2013-05-29 16:34:36

Papa në audiencën e përgjithshme uroi që Kisha të jetë e pasur me familje, që përhapin dashurinë e Zotit.


Zoti është gjithnjë gati të falë, sepse, sipas planit të Tij, dëshiron ta bëjë njerëzimin dhe Kishën, një familje të vetme. E pohoi sot paradite Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 90 mijë vetëve. Ndërmjet tyre, 350 shtegtarët shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, diaspora e Zvicrës dhe e Italisë, ardhur në Romë, kryesuar nga Barinjtë, për shtegtimin drejt Gjenacanit, takimit me Pajtoren tonë, Zojën e Këshillit të Mirë. Ndërmjet shtegtarëve shqiptarë, natyrisht, ishte edhe mikrofoni i Programit shqip pranë Radio Vatikanit.Të diel, shtegtarët u takuan me Nënën. E sot, me Atin, Papën Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit. Në mes të një turme, nga të katër anët e botës, nën një shi të imtë, që vijoi gjatë gjithë kohës kur Papa, në xhipin e tij të zbuluar, përshkoi Sheshin, për t’u takuar nga afër me shtegtarët. Turma, e mbrojtur nga një mori çadrash, që dukeshin si lule të çelura në Sheshin e madh, u çudit duke parë se Ati i Shenjtë e vijoi qetësisht takimin, duke u lagur më shumë se të gjithë. Ishte pamje e rrallë, dëshmitarë të së cilës qenë edhe shqiptarët, që gjithashtu s’pyesnin fare për shiun, në sa ndiqnin turmën me qindra duar të zgjatura, për të shtrënguar dorën e ngrohtë të Papës.
Në përfundim të audiencës, Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët për të marrë pjesë në Meshën solemne të Korpit të Krishtit, që do ta kryesojë nesër mbrëma në Bazilikën e Shën Gjonit, në Lateran.

E përsërisim. Ishte pamje e rrallë. Figura e bardhë e Françeskut mbi xhip, që shkëmben pa u ngutur fare përshëndetje, shtrëngon duar, merr e jep buzëqeshje të ngrohta, nën shiun e kësaj pranvere të ftohtë u bë vetvetiu personifikim i atij Pape të mirë, për të cilin do të fliste pakëz më vonë, gjatë katekizmit. Tema e ditës ishte e thjeshtë dhe e qartë: të shpjegonte pse Kisha quhet e është familje e Zotit. Reflektimi i Papës arriti një pikë kulmore kur, me thjeshtësinë e tij plot ëmbëlsi, pohoi se edhe njerëzve të Kishës, barinj e besimtarë, nuk u mungojnë ligështitë, të vogla e të mëdha e se edhe në Kishë...
“... ka të meta, cene, mëkate: edhe Papa i ka, madje ka shumë, por e bukura është kur ne kujtohemi se jemi mëkatarë, kërkojmë e gjejmë mëshirën e Zotit, i cili na fal gjithnjë. Mos e harroni! Zoti fal gjithnjë e na pret gjithnjë në gjirin e dashurisë, të ndjesës, të mëshirës. Disa thonë se mëkati është fyerje ndaj Zotit, por edhe mundësi përvujtërie, që të kujtohesh për një gjë edhe më të bukur: për mëshirën e Zotit. Ta mendojmë këtë!”.
Njerëzit e mendojnë, e sidomos e shikojnë Bariun si shëmbëllim të figurës së Zotit, të mirësisë së Hyjit, ashtu si ati i shembëlltyrës, i cili nuk e dënon, por përkundrazi, e merr ngrykë të birin, që kthehet përsëri në krahët e tij. E kjo, sepse plani i Zotit, shpjegoi Papa Françesku…
“... është t’i bëjë të gjithë një familje të vetme, ku secili e ka pranë Atin, e ndjen dashurinë e Tij, si në shembëlltyrën ungjillore, ndjen ngrohtësinë e pjestarit të familjes së Hyjit”.
Në këtë plan të madh, vijoi Papa Françesku, i ka rrënjët e veta edhe Kisha, e cila nuk është organizatë e lindur sipas marrëveshjes së disa njerëzve, por, siç na e kujton Benedikti XVI, është vepër e Hyjit, që lind nga plani i tij i dashurisë e realizohet progresivisht në histori:
Kisha është familja, në të cilën duam e duhemi. Edhe sot e kësaj dite ka nga ata, që thonë: ‘Krishti po, Kisha jo!’. E ka edhe nga ata, që thonë: ‘Besoj në Zotin, por jo në priftërinjtë’. Po si u besoka, pa Kishë? Sepse është pikërisht Kisha, ajo që na e jep Krishtin e na çon tek Hyji. T’i kërkojmë Zotit, në mënyrë të posaçme në këtë Vit të fesë, hirin që bashkësitë tona, mbarë Kisha, të jenë gjithnjë më shumë familje të vërteta, që e jetojnë dhe e mbartin në shpirt ngrohtësinë e Hyjit”.
Tema e Kishës si familje e nxiti Papën të bëjë lutje e urime, gjatë sintezës së katekizmit në gjuhë të ndryshme.
Të rinjve polakë, ua paraqiti Zotin, si model të çdo atësie, duke shtuar: “Atësia është dhuratë e Zotit e përgjegjësi për të dhënë jetë të re, shembëllesë e papërsëritshme e Hyjit. Mos kini frikë të jeni prindër!”.
Përmes besimtarëve francezë, mesazhi i Papës iu drejtua realiteteve të Kishës në tërësinë e saj, të gjithë besimtarëve, që ta ndjejnë veten bij, por edhe rojtarë:
“Duajeni Kishën, ashtu si e deshi Jezusi, që dhuroi jetën për të e i ndikoi gjithë dashurinë e Tij. Mos ngurroni ta mbroni, të shkrini jetën për të, të viheni në shërbim të saj, ta bëni më vëllazërore, më mikpritëse”.
Ftesa e fundit iu drejtua besimtarëve të Romës dhe të gjithë shtegtarëve, për të marrë pjesë në festën e Korpit të Krishtit, që do të kremtohet nesër. Në orën 19.00 Papa Françesku do të jetë në elterin e Bazilikës së Shën Gjonit, në Lateran, për Meshën solemne. Do t’i prijë, pastaj, sipas traditës qindravjeçare, procesionit, deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Është, shpjegoi Papa, një akt besimi të thellë ndaj Eukaristisë, që përbën thesarin më të madh të Kishës e të njerëzimit”.











All the contents on this site are copyrighted ©.