2013-06-02 16:31:22

Papa: Zoti qan për marrëzinë e luftës, vetëvrasje e njerëzimit, që vret dashurinë


“Lufta është vetëvrasje e njerëzimit, sepse vret zemrën e vret dashurinë”: fragment i homelisë së Papës Françesku, ky, mbajtur gjatë Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Në kremtim, njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit, mori pjesë një grup prej 80 vetësh, i përbërë nga familjarë të ushtarakëve italianë, të rënë në misionet e paqes gjatë 4-5 vjetëve të fundit, posaçërisht në Afganistan, si dhe nga disa ushtarakë të plagosur gjatë të njëjtave misione. Të afërmit e të rënëve ishin 55 vetë, në kujtim të 24 ushtarakëve; të plagosurit, 13, shoqëruar edhe ata nga njerëz të afërm. Sot, 2 qershor, në Itali kremtohet Festa e Republikës, ditë simbolike, kujtoi në përshëndetjen e tij, imzot Vinçenco Pelvi, Ipeshkëv Ushtarak për Italinë, që bashkëkremtoi me Papën, të cilit i shprehu mirënjohjen e gjithë vendit, për dashurinë ndaj familjes ushtarake.

“Zoti e dëgjon lutjen e të gjithëve”, atë të Salomonit në ditën e kushtimit në Tempull, e lutjen e secilit prej nesh!” Papa e theksoi këtë, duke cituar edhe episodin ungjillor të çenturionit, që shkon te Jezusi për t’i kërkuar shërimin e shërbëtorit të tij. Kështu është Zoti ynë, shtoi Papa, e dëgjon lutjen e të gjithëve, jo si të ishin njerëz pa emër, por lutjen e të gjithëve, e të secilit. Hyji ynë është Zoti i të madhit e i të voglit; Zoti ynë është personal, i dëgjon të gjithë me zemër, e i do me zemër:
Ne sot erdhëm të lutemi për të vdekurit tanë, për të plagosurit tanë, për viktimat e kësaj çmendurie, që është lufta! Vetëvrasje e njerëzimit, sepse vret zemrën, vret pikërisht aty, ku është kumti i Zotit: vret dashurinë! Sepse lufta vjen nga urrejtja, nga lakmia, nga dëshira për sundim e, siç e shikojmë shpesh, nga etja e pashuar për pushtet”.
E edhe në histori, vërejti Papa Françesku, shumë herë kemi parë se problemet lokale, problemet ekonomike, krizat ekonomike, të mëdhenjtë e tokës duan t’i zgjidhin me luftëra:
“Po pse? Sepse për ta paratë kanë më shumë rëndësi se njerëzit! Pikërisht kjo është lufta: akt, që flet për besimin në paranë, në idhujt, idhujt e urrejtjes, idhujt që të nxisin të vrasësh vëllain, të shtyjnë të vrasësh vetë dashurinë: ‘Kain, ku është yt vëlla?’. Dëgjohet edhe sot ky zë: është zëri i Zotit, që qan; qan për marrëzinë tonë, qan e na thotë të gjithëve: ‘Ku është yt vëlla’; u thotë edhe gjithë zotërinjve të Tokës: ‘Ku është yt vëlla! Ç’i bëtë vëllait tuaj?”.
Prej këtu, nxitja e Papës për ta lutur Zotin, që të na largojë prej gjithë së keq, duke përsëritur këtë lutje, edhe me lot në sy, lot, që burojnë nga zemrat:
“Silli sytë prej nesh, o Zot, e ki mëshirë për ne, sepse jemi të trishtuar e të pushtuar nga ankthi. Shikoje mjerimin tonë e vuajtjen tonë e na i fal mëkatet tona, sepse pas luftës fshihet gjithnjë mëkati, mëkati i idhujtarisë, mëkati i shfrytëzimit të njerëzve në elterin e pushtetit, i flijimit të tyre. Silli sytë nga ne, o Zot, e ki mëshirë, sepse jemi të trishtuar e të pushtuar nga ankthi! Shikoje mjerimin tonë e vuajtjen tonë!’. Të jemi të sigurt se Zoti do të na dëgjojë e do të bëjë diçka për të na dhënë shpirtin e ngushëllimit. E ashtu qoftë!”.
Në përfundim të Meshës, u tha “Lutja për Italinë”, shkruar nga i Lumi Gjon Pali II.







All the contents on this site are copyrighted ©.