2013-05-29 16:47:09

Papa Françesku: ta mundim tundimin e Kishës pa kryq; trumfalizmi e ndal në vend Kishën


Triumfalizmi e ndal Kishën në vend: është tundimi i krishterimit pa kryq, ndërsa Kisha duhet të jetë e përvuajtur. Këtë pohoi sot Papa gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Të pranishëm, disa punonjës të Governatoratit.

Ungjilli i ditës tregon se Jezusi, duke u ngjitur me dishepujt kah Jeruzalemi, u kumton mundimet, vdekjen e ngjalljen e Tij. Është udha e fesë. Dishepujt, shpjegoi Papa në homeli, kanë plane të tjera, mendojnë të bëjnë vetëm gjysmën e rrugës, besojnë se është më mirë të ndalen e të diskutojnë si ta sistemojnë Kishën, si ta rregullojnë punën e shëlbimit. Kështu, Gjoni e Jaku i kërkojnë Krishtit të ulen, në Lavdinë e Tij, njëri në të djathtën e tjetri, në të majtën e Zotit, duke ndezur, kështu, diskutimin e të tjerëve për rolin e secilit prej tyre në Kishë. Dishepujt tundohen, njëlloj si u tundua Jezusi në shkretëtirë, kur djalli e joshi për të ecur në një udhë tjetër: “Bëje gjithçka shpejt e shpejt, bëj një mrekulli, diçka që ta shikojnë të gjithë. Të shkojmë në Tempull e bëju parashutist pa parashutë, kështu të gjithë do ta shikojnë me sytë e tyre mrekullinë, e mbaron puna: shëlbohen të gjithë”.
Është edhe tundimi i Pjetrit në çastin e parë, kur nuk do t’i pranojë mundimet e Krishtit, nuk do ta dëgjojë fjalën ‘Kryq’.
E është tundimi i një krishterimi pa Kryq, që ndalet në mes të udhës.
Por ka edhe tundime të tjera; tundimi i krishterimit me kryq, por pa Krisht, për të cilin, shpjegoi Papa, do të flas një herë tjetër. Tundimi i krishterimit pa kryq, i joshjes për të qenë të krishterë, që ndalohen në mes të udhës, Kishë që mbetet në mes të udhës, që nuk do të mbërrijë atje, ku do Ati, është tundimi i triumfalizmit. E duam triumfin në çast, pa shkuar tek Kryqi, triumf ashtu si e kupton bota, triumf i arsyeshëm:
Triumfalizmi në Kishë e ndal në vend Kishën. Triumfalizmi në të krishterët, i ndalon në mes të rrugës të krishterët. Është Kishë triumfaliste, Kishë në gjysmë të udhës, Kishë që ndjehet e lumtur kështu, e rregulluar mirë e bukur! Me të gjitha zyrat e duhura. Gjithçka në rregull, gjithçka për bukuri, e? E aftë. Por një Kishë që mohon martirët, nuk e di se martirët janë të nevojshëm në Kishë, për të kuptuar udhën e Kryqit. Një Kishë, që s’mendon për tjetër, veç për triumfe, suksese, nuk e di këtë rregull të Jezusit: rregullin e triumfit përmes dështimit, dështimit njerëzor, dështimit të Kryqit. E ky është tundim që, nga pak, e kemi të gjithë”.
Papa, pastaj, kujtoi një çast të posaçëm të jetës së tij:
Kujtoj një herë, kur kaloja një çast të errët të jetës sime shpirtërore e kërkoja hirin e Zotit. Pastaj shkova t’u predikoj ushtrimet shpirtërore motrave e, ditën e fundit, i rrëfeva. Erdhi të rrëfehej një motër e moshuar, më se 80 vjeçe, por me dy sy të kthjelltë, plot dritë: ishte grua e Zotit. Në fund, si e pashë mirëfilli se ishte vërtet grua e Zotit, i thashë: ‘Po, moj motër, si pendesë, po të porosis të lutesh për mua, sepse kam nevojë për një hir, e? Nëse ia kërkon ti, Zoti do të ma japë patjetër!’. Ajo u ndalua një çast, si të donte të lutej, e më tha: “Sigurisht që Zoti do të ta japë hirin, por mos gabo: do të ta japë në mënyrën e tij hyjnore!’. Kjo më bëri shumë mirë. Është mirë të dëgjosh se Zoti na e jep gjithnjë atë, që i kërkojmë, por në mënyrën e Tij hyjnore. E mënyra e Tij hyjnore është kjo: deri në fund të fundit. Mënyra hyjnore përfshin edhe Kryqin, jo për mazokizëm, jo, jo! Për dashuri. Për dashuri, deri në fund të fundit”.
Papa e përfundoi Meshën me këtë lutje:
“T’i lypim Zotit hirin të mos jemi Kishë në gjysmë të rrugës, Kishë triumfaliste, e sukseseve të mëdha, por Kishë e përvuajtur, që ecën përpara vendosmërisht, si Jezusi. Përpara, përpara, përpara! Zemër e hapur, për të pranuar vullnetin e Atit, si Jezusi. Ta kërkojmë këtë hir!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.