2013-05-31 13:55:50

Shqiptarët përsëri në shtegtim, tek Nëna e Këshillit të Mirë, në Gjenacan.


Të diel, 26 maj, u kremtua takimi ndërkombëtar i shtegtarëve shqiptarë në Gjenacan. Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan(RM), sivjet priti rreth njëmijë shtegtarë shqiptarë, ardhur jo vetëm nga qendra të ndryshme baritore të emigrantëve, që jetojnë në viset e ndryshme të Italisë, siç është bërë tashmë traditë, por edhe nga Shqipëria, Kosova e misionet katolike të shqiptarëve në Zvicër. Numër i jashtëzakonshëm, që u saktësua gjatë një takimi tjetër të madh të shtegtarëve shqiptarë: atij të 29 majit, në Vatikan, me Papën Françesku, në kuadrin e Vitit të Fesë. Të dy kremtimet, atë të orës 12.00 e të orës 18.00, i kryesoi kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Anxhelo Masafra, me të cilin bashkëkremtuan imzot Kristofor Palmieri, ipeshkëv i Rrëshenit; imzot Lucian Avgustini, ipeshkëv i Sapës; imzot Zef Gashi, kryeipeshkëv i Tivarit, në Mal të Zi; imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Prishtinës, në Kosovë; provinciali i Françeskanëve, atë Gazmend Tinaj; drejtori i migrantes pranë dioqezës së Romës, imzot Pierpaolo Felicolo dhe rreth 15 meshtarë të tjerë, që shoqëronin grupet e tyre. Kjo rrethanë, kaq e veçantë, që i bashkoi emigrantët shqiptarë në Itali me shtegtarë të tjerë të gjuhës shqipe, ardhur nga kombet e tyre e emigrantë të viseve të tjera, tregon se ky takim i përvitshëm është bërë tashmë traditë. Të duket sikur Pajtorja, që shqiptarët e thërresin Zoja e Shkodrës, i mbledh bashkë bijtë e vet nga të katër anët e botës, për t’u kujtuar dashurinë ndaj tokës, që i lindi, dhe vlerën e krishterë të familjes. Të gjunjëzohesh në lutje para ikonës së Zojës së Këshillit të Mirë, do të thotë t’i shikosh të bashkuar tek këmbët e saj familjet e ndara nga emigracioni. “Të lidhur me Zojën e Bekuar, për të besuar plotësisht në mëshirën e Zotit”: ky është kuptimi i shtegtimit, e kjo edhe shprehja e besimit të popullit tonë shqiptar që, edhe në mërgim, e dëshmon me lutje fitoren e fesë përmbi vështirësitë e jetës njerëzore”: këtë theksoi kryeipeshkvi metropolit i Shkodrës, imzot Anxhelo Masafra, në homelinë e kremtimit të parë. E njëjta frymë përshkoi edhe orët e prehjes gjatë gjithë ditës, shprehje e gëzimit, që buron nga takimi, por sidomos, britmë shprese, që del nga zemra e emigrantit, drejtuar Marisë, duke iu lutur që të jetë Ajo, Nëna, pika e mbështetjes dhe e takimit të të gjithë shqiptarëve, të shpërndarë në të katër anët e botës. “Ktheju, o Zoja e Këshillit të Mirë!” – janë fjalët e këngës tradicionale, kushtuar Pajtores së Shqiptarëve; fjalët e himnit, përmes të cilit shqiptarët i kërkuan në shekuj Nënës së Këshillit të Mirë të rikthehet në trojet, që i janë kushtuar. Në ato troje, prej nga u largua mrekullisht në vitin 1465, për të shpëtuar nga pushtimi turk. Për ta bekuar popullin shqiptar. “Ktheju”, këndon kënga popullore, për t’i shoqëruar bijtë e tu në shtegtimin e tyre të vështirë nëpër rrugët e botës, ku u shpërndanë, me shpresë që, shtojmë ne, emigrantët shqiptarë të të gjithë botës, ta ndjejnë veten një popull i vetëm, që i nderon trojet e veta e, në misterin eukaristik, gjen frymën e vërtetë të bashkimit.
Ferraro don Paskuale
Koordinator kombëtar
për baritorinë e emigrantëve shqiptarë në Itali.








All the contents on this site are copyrighted ©.