2013-05-30 21:38:02

Papa në Solemnitetin e Korpit të Krishtit: “Nuk duhet të kemi frikë nga solidariteti”


“Në Eukaristi Zoti na bën të përshkojmë udhën e Tij, udhë e shërbimit, e bashkëndarjes, e dhurimit”. Papa Françesku, në Meshën e Solemnitetit të Corpus Domini, kremtuar në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, i porositi besimtarët ta ndjekin Jezusin e ta dëgjojnë, edhe për të mësuar vlerën e fjalës ‘solidaritet’. Në përfundim të ritit, Ati i Shenjtë kryesoi procesionin dhe bekimin eukaristik në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.
Kështu, nga Pashkët tek Ngjitja e Krishtit në qiell, nga Rrëshajët tek e Shenjtnueshmja Trini e deri në Solemnitetin e sotëm të Corpus Domini, që në Itali e vende të tjera të botës së krishterë, përfshirë Shqipërinë, do të kremtohet të dielën e ardhshme (duke u krijuar të gjithë besimtarëve mundësitë për të ndjekur meshët e procesionet tradicionale) Kisha çdo vit e udhëheq të pagëzuarin nga një mister tek tjetri, në mënyrë që gjatë kohës së zakonshme të mos e harrojë për asnjë çast burimin e cakun e jetës së tij të krishterë.

Solemniteti i Korpit e i Gjakut të Krishtit është takim i rëndësishëm feje për çdo bashkësi të krishterë. Festa lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore me qëllim që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e gjallë e të vërtetë, të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Është, pra, festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht Zotin i cili, në Sakramentin eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit, deri në dhurimin e Korpit e të Gjakut të vet (Sacramentum caritatis, 1).
Kremtimi eukaristik i solemnitetit rikrijon atmosferën shpirtërore të së Enjtes së Madhe, na çon në Çenakull, ku Krishti themeloi Eukaristinë. Corpus Domini është rikthim në misterin e së Enjtes së Madhe, gati-gati si të donim t’i bindeshim ftesës së Jezusit për ta predikuar nga pullazet, atë që ai na e ka thënë në vesh”(cfr. Mt. 10,27). Apostujt e morën dhuratën e Eukaristisë në intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk u shtrua vetëm për ta. Rreth asaj sofre ishin të ftuar të gjithë njerëzit e botës, ftesë që e nxit Kishën ta ekspozojë vazhdimisht Sakramentin, në mënyrë që çdo njeri të mund ta takojë Jezusin, i cili kalon sot nëpër rrugët tona, ashtu si kalonte nëpër rrugët e Galilesë, të Samarisë e të Judesë e që gjithkush, duke e marrë në zemër, të shërohet e të përtrihet nga forca e dashurisë së tij. Kjo është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashterrshme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme” (Mësime, V[1967], fq. 779).
Ati i Shenjtë Françesku, që e kremtoi për herë të parë si Papë solemnitetin, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, e filloi homelinë me një shprehje të Jezusit, shkëputur nga Ungjilli i Shën Lukës: “Jepuni ju të hanë!”(Lk 9,13). E, si zakonisht, duke u nisur nga fraza ungjillore, e mbështeti gjithë homelinë mbi tri fjalë, si tri shtylla: ndjekje, bashkim, bashkëndarje.
“Po kush ishin ata, që u duhej dhënë për të ngrënë?”. Përgjigjen, shpjegoi Papa, e gjejmë në krye të fragmentit ungjillor: turma, moria e njerëzve. Jezusi është mes tyre, u flet, i kujdes, u dëshmon mëshirën e Zotit; zgjedh Dymbëdhjetë Apostuj, për t’i pasur pranë e për të hyrë në thellësi të situatave konkrete të botës. E turma i shkon pas, e ndjek, e dëgjon, sepse Jezusi flet e vepron në një mënyrë krejt të re, me autoritetin e Atij, që flet e vepron sipas së vërtetës, që jep shpresën e Hyjit, zbulon fytyrën e Zotit-Dashuri. E njerëzia e bekon Zotin me gëzim. Sonte, vijoi Papa, ne jemi turma e Ungjillit, që e ndjek pas Jezusin për ta dëgjuar, për të hyrë në bashkim me Të në Eukaristi, për ta shoqëruar, që të na shoqërojë:
“Ta pyesim veten: ‘Si e ndjek Jezusin?’. Jezusi flet në heshtje në Misterin e Eukaristisë, na kujton se ta ndjekim, do të thotë të dalim nga vetvetja e ta bëjmë jetën jo pronë tonën, po dhuratë, për Të e për të tjerët”.
Homelia vijoi me pyetjen: “Nga lind ftesa e Jezusit drejtuar dishepujve për ta shuar urinë e turmës?”. Lind nga dy elemente, sqaroi Papa: së pari nga turma, që ndjek Jezusin, larg viseve të banuara, ndërsa mbi të bie muzgu; së dyti nga shqetësimi i dishepujve të Jezusit. Ata duan ta shpërndajnë turmën, që të gjejë strehë e ushqim në fshatrat përreth (cfr Lk 9,12). Në këtë çast, shpjegoi Papa, sipas dishepujve, secili duhet të mendonte për vete. Për strehën e vet. Bukën e vet. Duke u ndarë nga turma:
“Sa herë tundohemi kështu edhe ne, të krishterët. Nuk duam të marrim mbi vete nevojat e tjetrit. Mjaftohemi me një “Zoti të dhashtë!”, para se të ndahemi”.
Po Jezusi kërkon zgjidhjen, që i mrekullon dishepujt: “Jepuni ju vetë të hanë”.
Dishepujt çuditen, vijoi Papa, duke shpjeguar episodin e pesë bukëve e dy peshqve, me të cilët nuk mund ta shuajnë urinë as pesë vetë. Është një çast bashkimi të thellë: turma, e etur për fjalën e Zotit, shujtohet tani me bukën e Tij të jetës. E shuan plotësisht urinë. Sonte edhe ne jemi rreth sofrës së Zotit, sofrës së Flisë Eukaristike, në të cilën Ai na e jep edhe një herë Korpin e vet, e bën të pranishme të vetmen fli të Kryqit:
“Duke dëgjuar Fjalën e Tij, duke u ushqyer me Korpin e Gjakun e Tij, shndërrohemi nga mori, në bashkësi; nga turmë, në bashkim”.
Eukaristia është sakramenti i bashkimit, na bën të dalim nga vetvetja, për ta ndjekur së bashku Zotin, fenë e Tij:
“Atëhere pyetja që duhet t’i bëjë secili vetes është: si e jetoj Eukaristinë? E jetoj në mënyrë anonime, apo si çast bashkimi të vërtetë me Zotin e edhe me vëllezërit e motrat, mbledhur rreth së njëjtës sofër? Si janë kremtimet tona eukaristike?”.
E pasuar nga pyetja tjetër: prej nga lind shumëzimi i bukëve? Përgjigjen, nënvizoi Papa, e gjejmë në ftesën e Jezusit drejtuar dishepujve: “Jepini ju vetë...”. Jep, ndaj me të tjerët. Si mund ta ndajnë dishepujt me të tjerët atë pak gjë, që kanë: pesë bukë e dy peshq? Po Jezusin nuk e lëshon zemra: larton sytë nga qielli, i bekon bukët i thyen e ua jep dishepujve t’i ndajnë. Dy bukë e pesë peshq, në duart e Zotit, ia shuajnë urinë gjithë asaj morie njerëzish. Duke i çuditur dishepujt, kur shikojnë se edhe ajo pak gjë, që kanë, me besim në fjalën e Krishtit, mund ta kënaqë turmën:
E kjo do të thotë se në Kishë, por edhe në shoqëri, fjala kyçe, nga e cila nuk duhet të kemi frikë, është ‘solidaritet’, do të thotë t’i lëmë në dorë të Zotit aftësitë tona të përvuajtura, sepse vetëm duke i ndarë me të tjerët, duke i dhuruar, jeta jonë do të japë fryt. Solidaritet: fjalë, që shikohet vëngër nga mendësia e botës”.
Sonte, kujtoi Papa, Zoti na jep përsëri bukën, që është Korpi i Tij, na dhurohet përsëri. E edhe ne provojmë ‘solidaritetin e Zotit me njeriun’, që nuk shteron kurrë, që na mrekullon gjithnjë: Zoti vjen pranë nesh, në flinë e Kryqit; ulet, duke hyrë në errësirën e vdekjes, për të na dhënë jetën e vet, që ngadhënjen mbi të keqen, mbi egoizmin, mbi vdekjen. Jezusi edhe sonte na dhurohet në Eukaristi, ecën me ne, bëhet ushqimi ynë, buka e jetës, pa të cilën nuk do të mund të ecnim, kur rruga, tejet e përpjetë, na i pengon fort hapat:
“Në Eukaristi Zoti na bën të ecim në rrugën e Tij, në rrugën e shërbimit, të solidaritetit, të dhurimit; e ajo pak gjë, që kemi; ajo pak e gjë, që jemi, në se ndahet, bëhet pasuri, sepse pushteti i Zotit, pushtet dashurie, zbret mbi varfërinë tonë, për ta shndërruar!”.
Ndjekje, bashkim, solidaritet!

Të lutemi, tha në përfundim Ati i Shenjtë, që pjesëmarrja në Eukaristi të na provokojë gjithnjë: për ta ndjekur Zotin çdo ditë, për të qenë mjete bashkimi e për të ndarë me Të e me të afërmin tonë, atë që jemi. Atëherë jeta jonë do të ngarkohet me fryte. Amen!
Pas Meshës nisi procesioni eukaristik, që u përshkua nëpër rrugën Merulana, për të arritur, në këmbë, Papa e besimtarët, tek një bazilikë tjetër madhështore, ajo e Shën Marisë së Madhe. Procesionit i printe Kryqi, rrethuar nga ministrantët me qirinj, pasuar nga besimtarë, ardhur nga të katër anët e botës katolike. Ndërmjet tyre: skautë, anëtarë të Shoqërive të përshpirtshme, fëmijë të cilët sapo kanë marrë Kungimin e parë, Kalorës të Varrit të Shenjtë e sa e sa të tjerë, natyrisht pa kujtuar këtu njerëz të Kishës të të gjitha rangjeve e gradave: që nga rregulltarët e rregulltaret, tek famullitarët, nga priftërinjtë tek kardinajtë e Kuries Romake. Besimtarët u nisën pas të Shenjtnueshmit Sakrament, duke u lutur e duke kënduar himne, drejt bazilikës së Shën Marisë së Madhe, për të shprehur simbolikisht se të gjithë jemi shtegtarë kah Atdheu qiellor. Nuk jemi vetëm në këtë shtegtim: me ne është Jezusi, buka e jetës: buka e engjëjve, buka e shtegtarëve. Krishti na ushqen shpresat e na ndihmon në këtë shtegtim drej qiellit, drejt Kishës qiellore.







All the contents on this site are copyrighted ©.