Papa: të korruptuarit i bëjnë shumë keq Kishës, shenjtorët janë dritë për të gjithë
Mëkatarë, të korruptuar e shenjtorë. Ky ishte trinomi rreth të cilit u shtjellua sot
homelia e Papës Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i
Shenjtë nënvizoi se të korruptuarit i shkaktojnë dëme të mëdha Kishës, pasi adhurojnë
vetëm vetveten, ndërsa shenjtorët janë drita e saj. Çfarë ndodh kur duam të bëhemi
ne, pronarë të vreshtës? – pyeti Papa, duke iu referuar shembëlltyrës së Ungjillit
të sotëm, që tregon për vreshtarët e këqinj. Duke u përgjigjur, Ati i Shenjtë vuri
në dukje tri modele tipike të krishterësh në Kishë. Për mëkatarët, tha ai, s’ka nevojë
të flasim shumë, sepse ne të gjithë jemi të tillë. E ndjejmë në shpirt kur jemi mëkatarë
e atëherë, duhet shkuar për vizitë tek ‘mjeku shpirtëror’, pra tek rrëfyestari. Por,
vazhdoi Papa Bergolio, shembëlltyra ungjillore na flet për një figurë tjetër, për
ata, që duan të bëhen të zotët e vreshtës dhe s’pyesin për Zotin e vërtetë të saj.
Një Zot, që na ka thirrur të gjithëve me dashuri, na mbron, por na jep edhe liri.
E nganjëherë njerëzit abuzojnë me lirinë, siç ndodhi me punëtorët e vreshtës, për
të cilët tregon Ungjilli i sotëm: “Këta, dalëngadalë, rrëshqitën drejt autonomisë
në marrëdhëniet me Zotin: ‘Nuk kemi nevojë për atë Zot, të mos na shqetësojë më!’.
E kështu, vazhdohet në këtë rrugë. Këta janë të korruptuarit! Ata, që ishin mëkatarë
si të gjithë ne, por bënë edhe një hap përpara, si të nguliteshin më fort në mëkat:
nuk kanë nevojë për Hyjin! Por vetëm në dukje, sepse në kodin e tyre gjenetik janë
të shkruara marrëdhëniet me Zotin. E meqë këtë nuk mund ta mohojnë, shpikin një zot
të veçantë: ata vetë bëhen zot. Këta janë të korruptuarit”. Papa Françesku
nënvizoi se çdo i krishterë e ka mbi krye këtë rrezik. Edhe në bashkësitë e krishtera,
theksoi, të korruptuarit mendojnë vetëm për grupin e tyre: “Mirë, mirë. Është yni”
– mendojnë – por në të vërtetë, “janë vetëm për vete”: “Juda e filloi nga mëkatari
koprrac e përfundoi në korrupsion. Është udhë e rrezikshme ajo e autonomisë: të korruptuarit
harrojnë, nuk e mbajnë mend dashurinë, me të cilën Zoti e ka ngritur vreshtën, i ka
krijuar ata vetë! I kanë prerë marrëdhëniet me këtë dashuri! E kështu, kthehen në
adhurues të vetvetes. Kjo është e keqja, që sjellin të korruptuarit në bashkësitë
e krishtera! Zoti na ndihmoftë të mos biem në rrugën e korrupsionit”. Më pas,
Papa Françesku foli për shenjtorët, duke kujtuar se sot kremtohet 50-vjetori i vdekjes
së Papës Gjoni XXIII, ‘model shenjtërie’. Në Ungjillin e sotëm, shtoi, shenjtorët
janë ata, “që shkojnë të marrin qeranë” e vreshtës, pjesën, që i takon të Zotit të
saj, por rrihen e vriten nga punëtorët e këqinj, të korruptuarit. E dinë ç’i pret,
por shkojnë të kryejnë detyrën, që u ka dhënë Zoti: “Shenjtorët, ata që i binden
Zotit, ata që e adhurojnë Zotin, ata që e mbajnë mend mirë dashurinë, me të cilën
Zoti e ka krijuar vreshtën. Shenjtorët e Kishës. Të korruptuarit i bëjnë shumë keq
Kishës, por shenjtorët i bëjnë mirë. Për të korruptuarit, shën Gjoni Apostull thotë
se janë antikrishti. Janë në mesin tonë, por nuk janë tanët. Për shenjtorët, Fjala
e Zotit flet për dritë, ‘ata që do të jenë para fronit të Hyjit, në adhurim’. T’i
lutemi sot Zotit të ndjehemi mëkatarë, por mëkatarë të vërtetë, jo në përgjithësi:
mëkatarë për këtë, atë e atë tjetrën, mëkatarë konkretë, me mëkate konkrete. T’i lutemi
të mos bëhemi të korruptuar: mëkatarë po, të korruptuar jo! E t’i kërkojmë hirin që
të ecim në udhën e shenjtërisë. Ashtu qoftë!”