Trupi i Shën Piut nga Pietrelçina vendoset ne kishën e poshtme në San Xhovani Rotondo
Të shtunën 1 qershor, në orën 11, në San Xhovani Rotondo të Italisë vendoset në mënyrë
të dukshme për të gjithë besimtarët, në kishën e poshtme, trupi i Shën Piut nga Pietrelçina.
Mesha e rastit kremtohet nga prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali
Anxhelo Amato. Vendimi për ta bërë të dukshme përgjithmonë këtë relike u mor pas letrave,
e-maileve e telefonatave të besimtarëve e të shtegtarëve, të cilët dëshirojnë të luten
para kapuçinit të nderuar. Fretërit dhe kryeipeshkvi e panë të arsyeshme t’ua plotësojnë
këtë dëshirë pikërisht për Vitin e Fesë.