2013-06-02 16:31:34

Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot: Jezusi na nxit të ndajmë bashkë, pa ngurrim. Thirrje për lirimin e të rrëmbyerve në Siri.


Festa e Corpus Domini na kërkon të kthehemi në rrugën e Zotit, që ta ndajmë bashkë atë pak, që kemi, pa u mbyllur në vetvete. Këtë nënvizoi sot Papa Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë. Më pas Ati i Shenjtë bëri thirrje për lirimin e njerëzve të rrëmbyer në Siri, duke theksuar se lutet vazhdimisht për paqen në vendin e martirizuar. Së fundi, u kërkoi besimtarëve të luten për paqen në Amerikën Latine dhe për ushtarët italianë të rënë në misionet e paqes jashtë vendit.

Sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në festën e Corpus Domini, mendimi i Papës shkoi në Sirinë e martirizuar nga lufta civile. Ati i Shenjtë nuk e fshehu shqetësimin për këtë konflikt të pafundmë, që godet sidomos popullsinë e pambrojtur, e cila dëshiron me gjithë zemër të rivendoset paqja, në drejtësi e mirëkuptim. Prej këndej, Papa Françesku bëri një thirrje të fuqishme:
“Kjo situatë e trazuar lufte sjell me vete pasoja tragjike: vdekje, shkatërrime, dëme të mëdha ekonomike e ambientale, e jo më pak, plagën e rrëmbimit të njerëzve. Nësa i dënoj këto fakte, dëshiroj të kujtoj lutjen e solidaritetin tim për njerëzit e rrëmbyer e për familjarët e tyre, duke i bërë thirrje humanizmit të rrëmbyesve që t’i lirojnë viktimat. Lutemi gjithnjë për Sirinë tonë të dashur!”.
Në botë, vijoi Papa, ka shumë situata konflikti, por edhe po aq shenja shprese. Inkurajoi, kështu, vendet e ndryshme të Amerikës Latine për të bërë hapa të reja drejt pajtimit e paqes. Hapa, shtoi, që shoqërohen nga lutja jonë.
Para thirrjes për Sirinë dhe Amerikën Latine, Papa Françesku u ndalua tek mrekullia e shumëzimit të bukëve e të peshqve, sipas rrëfimit të Ungjillit të së dielës. Ati i Shenjtë vuri theksin posaçërisht mbi sjelljen e dishepujve, që kërkojnë një zgjidhje më realiste, e cila nuk u krijon shumë probleme. Domethënë, që turma të shkojë në fshatrat e afërme e ta sigurojë vetë ushqimin:
“Po sjellja e Jezusit është krejtësisht e kundërt; diktohet nga bashkimi i Tij me Atin e nga mëshira për njerëzit, ajo mëshirë, që ka edhe sot e kësaj dite për ne të gjithë. Jezusi i njeh problemet tona, ligështitë tona, nevojat tona. Përballë këtyre pesë bukëve, mendon: ja Provania! Nga kjo pak gjë, Zoti mund t’i plotësojë nevojat e të gjithëve. Jezusi i beson plotësisht Atit qiellor, e di se për Të s’ka asgjë të pamundur”.
Ja pra, pse Jezusi i porosit dishepujt t’i ulin njerëzit në grupe me nga pesëdhjetë vetë. Kjo nuk është rastësi: do të thotë se nuk janë më turmë, po bashkësi, të ushqyera me bukën e Zotit. Jezusi i merr, pastaj, bukët e peshqit, larton sytë nga qielli, i bekon e kështu bëhet i qartë bekimi eukaristik. Bukë e peshq shpërndahen, pa mbaruar:
“Ja mrekullia: më shumë se shumëzim, është ndarje e përbashkët, e frymëzuar nga feja e nga lutja. Hëngrën të gjithë e edhe teproi: është simboli i Jezusit, bukë e Zotit për njerëzimin”.
Dishepujt, vijoi Papa, e panë, por nuk e pritën mirë mesazhin. Ishin pushtuar, ashtu si turma, nga dalldia e suksesit. Edhe një herë, pra, menduan me mendjen njerëzore, jo me atë të Zotit, të shërbimit, të dashurisë, të fesë:
Festa e Corpus Domini na kërkon të kthehemi e të besojmë në Provaninë, ta ndajmë atë pak gjë që jemi, e që kemi, e të mos mbyllemi kurrë brenda vetes. T’i lutemi Nënës sonë, të na ndihmojë në këtë rrugë kthimi, për ta ndjekur me të vërtetë, e gjithnjë më shumë, Jezusin, që e adhurojmë në Eukaristi”.
Në Festën e Republikës Italiane, duke përshëndetur besimtarët, Papa kërkoi një lutje të posaçme, në heshtimin e zemrave, për të rënët në misionet paqëruajtëse, jashtë vendit të tyre:
Sot paradite e kremtova Meshën me disa ushtarakë dhe me të afërmit e disa të rënëve në misionet e paqes, që përpiqen të sigurojnë paqen e pajtimin në vende ku derdhet akoma gjak vëllezërish në luftëra, që nuk janë tjetër, veçse çmenduri! Gjithçka fitohet me paqe. Kërkoj një uratë për të rënët, të plagosurit dhe familjarët e tyre!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.