2013-05-28 16:05:24

Nga Shqipëria, imzot Tozo denoncon intolerancën kundër të krishterëve në zonën e OSBE-së


Diskriminimi ndaj të krishterëve “duhet konsideruar kërcënim i rëndë për gjithë shoqërinë” e duhet luftuar njëlloj si antisemitizmi e islamofobia. Kështu tha para disa ditësh në Tiranë, ipeshkvi Mario Tozo, sekretar i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen. Imzot Tozo foli në Konferencën e nivelit të lartë mbi tolerancën dhe luftën kundër diskriminimit, organizuar në Shqipëri nga OSBE-ja (Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë).
Gjendja aktuale të nxit te thuash se historia nuk na ka mësuar asgjë. Me Ediktin e Milanos, 1700 vjet më parë, perandori romak Kostandin “çlironte” nga persekutimet sistematike ndjekësit e Krishtit. 17 shekuj më vonë, në të njëjtin teatër evropian, “episodet e intolerancës dhe të diskriminimit kundër të krishterëve jo vetëm nuk janë ulur, por janë rritur”. Pavarësisht se ndjeshmëria për të drejtat e njeriut është rritur në të gjithë botën, të shumta mbeten hijet, që vuri në dukje imzot Tozo, të cilat prekin gjendjen e bashkësive të krishtera. Duke filluar nga ndarja ndërmjet “besimit fetar e praktikës fetare”, e cila përdoret për t’i mënjanuar të krishterët nga debati publik. Pra, ata mund të besojnë ç’të duan brenda shtëpive e kokës së tyre, apo nëpër kisha, por nuk mund të veprojnë në publik, duke u bazuar në vlerat e krishtera. Kjo sjell kufizime të lirisë fetare sidomos në dy fusha, denoncoi imzot Tozo.
Së pari, sjell intolerancë ndaj vetë fesë së krishterë, siç shihet nga kërcënimet e arrestimet e të krishterëve, thjesht, sepse kanë shprehur publikisht fenë e tyre. Së dyti, u krijon probleme në punë atyre të krishterëve që sillen sipas ndërgjegjes e vlerave, që u mëson feja. Kjo i vë qytetarët e zonës së OSBE-së, pra evropianët e krishterë para një dileme: o punën, o fenë. Aty ku mund të kemi ndeshje në forumin publik për të drejtat e njeriut, tha në fund imzot Tozo, liria e fesë nuk duhet konsideruar aspak më inferiore se të drejtat e tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.