2013-05-30 14:36:56

Notë e atë Lombardit: Homelitë e Papës në Shtëpinë e Shën Martës nuk do të transmetohen drejtpërdrejt


Interesi i madh, që zgjojnë homelitë e Papës Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, ka sjellë kërkesa nga më të ndryshmet për të marrë pjesë në atë kremtim, apo për ta pasur homelinë e plotë e jo vetëm përmbledhjen e publikuar çdo ditë nga Radio Vatikani dhe nga gazeta “L’Osservatore Romano”.
Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi u përgjigj me një notë, ku sqaron se mesha e mëngjesit është menduar nga Papa Bergolio për një grup të vogël besimtarësh, rreth 50 vetë, prandaj ka karakter familjar. Vetë Papa ka kërkuar të mos transmetohet drejtpërdrejt. Homelitë nuk janë të shkruara, por të shqiptuara nga Ati i Shenjtë pa letër, prandaj janë tekst i folur. Shndërrimi i tij në një tekst të shkruar do ta ndryshonte homelinë, thekson atë Lombardi, e do ta bënte atë “diçka tjetër” nga origjinali. Prandaj, Papa Françesku ka ndërmend ta ruajë formën e deritanishme, pa u dhënë homelive të mëngjesit rëndësinë që kanë pronuncimet e tij publike.







All the contents on this site are copyrighted ©.