2013-05-31 16:24:52

Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer në Shkodër shtegtare në Vatikan


Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer në Shkodër shtegtare në Vatikan e Gjenacan, gjatë kësaj jave, në kuadrin e Vitit të Fesë, së bashku me grupin e besimtarëve shqiptarë nga trevat shqiptare. Në mikrofonin e Radio Vatikani t’i dëgjojmë dëshmitë e motrave juniore françeskane të Zojës së papërlyer motër Irenea, motër Mirela, motër Fatmira, motër Mikela, motër Robertina, motër Vera, motër Elizabeta të udhëhequra nga eprorja motër Maria Ndua. Po të ndalemi te biseda jonë me Motrat rreth domethënies së shtegtimit shpirtëror që do të thotë kërkim i Zotit dhe pranim i së Vërtetës së Tij që na bën të lirë dhe i jep kuptim jetës......RealAudioMP3

Bibla na paraqet historinë e Izraelit duke u nisur nga Abrahami si një shtegtim që, me të përpjetat e tëposhtat nëpër udhë të shkurta e nëpër udhë të gjata, në fund të çon te Krishti…. Hyji shkruan drejtë edhe nëpër rreshta të shtrembër të historisë njerëzore. Hyji na lë lirinë tonë e, megjithëkëtë, di të gjejë në dështimin tonë rrugë të reja për dashurinë e tij…një garanci kjo që pohon se Hyji nuk na le të biem, të rrëzohemi, e një thirrje për ta orientuar jetën tonë rishtas drejt Tij, për të ecur gjithmonë e përsëri drejt Krishtit.
Të shkosh në shtegtim do të thotë të orientohesh në një drejtim të qartë , të ecësh drejt një caku…. Ndër shtegtarët para ardhjes së Jezusit ishin disa që kishin harruar cakun e donin ta vinin veten si cak. Mirëpo Zoti përsëri zgjoi persona që vijuan shtegtimin të nxitur nga vullneti e nostalgjia e cakut, duke e orientuar jetën e vet drejt cakut përfundimtar. Hovi drejt fesë së krishterë, fillimi i Kishës së Jezu Krishtit qe i mundshëm, sepse në Izrael ekzistonin persona me zemër në kërkim – persona që nuk u mjaftuan me doke e traditë, por që kërkuan diçka më të madhe: Zakaria, Elizabeta, Simeoni, Ana, Maria e Jozefi, të Dymbëdhjetët e shumë tjerë. Duke qenë se zemra e tyre ishte në pritje, ata patën mundësinë që në Jezusin të njihnin Atë që Hyji e pati dërguar për t'u bërë kështu zanafillë e familjes së vet universale. Kisha e popujve është bërë e mundshme, sepse si në Mesdhe si në Azinë e afërt e të mesme, ku arrinin lajmëtarët e Jezu Krishtit, kishte persona në pritje që nuk u mjaftonin e nuk kënaqeshin me atë që bënin e mendonin të gjithë, por kërkonin yllin që mund t'u tregonte atyre udhën drejt së Vërtetës, drejt Zotit të gjallë.
Edhe sot nuk është e mjaftueshme të jemi e të mendojmë në një farë mënyre si të gjithë tjerët. Projekti i jetës sonë shkon më tej. Ne kemi nevojë për Zotin, për atë Zot që na ka zbuluar e treguar fytyrën dhe hapur zemrën e vet: Jezu Krishtin.
Vetëm Ai është Hyj e për këtë vetëm Ai është ura, që vë në kontakt të menjëhershëm Zotin e njeriun. Nëse ne e quajmë Ndërmjetësues të vetëm të shpëtimit të vlefshëm për të gjithë, që u intereson të gjithëve e prej të cilit, përfundimisht, të gjithë kanë nevojë, kjo nuk do të thotë aspak përçmim e përbuzje të feve tjera, as absolutizimi mendjemadh i mendimit tonë, por vetëm të jesh i pushtuar nga Ai që na ka prekur në brendësi e që na ka mbushur me dhurata, në mënyrë që ne nga ana jonë të mund të t'ia dhuronim të tjerëve ….feja jonë i kundërvihet vendosmërisht dorëzimit pa kushte e atij mendimi që e konsideron njeriun të paaftë për të vërtetën- thua se kjo është tepër e madhe për të. Ky dorëzim pa kushte para së vërtetës është thelbi i krizës së shoqërisë bashkëkohore. Nëse për njeriun nuk ekziston e vërteta, ai, në fund, nuk mund as të dallojë mes të mirës e së keqes. E atëherë njohuritë e mëdha e të mrekullueshme të shkencës bëhen të dykuptimta: mund të hapin perspektiva të rëndësishme për të mirën, për shpëtimin e njeriut, por edhe – e këtë e shohim – mund edhe të bëhen kërcënime të tmerrshme, shkatërrim i njeriut dhe i botës. Ne kemi nevojë për të vërtetën. E është qartë, se për shkak të historisë sonë kemi frikë se feja në të vërtetën mund të sjell mostolerim, mosdurim. Nëse kjo frikë, që ka arsye të mira historike, na pushton, ka ardhur koha ta vështrojmë Jezusin siç e shohim në shenjtëroren e botës, siç e shohim në Vende të shenjta.. duke iu dhuruar njeriut vetëm përmes pushtetit të brendshëm të të qenurit të tij të vërtetë. E vërteta e dëshmon veten në dashuri.
" Shikojeni Krishtit", mund të themi se ishte nxitja e këtij shtegtim. Hyji nuk vjen me forca të jashtme, por vjen në pafuqinë e dashurisë së vet, që përbën edhe forcën e Ti. Jezusi foshnje na përkujton të gjithë fëmijët e botës e ata shqiptarë, në të cilët do të vijë të na takojë. Fëmijët që jetojnë në varfëri; që shfrytëzohen si ushtarë; që kurrë nuk e kanë përjetuar dashurinë e prindërve; fëmijët e sëmurë e plotë vuajtje, por edhe ata të lumtur e të shëndoshë. Evropa është bërë e varfër pa fëmijë: ne duam gjithçka për vete, e ndoshta nuk kemi shumë besim në të ardhmen. Por pa të ardhme toka do të jetë vetëm kur shuhen forcat e zemrës njerëzore e të arsyes së ndriçuar nga zemra- kur fytyra e Zoti nuk do të shndrisë më mbi tokë. Ku ka Zot, aty ka edhe të ardhme, ka shpresë.
"Shikojeni Krishtin"! Hyji e ka shëlbuar botën jo përmes shpatës, por përmes Kryqit. "Shikojeni Krishtin!" Nëse e bëjmë këtë, do të kuptojmë se krishterimi është diçka më tepër e diçka ndryshe e tjetër nga një sistem i moralit, nga një sërë kërkesash e ligjesh. Është dhuratë e një miqësie që zgjatë e qëndron në jetë e në vdekje. E pikërisht duke u nisur nga fakti se krishterimi është më tepër se morali, mu për këtë është dhuratë e një miqësie, e për këtë bart në vete edhe një forcë të madhe morale për të cilën ne, para sfidave të kohës sonë, kemi kaq nevojë. Ajo para së gjithash është një "po" ndaj Zotit, që na sjell e, megjithëkëtë, na lë lirinë tonë, madje, e bën liri të vërtetë. Është një "po" ndaj familjes, një “po” ndaj bashkësisë rregulltarë, një "po" ndaj jetës, një "po" ndaj një dashurie të përgjegjshme, një "po" ndaj së vërtetës e një "po" ndaj respektimit të personave të tjerë e të asaj që u përket atyre. Në sajë të forcës së miqësisë sonë me Zotin e Gjallë ne jetojmë këtë "po" të shumëfishtë e njëkohësisht e bartim si tregues të përshkimit brenda jetës sonë e brenda botës sonë.
Në përfundim të muajit maj, t’i kërkojmë me lutje Virgjërës Mari Nënës së Zotit, të vazhdojë të na dhurojë gjithnjë Jezusin, Birin e Zotit, Dritën e vërtetë të botës. Këtë dritë, Krishtin, në lutjen e tij, na mëso o Zoja Mari ta njohim e ta duam, në mënyrë që edhe ne të mund të jemi të aftë për një dashuri të vërtetë e të jemi burimet e ujit të gjallë në mes të një bote të etur për të vërtetën hyjnore.

E ja edhe disa të dhëna rreth Kongregatës së Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer

Historia e Kongregatës
Kongregata e motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer – Motrat Shkollore, themeluar në Grac të Austrisë në vitin 1843, ku aktualisht është edhe Shtëpia Nënë. Karizma e kësaj Kongregate është shkollimi dhe edukimi i vajzave, në fe dhe në kulturë të përgjithshme.
Si ka lindur kjo Kongregatë?
Antonia Lampel dhe motra e saj Amalia Lampel ishin mësuese në shkollën private të udhëhequr nga zonjusha Ana Engel në Neuthogasse. Pas vdekjes së themelueses së kësaj shkolle, drejtimin e mori Amalia, jo Antonia edhe pse ishte më e madhe. Antonia kishte arsim të lartë, ajo zotëronte shumë mirë gjuhën francese dhe italiane, kishte talent për vizatim dhe muzikë, por në veçanti ishte e talentuar në punëdore. Antonia edhe pse kishte aftësi të veçanta, ishte shumë e ndrojtur. Ajo nuk kishte dëshirë të urdhëronte, por vetëm të shërbente. Duke qenë e tillë, kur kishte nevojë të paraqitej para të tjerëve, ajo gjithnjë shtynte të motrën e vet, e cila ishte tre vjet më e vogël, Amalian, më e guximshme dhe më e gjallë se ajo. Megjithatë, nuk dyshohet se Antonia ishte shpirti i shkollës edhe pse ajo drejtohej nga Amalia. Kështu motrat Lampel me një grup mësuesesh të reja e ngritën shkollën e tyre në një nivel të lartë. Por jo vetëm kaq, ato jo vetëm që ditën t’i përgatitnin ndihmëset e tyre që të bëhen mësuese dhe edukatore të mira, por edhe që të bëhen të krishtera të mira dhe të përshpirtshme. I gjithë grupi hyri në Urdhrin e Tretë të shën Françeskut dhe me një entuziazëm të lartë u munduan që në jetën e përditshme ta realizojnë idealin e shën Françeskut, në veçanti dashurinë e tij ndaj varfërisë. Pra, detyra kryesore e rregullit ishte varfëria françeskane. Ato si vajza të pasura qytetare, të gjitha forcat dhe aftësitë e tyre i vunë në shërbim të shkollimit të vajzave "të shtresave më të ulta".
Bashkëpunëtoret e tyre gjithashtu i kishin edukuar me idealet e shën Françeskut, kështu që ato jetuan së bashku në një bashkësi, që sipas mendimit të tyre nuk ishte përcaktuar për një jetë të vërtetë rregulltare. Ato ishin të kënaqura me gjërat më të domosdoshme për jetesë; shtëpia e tyre ishte shumë të vogël, pasi ato ngushtoheshin vetëm e vetëm që të pranonin një numër sa më të madh vajzash të varfra dhe që nuk kishin mundësi të paguanin. Në shkollë mbizotëronte numri i atyre nxënësve që nuk paguanin. Në këtë mënyrë dashuria e tyre për varfërinë kishte kuptim të madh shoqëror. Në përgjithësi i gjithë mundi i tyre ishte në shërbim të shoqërisë. Ato nuk kërkuan një përsosmëri të veçantë për veten e tyre, por vetëm dëshironin t'i shërbenin Zotit duke i shërbyer në Kishë dhe në të afërmin. Atyre u mungonte vetëm leja nga Institucionet Kishtare për të qenë rregulltare të vërteta. Ato do të banojnë dhe do të luten së bashku, por edhe do të punojnë sikurse edhe punonin, por tani edhe më me vetëmohim. Duke u nisur nga kjo mënyrë jete ato i drejtohen ipeshkvit me një lutje (Magna Carta) në të cilën përfshihet i gjithë projekti i jetës së tyre në bashkësi. Arsyet kryesore ku mbështetet projekti i të kushtuarave janë si vijojnë: përvoja e tyre në përgjithësi tregon se: bashkimi bën fuqi, në veçanti nëse ato janë të njësuara në Zotin, të cilit i përkushtohemi krejtësisht.
"Pa kushte, për të mirën e njerëzimit, heqim dorë nga vullneti ynë, heqim dorë nga interesat tokësore, lirohemi nga lidhjet e botës së jashtme dhe marrëdhëniet me ta, të cilat shumë herë pengojnë apo prishin edhe nismat më fisnike".
Të përvuajturat nuk dyshojnë aspak se nuk do të kenë mundësi t'u përgjigjen dëshirave të tyre, pasi mënyra me të cilën dëshirojnë të jetojnë në bashkësi është e thjeshtë dhe e përvuajtur, madje e miratuar në shumë vende të Austrisë, prej pushtetit kishtar dhe atij laik. Të nënshkruarat e ndiejnë se janë të frymëzuara prej Zotit për të zgjedhur Urdhrin e Tretë të shën Françeskut serafik, të cilin me aq sa kanë mundur, e kanë njohur dhe e kanë praktikuar shumë vite më parë, pasi ky urdhër në radhë të parë është për ata që kushtimin e tyre e praktikojnë në botë.
Të nënshkruarat e përvuajtura mendojnë, se me fjalët e shprehura kanë paraqitur në mënyrë të mjaftueshme lutjen e tyre të përvuajtur. Faktikisht ato dëshirojnë që të bashkohen në jetën rregulltare për ta edukuar rininë me shpirtin e përvujtërisë dhe të vetëmohimit.

Themelimi
Kur Antonia Lampel dhe shoqet e saja themeluan bashkësinë e tyre rregulltare, Antonia dëshironte që Kisha ta miratonte mënyrën e jetës së tyre deri atëherë të jetuar. Ajo nuk ka dashur të imitojë ndonjë kongregatë, por vetëm që, edhe në të ardhmen, të mbahen Rregulloret e Urdhrit të Tretë, ashtu siç i mbanin edhe më parë. Antonia i ka shtuar vetëm disa pika të tjera, që kishin të bënin me rendin e kuvendit dhe mbajtjen e kushteve.
Sipas Antonias kuvendi duhej drejtuar prej motos: “E kushtoj veten time për ta”, kjo fjalë e Krishtit ka pasur vlerë të lartë për të. Motrat e saja duhej të drejtoheshin me dëshirë kah shenjtëria, kah bashkimi me Zotin, jo edhe aq për shkak të tyre, sesa për arsye të përmbushjes së detyrës që kishin marrë përsipër.
Ne duhet të jemi të përvuajta, sinqerisht, të jemi të vogla para Zotit, që Ai të na marrë në duart e Tij të fuqishme e kështu Ai vetë, së bashku me ne, t'i edukojë fëmijët. Gjithsesi, ne e dimë se bekimi duhet të vijë prej së larti, prej Atit të Dritës. Posa ta harrojmë këtë gjë, do ta ndiejmë se jemi të paafta”.
Në themelimin e kësaj bashkësie rregulltare, Antonia si të vetmin qëllim kishte që t’i ndihmonte anëtaret për një punë më intensive dhe më të frytshme, në nder dhe lavd të Zotit dhe për të mirën e shpirtrave, me një fjalë për apostullim.
Papa Gregori XVI me shkresën e tij të datës 15 korrik 1843, lejoi themelimin e “Institutit të Motrave Shkollore të Urdhrit të Tretë të shën Françeskut në Grac”, si dhe Statutet e parashtruara.
Kështu me 29 shtator 1843, Antonia Lampel (Nëna Françiska), me ndihmën e arqipeshkvit Roman Sebastian Zängerle, themeloi në Grac bashkësinë tonë rregulltare.
Nën udhëheqjen e eprores së dytë, Nënës Agnesa Pfund u paraqiten ndryshime rreth botëkuptimit të jetës rregulltare lidhur me detyrat e edukimit. Kështu pasi ato çuan në tensione brenda bashkësisë, nëna Françiska e braktisi Institutin me qëllim që të shpëtojë unitetin e bashkësisë. Tre muaj më vonë ajo vdiq nga “tuberkulozi në mushkëri”.

Degëzimet
Nga Kongregata e Motrave Shkollore të Gracit janë ndarë institute të pavarura:
1860 – Vöcklabruck
1869 – Maribor
1888 – Çeki

Provinca brenda Kongregatës së Motrave Shkollore:
Që nga viti 1857 në Shtajermark dhe në vendet e tjera, në mëyrë të vazhdueshme u themeluan filialet e reja. Ndryshimet politike dhe pjesërisht largësitë e mëdha territoriale, çoi në ndarjen në provinca.
Në vitin 1923 u themeluan Provinca e Austrisë dhe ajo e Sllovenisë.
Në vitin 1929 u themelua Provinca e Brazilit.
Në vitin 1965 u themelua Provinca e Malit të Zi.
Në vitin 1968 rajoni i Francës dhe i Afrikës jugore.

Më 4 korrik 1954 – me shkresën e Romës jemi të njohura si “KONGREGATA E FRANÇESKANEVE TË ZOJËS SË PAPËRLYER”.
Prej provincës së Malit të Zi motrat kanë ardhur në Shqipëri më 06.04.1992.
Nga ardhja në Shqipëri provinca e Malit të Zi ka themeluar këto bashkësi, që kryejnë këto aktivitete:
Në Hot të Ri – Arqipeshkvia metropolitane e Shkodër-Pultit – veprojmë: katekizëm, udhëheqjen e këndimit kishtar, kopshtin e fëmijëve, kurse të gjuhëve të huaja, kompjuter, kuzhinë, rrobaqepësi dhe ndihmë sociale për ata që kanë më shumë nevojë.

Në Shkodër: Lagjja Ndoc Mazi, Rruga Kongresi i Lushnjes, nr. 63 – shtëpi formimi për kandidatet dhe motrat që kryejnë studimet e larta. Përveç kësaj bashkësia kryen edhe disa veprimtari: katekizëm, udhëheqjen e korit, mirëmbajtjen e kishës famullitare (Zoja Rruzare), vizitë dhe ndihmë të moshuarve e të sëmurëve etj.

Në Tiranë veprojmë në Nunciaturën Apostolike dhe në Arqipeshkvinë Tiranë-Durrësit udhëheqjen dhe mirëmbajtjen e amvisnisë dhe katekizëm, gjithashtu të njëjtën veprimtari e zhvillojmë edhe në Administraturën e Jugut në Fier.

Në Kallmet – Në Administraturën e Lezhës bëjmë këto aktivitete: katekizëm, kopsht fëmijësh, shkollë fillore, mirëmbajtjen e kishës, udhëheqjen e korit, kurse kuzhine, rrobaqepësie, vizita dhe ndihmë të sëmurëve dhe të varfërve.

Në Lezhë jemi duke ndërtuar kuvendin dhe shkollën 8 – vjeçare.


ADRESAT:
KONGREGATION DER FRANZISKANERINNEN VON DER UNBEFLECKTEN EMPFÄNGNIS
Eggenberg - Georgigasse 84, 8020 Grac Austria
E-mail: generalat@schulschwuestern.at
PRESENTATION www.schulschwestern.at

CRNOGORSKA PROVINCIJA FRANJEVKI BEZGREŠNOG ZAČEĆA
Ul.Vojvode Boža 34, 81250 Cetinje
CRNA GORA - MONTENEGRO
E-mail
: franjevke@cg.yu

MOTRAT FRANÇESKANETË ZOJËS SË PAPËRLYER
Lagjja Ndoc Mazi
Rruga Kongresi i Lushnjes
SHKODER – ALBANIA
E-mail: bashksiashkoder@hotmail.com







All the contents on this site are copyrighted ©.