2013-05-31 13:35:22

Papa Françesku: Zoti është gëzim, Ungjilli nuk shkon përpara me të krishterë të ligështuar


Shpirti Shenjt është ‘autor’ i gëzimit të krishterë e, për të kumtuar Ungjillin, duhet ta kesh në zemër gëzimin, që dhuron Shpirti Shenjt. Papa Françesku e përsëriti këtë gjatë Meshës së mëgjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Me të, në elter, ishin kardinali Jozef Tomko, kryeipeshkvi i Faridabad-Delhit, Kuriakose Bharanikulangara dhe ai i Belo Horizonte, Walmor Oliviera de Azevedo. I pranishëm, edhe një grup punonjësish të Shërbimeve ekonomike të Vatikanit, shoqëruar nga drejtori, Sabatino Napolitano, si dhe bashkëpunëtorë të Rojeve Zvicerane.
Nuk mund të kumtohet Ungjilli, me fytyrën e njeriut, që ruan të vdekurin. Papa Françesku skicoi një vijë ndarëse ndërmjet jetës së vërtetë të krishterë, plot gëzim, e asaj, që jetohet me trishtim. Nxitjen për këtë reflektim, Papa e mori nga dy leximet e mëngjesit. I pari, i Sofonisë Profet, nis me thirrjen: “Gëzoju! Brohorit nga gëzimi! Zoti është në mesin tënd”. I dyti, shkëputur nga Ungjilli, flet për Elizabetën e të birin, i cili galdon nga gëzimi në kraharor të nënës, duke dëgjuar fjalët e Marisë, që kishte shkuar me nxitim për ta ndihmuar të kushërirën. Pra, vërejti Papa, gjithçka është gëzim. Gëzim feste. E, megjithatë, vijoi, ne të krishterët nuk jemi mësuar të flasim për gëzim e për hare; besoj se shumë herë na pëlqejnë më shumë ankimet. Ndërsa duhet të jemi plot me gëzimin, që është dhuratë e Shpirtit Shenjt:
“Është pikërisht Shpirti Shenjt ai, që na prin: Ai është autori i gëzimit, Krijuesi i gëzimit. E ky gëzim në Shpirtin Shenjt, na jep lirinë e vërtetë të krishterë. Pa gëzim, ne të krishterët, nuk mund të bëhemi të lirë, mbetemi skllevër të trishtimeve tona. I Madhi Pali VI thoshte se nuk mund të çohet përpara Ungjilli, me të krishterë të trishtuar, mosbesues, të ligështuar. Nuk është e mundur! Me këtë sjellje, paksi të përmortshme, e? Shumë herë të krishterët duken më shumë sikur janë duke përcjellë të vdekurin a duke u pjekur përmortshëm, sesa duke shkuar për të lumnuar Zotin, apo jo? E nga ky gëzim, vjen lavdërimi, lavdërimi i Marisë, i Sofonisë, i Simeonit, i Anës: lavdërimi i Zotit!”.
E si lavdërohet Zoti? Lavdërohet duke dalë nga vetvetja; pa asnjë interes, ashtu si pa asnjë interes është hiri, që na jep, shpjegoi Papa Françesku e, në vijim kërkoi që të gjithë të rrëmojnë mirë ndërgjegjen lidhur me mënyrën si duhet t’i lutemi Zotit, duke u drejtuar atyre, që e dëgjonin, pyetjen:
“Ju, që jeni këtu, a e lavdëroni Zotin, apo vetëm kërkoni hire nga Zoti dhe e falënderoni Zotin? Po, a e lumnoni Zotin? Është një gjë e re kjo, e re në jetën tonë shpirtërore. Ta lavdërojmë Zotin, të dalim nga vetvetja për ta lavdëruar; na duket sikur humbasim kohë, duke e lavdëruar! E ankohemi: ‘Kjo Meshë, ufff, sa e gjatë!”. Nësa duhet të shkojmë plot gëzim, sepse ta lavdërosh Zotin është gjë e bukur! Këtë do të bëjmë në amshim: do ta lavdërojmë Zotin. E nuk do të jetë aspak gjë e mërzitshme: do të jetë mrekullisht e bukur! Ky gëzim na bën të lirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.