje kilometrike
e revolucionare, fiksuar në mënyrë të pashlyeshme në faqet e njohura të Kushtetutës
baritore "Gaudium et Spes". Shërbëtori i mirë e besnik i Zotit, Gjoni XXIII,
sot në dritën e të Lumturve, vdiq më 3 qershor 1963. Bota pati ndaluar frymëmarrjen
atë çast, në sa turmat e njerëzve prisnin lajme nën dritaret e Pallatit Apostolik:
një njeri jepte shpirtin në duart e Zotit, pasi i kishte shërbyer besnikërisht Kishës
së tij. Quhej nga të gjithë "Papa i Mirë", kishte fituar simpatinë e miqve e të armiqve
si njeri i paqes, që shmangu rrezikun e konfliktit bërthamor ndërmjet Bashkimit Sovjetik
e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në festën e sotme liturgjike, po e kujtojmë
me fjalët e tij: "Dita ime tokësore po mbaron, por Krishti jeton e Kisha vijon misionin
e Saj në kohë e në hapësirë". Vijon të na porosisë ta presim me fe e ngazëllim Krishtin,
Mbretin tonë: mbret i vërtetësisë, i lirisë, i drejtësisë dhe i dashurisë. Janë këto
katër shtyllat mbi të cilat mund të ngrihet ndërtesa e vërtetë e paqes, ashtu si shkruante
i Lumi papa Gjoni XXIII në enciklikën "Pacem in Terris”, Dokument historik, më aktual
se kurrë që, sipas porosisë së të Lumit, duhet ta lexojmë, ta meditojmë, ta vëmë në
jetë. Do të jemi, atëherë "të lumtur, sepse bij të vërtetë të Zotit e të paqes". Në
Martirologun Romak për Gjonin XXIII shkruhet: “Njeri i pajisur me humanizëm të jashtëzakonshëm,
me jetën, veprat e zellin e tij të zjarrtë baritor u përpoq të përhapte kudo begatinë
e dashurisë së krishterë e të promovonte bashkimin vëllazëror ndërmjet popujve. Posaçërisht
i vetëdijshëm për misionin e frytshëm të Kishës së Krishtit në botën mbarë, thirri
Koncilin II të Vatikanit.