2013-05-30 13:43:52

Çelësi i fjalëve të Kishës:Kushtetuta “Gaudium et Spes”


Në vazhdën e emisioneve tona për Koncilin II të Vatikanit, do të fillojmë sot t’ju flasim për dokumentet konciliare, të cilat – po e kujtojmë – janë përkthyer në shqip kohët e fundit. Sot, Kushtetuta “Gaudium et Spes” (Gëzimi dhe shpresa).
Kjo kushtetutë niset nga presupozimi se për të vazhduar veprën e Krishtit, Kisha duhet të shqyrtojë shenjat e kohës dhe t’i interpretojë gjithnjë në dritën e Ungjillit. Vetëm kështu, mund t’u përgjigjet gjithmonë pyetjeve të njerëzve për kuptimin e jetës. Në “Gaudium et Spes”, jeta fetare kërkon gjithnjë e më tepër bindjen personale, duke iu larguar konceptimit të saj si magji e bestytni. Në kohën kur u shkrua, me një reflektim që vlen edhe sot, kushtetuta konciliare vërente se shumë njerëz largohen nga feja e se ndarja ndërmjet fesë e jetës publike është një nga gabimet më të mëdha të epokës sonë (44). Është i nevojshëm një ungjillëzim i ri, vazhdonte, por çdo ungjillëzim bazohet në përshtatjen e predikimit me mendësinë e popujve që e dëgjojnë. Natyrisht, kjo vlen për formën, pasi përmbajtja e fesë mbetet ajo, që na ka përçuar në shekuj tradita e krishterë.
Njeriu bëhet më njeri përmes kulturës. Por si mund të përhapet e të ekzistojë një kulturë e re, pa e tradhëtuar traditën? (56) Kisha i përdor kulturat e ndryshme për të përhapur mesazhin e Krishtit, duke i qëndruar besnike traditës e duke pasur parasysh universalitetin e misionit të saj. (58) Prandaj, përkimi ndërmjet kulturës dhe formimit të krishterë mund të paraqesë vështirësi. Janë teologët ata, theksohet në “Gaudium et Spes”, që duhet të gjejnë mënyrën më të mirë për t’u komunikuar njerëzve doktrinën, pa ia ndryshuar përmbajtjen. (62)
Deri në rënien e Murit të Berlinit, në vitin 1989, Kishës i është dashur të përballojë formën e ateizmit të regjimeve të Evropës Lindore, pasojat e së cilës i kanë mirë parasysh shqiptarët, të cilët u persekutuan si asnjë popull tjetër, pikërisht për shkak të fesë. Sot, pas rënies së komunizmit, edhe ateizmi e ka ndryshuar formën e vet, por nuk është zhdukur. Një nga më të përhapurit, është ateizmi praktik, për të cilin Zoti ekziston, por është krejtësisht jashtë jetës së përditshme, e cila jetohet sipas kritereve, që nuk varen nga feja. Pasojë e kësaj mënyre veprimi është homologimi, pra, ateisti praktik varet nga gjithçka mendojnë të tjerët.
Tjetër formë e ateizmit rrjedh nga përzierja e kulturës perëndimore me teknikat kundruese lindore, të cilat çojnë drejt humbjes së identitetit për ta shkrirë vetveten me një lloj universi të harmonishëm. Për të arritur në këtë pikë, nganjëherë, përdoren edhe ilaçe, që krijojnë haluçinacione. Edhe në këto raste, kushtetuta “Gaudium et Spes” këshillon të dëshmohet konkretisht çdo të thotë të jetosh si i krishterë. Një shembull i tillë mund të jetë një çift i martuar prej shumë vitesh, që pavarësisht nga rrethanat e jetës, vazhdon të duhet e madje edhe më fort, duke dhënë një dëshmi të mrekullueshme të krishterë për pazgjidhshmërinë e martesës.
Kushtetuta “Gaudium et Spes” ishte përpjekja e Kishës për të reflektuar mbi jetën së bashku me epokën, që jetojmë edhe sot. Për të, i Lumi Gjon Pali II thoshte: “Nuk kishte ndodhur kurrë, në historinë dymijëvjeçare të Kishës, që një Koncil ekumenik të tregonte shqetësim kaq të thellë baritor për ngjarjet tokësore të njerëzimit. Prej këndej rrjedh interesi i veçantë, që zgjoi kjo Kushtetutë, nga dalja. Nga ana tjetër, pa u kufizuar në konsiderata thjesht historike e sociologjike, Etërit konciliarë përballuan gjerësisht, në këndvështrimin teologjik, pyetjet themelore, të cilat e shqetësojnë gjithmonë zemrën njerëzore: ‘Ç’është njeriu? Ç’kuptim ka dhimbja, e keqja, vdekja, të cilat vazhdojnë të ekzistojnë, pavarësisht nga përparimet?’(10). Duke hetuar kështu, “misterin e njeriut” në dritën e Fjalës së Zotit, e impenjuan, e madje fuqimisht, bashkësinë e krishterë për të dhënë një kontribut specifik që krejt familja e njerëzve ‘të bëhet më njerëzore’. (40)”







All the contents on this site are copyrighted ©.