2013-05-28 13:37:50

Papa Françesku kryeson adhurimin eukaristik më 2 qershor


Të dielën, më 2 qershor, në orën 17.00, në Bazilikën e Vatikanit, Papa Françesku do të kryesojë Adhurimin Eukaristik, me të cilin ftohen të bashkohen shpirtërisht të gjitha dioqezat e botës. Kremtimi mbahet në kuadrin e Vitit të Fesë e në festën e Koprit të Krishtit.
E kur flasim për Eukaristinë, atëherë duhet të pohojmë se Eukaristia nuk mund të mos jetë qendër e përhershme dhe burim i shërbimit që i është besuar Kishës nga Jezu Krishti.
Gjatë Meshës, nga Eukaristia, ‘zemër e jetës së krishterë’, buron bashkimi ndërmjet mbarë besimtarëve, impenjimi i kumtimit dhe i dëshmimit të Ungjillit, zelli për t’u bërë mirë të gjithëve e posaçërisht më të varfërve e më vegjëlve. E i ftonte besimtarët ta shprehin në mënyrë të guximshme e të qartë fenë në praninë reale të Zotit në Eukaristi.
Festa e Korpit të Krishtit është dita në të cilën Kisha dëshiron të vërë theksin mbi misterin e madh të Korpit e të Gjakut të Krishtit në Eukaristinë Shenjte. Zoti Jezus e themeloi Eukaristinë të Enjten e Madhe të Pashkëve. Por Kisha, me kalimin e kohës, zgjodhi një ditë tjetër për të vënë në pah misterin Eukaristik, posaçërisht jashtë Meshës. Kështu shfrytëzoi rastin e mrekullisë eukaristike të Bolsenës, ndonëse duhet theksuar se feja jonë e krishterë nuk bazohet mbi këtë mrekulli, por mbi zbulimin hyjnor të misterit. Atëherë mund të themi se dita e festës së Koprit të Krishtit vë theksin mbi adhurimin e Jezusit në të Shenjtnueshmin Sakrament, gjatë Meshës e jashtë saj.
Kremtimi Eukaristik është vërtetë i lidhur me adhurimin e Eukaristisë jashtë Meshe, sepse është i njëjti Sakrament që nuk mbaron kurrë, por vijon. Në përfundim të Meshës, hostet që kanë mbetur pas Kungimit të popullit, rivendosen në Tabernakull. E i njëjti Jezus vijon të jetë i pranishëm. Kështu, dalë-nga-dalë në Kishë lindi e u zhvillua praktika e Adhurimit Eukaristik, vizita që i bëjnë besimtarët të Shenjtnueshmit Sakrament e në veçanti, proçesioni eukaristik. Nuk mjafton ta adhurojnmë Krishtin vetëm si individë. Është e drejtë që edhe si bashkësi të bëjmë një proçesion në nder të Jezusit të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament, ta adhurojmë, ta duam, të këndojmë himne në lavd të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.