Papa: Shihni shembullin e Nënë Terezës, Jezusi nuk ndiqet për karrierë, udha e Tij
është Kryqi.
Qe Nënë Tereza, e lumja shqiptare e bamirësisë, protagoniste e meshës së mëngjesit
të Papës Françesku në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë e mori
si shembull për t’u thënë të pranishmëve se Lajmi i Mirë i Krishtit nuk është një
lloj boje, me të cilën i japim vetvetes një farë pamjeje të jashtme, por është mesazh,
që shkon drejt e në zemër dhe e ndryshon atë. Ashtu siç bëri Nënë Tereza, të ndjekësh
Krishtin nuk do të thotë të kesh më tepër pushtet, pasi udha e Jezusit është Kryqi. Dikur,
nënvizoi Papa në homeli, thuhej se ndokush, që fëmijë, donte të ndërmerrte karrierën
kishtare, a thua se të ndjekësh Jezusin do të thotë të bësh karrierë. Por nuk është
kjo fryma e Krishtit. Shën Pjetrit, kur flet për karrierë, për çmimin që do të duhej
t’u takonte apostujve, nëse e ndiqnin – citoi Papa leximet liturgjike – Jezusi i përgjigjet:
“Po, do të të jap gjithçka me persekutimin”. Në Udhën e Jezusit gjejmë gjithnjë Kryqin,
nënvizoi Ati i Shenjtë, por nga ana tjetër, i krishteri nuk duhet t’i bëjë keq vetes
me çdo kusht. I krishteri e ndjek Jezusin për hir të dashurisë e bota nuk e toleron
këtë dëshmi: “Mendoni për Nënë Terezën: çfarë thotë bota për Nënë Terezën? ‘Ah,
e Lumja Terezë është grua e bukur, ka bërë shumë gjëra të mira për të tjerët…’. Bota
nuk thotë kurrë se e Lumja Nënë Terezë, çdo ditë, për orë e orë të tëra, adhuronte
Hyjin… Kurrë nuk e thotë! E redukton veprimtarinë e krishterë në bamirësi. Sikur jeta
e krishterë të ishte një lloj boje e praruar krishterimi. Lajmi i Jezusit nuk është
bojë për t’u lyer me të: Lajmi i Jezusit arrin deri në palcë, në zemër, deri brenda
e na shndërron. Pikërisht këtë nuk e toleron fryma e botës, nuk e duron, prandaj vijnë
persekutimet”. Vetë Jezusi, theksoi Papa Françesku, na thotë se do të na japë
“shumë gjëra të bukura”, por “me persekutim”. Udha e Zotit përfundon në Kryq. Prandaj,
persekutimet, vështirësitë, do të ekzistojnë gjithmonë. Kur i krishteri nuk ka vështirësi
në jetë, diçka nuk shkon. Ndoshta, tha Ati i Shenjtë, i është përshtatur pak si tepër
frymës së botës, që mbetet gjithnjë tundim për secilin: “Ta ndjekim Jezusin,
posi, por deri në një farë pike; ta ndjekim Jezusin si të ishte ndonjë formë kulturore:
jam i krishterë, kam këtë kulturë… Ama, pa e ndjekur vërtet Jezusin, pa iu përgjigjur
kërkesës për të ecur në rrugën e Tij. Nëse Jezusi ndiqet si propozim kulturor, përdoret
kjo udhë për të shkuar më lart, për të pasur më tepër pushtet. E historia e Kishës
është plot me këta njerëz, duke filluar nga disa perandorë e pastaj shumë qeveritarë
e shumë të tjerë, apo jo? Edhe disa – nuk dua të them shumë, por po them ‘disa’ –
meshtarë, disa ipeshkvij, apo jo? Ndokush thotë se janë shumë… por ky ndokushi mendon
se të ndjekësh Jezusin do të thotë të bësh karrierë”. Ata, që e lënë shtëpinë
e familjen për të ndjekur Jezusin, vazhdoi Papa Françesku, fitojnë 100 herë më shumë
që tani, në këtë jetë. 100 herë më shumë, së bashku me persekutimet. E kjo nuk duhet
harruar: “Ndjekja e Jezusit është pikërisht kjo: për hir të dashurisë të shkojmë
me Të, pas Tij, e njëjta udhë, e njëjta rrugë. E fryma e botës nuk do ta durojë këtë
e do të na bëjë të vuajmë, por është vuajtje si ajo e Jezusit. T’ia kërkojmë Zotit
këtë hir: ta ndjekim Jezusin në udhën, që Ai na tregoi e na mësoi. Është e bukur,
sepse Krishti nuk na lë kurrë vetëm. Kurrë! Është gjithnjë me ne”.