2013-05-27 15:52:05

Papa: kultura e mirëqenies dhe joshja e së përkohshmes nuk na ndihmojnë ta ndjekim Jezusin.


Për ta ndjekur Jezusin, duhet të zhvishemi nga kultura e mirëqenies dhe joshja e së përkoshmes. Këtë nënvizoi sot paradite Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë kujtoi se duhet të bëjmë rrëmimin e ndërgjegjes lidhur me qëndrimin ndaj pasurive, që na pengojnë t’i afrohemi Jezusit. Në Meshën, bashkëkremtuar nga kardinali Filipe Barbarin, kryeipeshkëv i Lionit, morën pjesë anëtarët e Këshillit Papnor për punonjësit e shëndetësisë, kryesuar nga imzot Zigmund Zimovski dhe një grup bashkëpunëtorësh të Shërbimeve Ekonomike të Governatoratit, kryesuar nga doktor Sabatino Napolitano.
Jezusi i kërkon një djaloshi t’ia dhurojë të gjitha pasuritë të varfërve, po ai shkon i trishtuar. Papa Françesku e shtjelloi homelinë, duke u nisur nga episodi i mirënjohur, që tregohet në Ungjillin e sotëm. E menjëherë nënvizoi se pasuritë janë pengesë, se nuk e lehtësojnë udhën drejt Mbretërisë së Hyjit. E duhet menduar se secili nga ne ka pasuritë e veta. Secili ka siguritë e veta. Secili! Kemi gjithnjë pasuri, që na pengojnë të shkojmë pranë Jezusit. E pikërisht kjo duhet kërkuar. Të gjithë, vijoi duhet të bëjmë rrëmimin e ndërgjegjes, ta pyesim veten cilat janë pasuritë tona e pse na pengojnë t’i afrohemi Jezusit në udhën e jetës. Papa u ndal posaçërisht tek dy ‘pasuri kulturore’; para së gjithash, kultura e mirëqenies, që na bën frikacakë, na bën përtacë, na bën egoistë. Mirëqenia na narkotizon, është narkozë:
Jo, jo, jo më shumë se një fëmijë, sepse nuk mund të shkojmë për pushime, nuk mund të shkojmë andej e këndej, nuk mund të blejmë shtëpi. Është mirë ta ndjekësh Zotin, por deri diku’. Ja, këtë të bën mirëqenia; të gjithë e dimë mirë si është mirëqenia, por kjo na ligështon, na zhvesh nga guximi, nga ai guxim, që të shtyn të shkosh pranë Jezusit. Kjo është pasuria e parë e kulturës sonë të sotme, kulturës së mirëqenies”.
Kemi, pastaj, një pasuri tjetër të kulturës sonë, pasuri që gjithashtu na pengon t’i afrohemi Jezusit; është joshja nga e përkohshmja. Ne, vërejti Papa, jemi të dashuruar me gjërat e përkoshshme. Propozimet me vlerë të përhershme, që bën Jezusi, tha më tej Ati i Shenjtë, nuk na pëlqejnë. E përkohshmja, po, na pëlqen, sepse kemi frikë nga koha e Zotit, që është përfundimtare:
Ai është Zoti i kohës; ne, zotër të çastit kalimtar. Pse? Sepse çastin mund ta zotërojmë: deri këtu e ndjek Zotin, pastaj, të shohim… Dëgjova një herë njërin që donte të bëhej prift, por vetëm për dhjetë vjet, jo më shumë…. Sa çifte, sa çifte martohen, pa e thënë me zë të lartë, por duke e pëshpëritur në zemër të vet: derisa të zgjasë dashuria, e pastaj të shohim! Joshja e së përkohshmes: kjo është pasuri. Duam të bëhemi zotër të kohës, ta bëjmë të vogël kohën, ta mbyllim brenda një çasti. Këto dy pasuri, në këtë çast, janë ato, që na pengojnë të ecim përpara. Mendoj për shumë e shumë burra e gra, që u larguan nga toka e tyre për të shërbyer gjithë jetën si misionarë: kjo është përfundimtare”.
Por, vijoi Papa, mendoj edhe për shumë burra e gra, që lanë shtëpinë atërore e u martuan për gjithë jetën; e edhe kjo do të thotë ta ndjekësh Jezusin nga afër! Është e përhershme! E përkohshmja, pohoi Papa Françesku, nuk na ndihmon ta ndjekim Jezusin, nuk është truall i Zotit, po yni:
“Përballë ftesës së Jezusit, përballë këtyre pasurive kulturore, të mendojmë për dishepujt: ishin të hutuar. Edhe ne mund të hutohemi duke e dëgjuar këtë fjalë të Jezusit. Kur Jezusi e vijoi shpjegimin, u hutuan edhe më shumë. T’i kërkojmë Zotit të na japë guximin për të ecur përpara, duke u zhveshur nga kjo kulturë e mirëqenies, me shpresën e fundit të udhës, ku Ai na pret, në kohë. Jo me shpresën e vogël të çastit, që nuk na duhet më! E ashtu qoftë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.