2013-05-31 15:03:15

Atë Ayuso në Ankara: të rifillojë dialogu ndërfetar i miqësisë dhe i respektit


Rifillimi i dialogut ndërfetar, me frymë miqësie e respekti: për këtë qëllim u takuan zyrtarisht në Ankara të Turqisë, atë Miguel Angel Ayuso Guixot, sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe Drejtori i Drejtorisë për Çështjet fetare të Turqisë (Diyanet), Mehmet Görmez.
Takimi u organizua për vijimin e impenjimit, marrë në vitin 2001, kur në Romë u nënshkrua marrëveshja ndërmjet dikasterit vatikanas për Dialogun Ndërfetar dhe Diyanet. Pesë pikat kryesore të marrëveshjes janë: “Të nxitet mirëkuptimi ndërmjet feve, duke zhdukur keqkuptimet e paragjykimet në këtë drejtim; të mbrohet liria e fesë, e besojmës dhe e ndërgjegjes; të inkurajohen e të zhvillohen programe formimi, duke i lehtësuar lidhjet ndërmjet institucioneve akademike, që ofrojnë kurse fetare: të monitorohetvënia në jetë e këtyre marrëveshjeve, përmes takimeve periodike ndërmjet përfaqësuesve të të dyja palëve”.
Asokohe dokumenti qe nënshkruar nga kardinali Francis Arinze, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe nga Mehmet Nuri Yilmaz, që kryesonte Diyanet-in. Ndërsa tani, atë Ayso kujtoi fjalimin e Benediktit XVI drejtuar Diyanet-it, më 28 nëntor 2006, gjatë shtegtimit të tij apostolik në Turqi. Me këtë rast, Papa pati nënvizuar se Turqia është vend i dashur për të krishterët, sepse shumë bashkësi të lashta të Kishës u themeluan pikërisht në këto vise. Tokë fisnike, pati shtuar Papa Ratcinger, ku lulëzoi qytetërimi islamik në fusha nga më të ndryshmet. Benedikti XVI pati kujtuar edhe paraardhësit, nga Gjoni XXIII që, kur ishte përfaqësues papnor në Stamboll, pati thënë: “I dua turqit”, tek Gjon Pali II, që vizitoi Turqinë në vitin 1979. Së fundi, Benedikti XVI pati uruar një impenjim të përbashkët dialogu ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, si dhe i pati inkurajuar të dyja palët të ecin në këtë rrugë, me respekt e miqësi. Fjalë, këto, të përsëritura edhe nga Papa Françesku më 20 marsin e kaluar, gjatë takimit me përfaqësuesit e Kishave e të feve të tjera: “Kisha katolike, tha Papa Bergolio, është e vetëdijshme për rëndësinë që ka thellimi i miqësisë dhe i respektit ndërmjet burrave e grave të traditave të ndryshme fetare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.