2013-05-30 12:27:06

Zoti Jezus duke na dhuruar vetveten , na jep gjithçka!


Në Korpin e Krishtit - Eukaristi, kemi rrugën për përtëritjen e zemrës njerëzore e realitetin shoqëror. Eukaristia e bën njeriun një gjë të vetme me Jezusin e, mbi gjurmët e Krishtit, e shndërron në dhuratë për të tjerët, në mjet, për unitetin e familjes njerëzore. Këtë thekson Kisha në kremtimin e Solemnitetit të Corpus Domini. Në Eukaristi ndodh shndërrimi i dhuratave të kësaj toke me ato Hyjnore – bukës e verës në Korpin e Gjakut e Jezu Krishtit – që e shndërrojnë, pastaj edhe jetën tonë njerëzore, për të përuruar kështu shndërrimin e botës. Në solemnitetin e Korpit të Krishtit, Kisha i fton të gjithë të meditojnë për misterin e Krishtit, që dhuron vetveten mbi Kryq, duke e shpëtuar njerëzimin e duke i treguar rrugën e shëlbimit. Një ngjarje, kjo e Kalvarit që Zoti e përshpejton dhe e përsërit në themelimin e Eukaristisë, në të cilën buka e thyer dhe vera e derdhur në kelk, bëhen Korpi e Gjaku i Krishtit, udhë e mjet për bashkimin me Të e shtegu i vetëm i shpëtimit. Gjithçka niset nga Zemra e Krishtit i cili, në Darkën e Mbrame me apostujt, një natë para mundimeve, e falënderoi dhe e lumnoi Hyjin Atë e, duke bërë kështu, me pushtetin e dashurisë së tij, e shndërroi kuptimin e vdekjes, që e priste. Për dashuri Krishti i pranoi vullnetarisht mundimet, me të gjithë tmerrin e dhunën e tyre, deri në vdekje. Deri në kryq. Duke e pranuar në këtë mënyrë, e shndërroi kryqin në akt dhurimi. E ky është shndërrimi, për të cilin ka nevojë njerëzimi, sepse ia shëlbon shpirtin, i hap përmasat e Mbretërisë së Qiellit, përmasën e përjetësisë. Por këtë përtëritje të botës, Zoti dëshiron ta realizojë gjithnjë përmes së njëjtës udhë, në të cilën eci Jezusi, asaj udhe, që është Ai vetë.
Prandaj Zoti i dorëzon botës dhuratën e Eukaristisë, për t’u krijuar të gjithë njerëzve mundësinë e çlirimit nga mëkati e për t’u dhënë dhuratën e shëlbimit. Krishterimi nuk njeh udhë të shkurtra, gjithçka kalon përmes logjikës së përvuajtur e durimtare të kokrrës së grurit, që copëtohet, që dhurohet e ofron veten për të dhënë jetë; logjikës së fesë, që luan nga vendi malet me forcën e Zemrës së butë e të përvuajt të Zotit Jezu Krisht. Prandaj Zoti dëshiron të vijojë ta përtërijë njerëzimin, historinë e kozmosin, përmes këtij zinxhiri shndërrimesh, Sakramenti i të cilave është Eukaristia. Me anën e bukës e të verës së shuguruar, gjatë kremtimit të Meshës, në të cilat është realisht i pranishëm Korpi e Gjaku i Tij, Krishti na shndërron, na bën një gjë të vetme me vetveten, na përfshin në veprën e tij të shëlbimit, duke na bërë të aftë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, të jetojmë sipas së njëjtës logjikë të dhurimit, si kokrra e grurit, të shkrirë me Të e në Të. Kështu mbillen e piqen, në brazdat e historisë, bashkimi e paqja, cak drejt të cilit shkojmë, sipas planit të Zotit.
Për ta bërë më të kuptueshme dinamikën e bashkimit eukaristik, po kujtojmë një fragment nga vepra e Shën Agostinit, i cili na ndihmon ta kuptojmë dinamikën e bashkimit eukaristik, kur kujton një lloj vegimi, që pat, në të cilin Jezusi i tha: ‘Unë jam shujta e të fortëve! Rritu, e do të të ushqej! Ti nuk do të më shndërrosh mua në ty, si ushqim të trupit, por do të shndërrohesh ti vetë në Mua! Kështu, pra, ndërsa ushqimi, që marrim çdo ditë, asimilohet nga organizmi ynë dhe i jep jetë, në rastin e Eukaristisë, është fjala për një tjetër lloj buke: nuk jemi ne, që e asimilojmë atë, por është ajo, që na asimilon ne, kështu që bëhemi një me Jezu Krishtin, gjymtyrë të Korpit të Tij, një gjë e vetme me Të”.
Kur marrim Kungimin, Krishti na shndërron në vetveten. Në këtë takim, ne bëhemi plotësisht të Tijtë, çlirohemi nga adhurimi për vetveten tonë të vogël e shkrihemi në Vetjen e Jezusit. Kështu Eukaristia, ndërsa na bashkon me Krishtin, na i hap zemrat për të pranuar edhe të tjerët, deri në atë pikë, sa të mos jemi më të ndarë, por një gjë e vetme në Të. Kush e pranon Jezu Krishtin në Hosten Shenjte, e pranon në vëllain, që vuan, që ka uri, etje, që është i huaj, i zhveshur, i sëmurë, i burgosur; e është i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, që impenjohet, në mënyrë konkrete, për të gjithë nevojtarët. Nga dhurata e dashurisë së Krishtit, buron përgjegjësia jonë e posaçme e krishterë për ndërtimin e një shoqërie solidare, të drejtë, vëllazërore. Posaçërisht në kohën tonë, kur globalizimi na bën gjithnjë më të varur nga njëri-tjetri, krishterimi mund e duhet të veprojë në mënyrë që ky bashkim të mos ndërtohet pa Zotin, domethënë, pa Dashurinë e vërtetë. Ungjilli synon gjithnjë të krijojë unitetin e familjes njerëzore, duke u nisur nga ndjesia e përgjegjësisë për njëri-tjetrin, sepse Sakramenti i Elterit, që e ndajmë së bashku, na mësoi e vijon të na mësojë, se dashuria është rruga e vërtetë e drejtësisë dhe e paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.