2013-06-03 13:31:17

Papa Françesku priti në Vatikan Presidentin e Kepit të Gjelbër


Papa Françesku priti sot, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, presidentin e Kepit të Gjelbër, Jorge de Almeida Fonseka, i cili më pas u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone dhe imzot Dominik Mambertì, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.“Gjatë bisedimeve, njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, u kujtuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kepit të Gjelbër. Në mënyrë të veçantë u fol për Marrëveshjen ndërmjet Republikës dhe Selisë Apostolike, lidhur me statusin juridik të Kishës katolike në vend, që do të nënshkruhet së shpejti në kryeqytetin Praia”, gjatë një udhëtimi të imzot Mambertì në arkipelag. “Në këto rrethana, vijon komunikata, u fol edhe për identitetin kulturor e fetar të popullsisë vendase, shumica e së cilës është e krishterë, si dhe për rolin e rëndësishëm, që ka luajtur e vijon të luajë Kisha katolike në vend me institucionet edukative e shëndetësore. Së fundi u cekën edhe disa nga sfidat më të rëndësishme, para të cilave ndodhet vendi e rajoni, si dhe tema e pranisë së banorëve të Kepit, emigrantë në shumë vende të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.